Agron Duka: Lufta për pushtet, shkakton çarjen PS-LSI

457
Agron Duka, deputeti i PR, si një ish bashkëpunëtor i Ramës, deri në prag të fushatës elektorale të 2013, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se krisja PS-LSI ka ndodhur para zgjedhjeve, ndërsa pas zgjedhjeve është shfaqur në formën e saj më të plotë. Zoti Duka thotë se megalomania e qeverisjes (së Ramës) shpërfill mesazhin elektoral. Duke fokusuar marrëdhëniet Rama – Blushi, zoti Duka thotë se Rama i trembet faktorizimit të Blushit. Ndërsa heshtjen e “senatorëve” të PS, zoti Duka e shpjegon se edhe ata janë të shqetësuar me zhvillimin e ngjarjeve në PS, por kanë frikë të prononcohen, se mos dëmtojnë partinë. Zoti Duka, i pyetur për mundësitë e një aleance politike PS – PD, thotë se nëse do të ketë mund të ndodhë, aleanca PS-PD, do të jetë për interesa të mëdha kombëtare, por jo aleancë qeverisëse.

-Zoti Duka, humbjen e 15 % elektorat ose 311. 321 vota më pak për PS, në krahasim me 2013, ju si e shpjegoni?

– Kjo rrudhje e konsiderueshme elektoratit të PS-së, sipas meje, ka disa shkaqe, por më kryesoret janë pakënaqësitë nga qeverisja e maxhorancës si dhe konkurrenca brenda saj. Aleatja kryesore e PS-së LSI-ja duket sikur e ka patur qëllim kryesor konkurimin me PS-në, në shumë vende, edhe pse nuk ka mundur të fitojë bashkitë, aty ku kishte kandidatët e saj, ajo arriti të dalë forcë e parë, duke ulur ndjeshëm votat e PS-së. Rasti më flagrant është ai i fshatit Rrumanat, ku në një qendër votimi PS-ja nuk mori as votat e komisionerëve të saj.

Pohimi i fundit i Kryeministrit se qeveria nuk ndryshon, mendoni se kryeministri shpërfill mesazhin elektoral?

– Kryeministri nuk ka pohuar asnjëherë që qeverisja e tij ka dështuar, përkundrazi ka thënë të kundërtën, si ai vete dhe kabineti i tij nuk neglizhojnë prezencën vend e pavend në mediet e shkruara e vizive për të bërë paradat e“ sukseseve “, prandaj ai nuk mendon se ndryshimet në qeveri janë të domosdoshme. Megalomania, e cila është një nga karakteristikat e kësaj qeverisje, nuk e lejon të shohë me objektivizëm mesazhin elektoral e, si pasojë, e shpërfill atë.

– Ku është problemi i keqqeverisjes: Te mungesa e vizionit të kryeministrit, apo te paaftësia e ministrave?

– Qeverisja aktuale, në kushtet e një aleance të sforcuar me LSI-në, bëhet shumë e vështirë për kryeministrin. Nuk mund ta pohoj që atij personalisht i mungon vizioni, apo aftësia, por jam i bindur që i mungon vendimmarrja, sepse ndarja e pushtetit me përqindje e kthen qeverinë në një bord biznesi, ku çdo anëtar i tij lufton për vete. Në fakt duhet të jetë ndryshe për çdo sukses apo dështim duhet të jetë përgjegjes kryeministri. Populli me votë ndëshkon PS-në, pra Ramën dhe jo Metën, i cili herë pas here nuk ngurron të kritikojë edhe qeverinë ku është aleat. 

– Përse në PS u shpërfillën kritikat ë deputetit Blushi për shkeljet flagrante të statusit të partisë? Mos vallë fitorja në 23 qershor është argument kundër atyre kritikave?

– Kritikat e Blushit nuk janë shpërfillur kurrë as nga shumica e PS-së, as nga vetë Rama, por janë neglizhuar nga Rama personalisht, jo se Rama ka frikë që nuk fiton përsëri, por i trembet, sipas meje, faktorizimit të Blushit. Blushi nuk mund të shpërfillet.

