‘Air Albania’ fsheh bilancet. Qeveria fsheh kostot e fluturimeve të Ramës

Avenir Peka: Kryeministri jashtë vendit më shumë se 30% të kohës, 264 hyrje-dalje me charter që nga 2013. Rama: Publikim për gjobaxhinjtë e ekranve

 Kompania ‘Air Albania’ rezulton që prej 3 vitesh nuk dorëzon bilancet tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në faqen e QKB-së, në krah të kompanisë së fluturimeve qëndron shënimi ‘Subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme’.

NOA

Raporti ndërmjet kompanisë ‘Air Albania’ dhe kryeministrit Edi Rama duket si një histori ku ndërthuren favore të ndërsjellta në dëm të interesave publikë dhe të ardhurave shtetërore. Grupi ‘Homeland Justice’ zbuloi se kryeministri Rama ka kryer një numër të lartë fluturimesh me avion ‘charter’ të kompanisë ‘Air Albania’, të emërtuar ‘Ismaili’. Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, çdo fluturim kushton rreth 150 mijë euro, ku llogariten kostot e karburantit, parkimit, shërbimit në avion e taksa fluturimi. Ndërkohë, Edi Rama i kundërshtoi këto deklarata nëpërmjet një qëndrimi politik, por pa asnjë sqarim mbi dyshimet për abuzime financiare. Në janar të vitit 2020, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kompania ‘Air Albania’ nënshkruan një kontratë, në bazën e të cilës Rama siguroi një avion personal për udhëtime pune, si kryeministër, por edhe si Ministër i Jashtëm në atë kohë. Kontrata ka detaje të ndryshme për mënyrën e bashkëpunimit, por mungon detaji kryesor-çmimi që do të paguajë Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për udhëtimet. Sipas marrëveshjes, avioni në dispozicion të Ramës do të jetë i tipit Air-Bus 319 me 35 vende. Në një kërkim në Thesarin e Shtetit, zbulohet se nuk është raportuar asnjë pagesë në funksion të kësaj kontrate, sipas Syri.tv duke mbajtur të fshehtë shpenzimet e qeverisë për dhjetëra udhëtimet e Ramës në bordin e çarterit ‘Ismail’. Nga ana tjetër kompania ‘Air Albania’ rezulton që prej tre vitesh nuk dorëzon bilancet tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në faqen e QKB-së, në krah të kompanisë së fluturimeve qëndron shënimi ‘Subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme’. Në situatë të ngjashme, QKB dhe administrata tatimore veprojnë me gjobitjen dhe pezullimin e aktivitetit tregtar të kompanive, deri në plotësimin e detyrimeve ligjore. Por, në rastin e ‘Air Albania’, institucionet qeveritare janë treguar pasive, duke lejuar funksionimin e saj, megjithëse është në shkelje të ligjit. Për fshehjen e bilanceve, pra për thelbin e aktivitetit financiar, qeveria është shumë tolerante, duke mos vendosur asnjë masë penalizuese ndaj shoqërisë së fluturimit, që i jep çarterin Edi Ramës.