– Ju si e shpjegoni heshtjen e senatorëve në PS të cilët nuk reaguan? A ekziston fryma demokratike e debatit në PS?

– Shumë nga ata që ju i quani senator, nuk janë të kënaqur me frymën e brendshme që mbizotron në PS dhe besoj këtë e shfaqin në mënyra të ndryshme, por duke qenë pjesa më e hershme e PS –së, i duket sikur dëmtojnë partinë, nëse shqetësimet e tyre i bëjnë mediatike.

– Meqë ju e njihni mirë Ramën, pohimet e tanishme publike të deputetëve dhe njerëzve të PS, se kandidaturat për kryebashkiakë të LSI ishin të gabuar, apo fajësohen drejtorët e LSI, janë personale, apo të lidhura nga qendra e PS?

– Unë nuk mendoj se kandidaturat e LSI-së kanë qenë të konsultuara, besoj që për to ka vendosur vetë Meta, ndërsa akuzat e ndërsjellta vijnë si pasojë e ndarjes së pushteteve me përqindje. Baza e PS-së është e pakënaqur nga etja e LSI-së për pushtet, nëpërmjet tij LSI-ja ka arritur të shtojë numrin e të punësuarve dhe e të rradhëve të saj, të cilat u konvertuan me vota në zgjedhjet vendore. Paradoksi i shtimit të votave të LSI-së, por i humbjes së bashkive kryesore, duket se ngjalli dyshimin në“ besnikërinë “e ndërsjelltë me PS-në, e cila në disa raste u reflektua në akuza ndaj njëri tjetrit, të cilat deri tani kanë arritur deri në nivelin e deputëteve.

– Përse vallë ndodhi krisja e aleancës PS-LSI? Mos vallë PS e kërkon humbjen e elektoratit të saj te rritja e LSI?

– Ju gjykoni se krisja ka filluar pas zgjedhjeve. Unë mendoj se siptomat i ka patur para saj, ndërsa pas zgjedhjeve është shfaqur në formën e saj më të plotë.

– Ju në politikën tonë, a mund të përjashtoni mundësinë e aleancave politike të përbashkëta PD-LSI, apo PS-PD?

– Aleanca PD-LSI është parë e provuar për katër vjet. Tani a do të ndodh PS-PD? Asgjë nuk parashikohet në politikë. Charles de Gaulle ka thënë: Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme, megjithatë unë mendoj që mund të ketë aleanca PS-PD, për interesa të mëdha kombëtare, por jo aleancë qeverisëse.

– Si e shpjegoni që kryeministri dha ditët e fundit shifra të zhvillimit ekonomik, të tejkalimit të të ardhurave, kur një ditë më pas FMN pohon se nuk nënshkruan marrëveshjen e rradhës me Shqipëinë pikërisht se kanë dështuar realizimi i të ardhurave

– Unë besoj se FMN nuk gënjen.

– Ku qëndron problemi i kundërshtisë së raportit të DASH se në parlamentin shqiptar është ulur trafikant, me reagimin e kryeministrit që deklaroi se në parlament nuk ka deputet trafikant?

– Ky problem nuk mund të mohohet nga kërkush, sepse për këtë jemi dëshmitarë të gjithë, futja e elementëve me rekorde kriminale në politikë është një fenomen që ka filluar me kohë dhe faji për këtë bie mbi politikën në përgjithësë. Partitë politike, duke patur si prioritet fitimin e pushtetit, rekrutuan në disa raste persona të tillë, që me metoda të ndryshme ju siguronin më shumë vota. Raste të tilla ka edhe ky parlament. E rëndësishme është që ky fenomen të marrë fund një herë e përgjithmonë. Aktualisht, maxhoranca është përgjegjëse për realizimin final të dekriminalizimit të politikës, ndërsa opozita ka dhënë dukshëm mesazhe positive. Nëse Rama nuk e mer seriozisht këtë punë, do jetë ai që do mbajë përgjegjësitë kryesore, si lider i maxhorancës dhe kryeministër.
– Faleminderit!
Sigal