Administratorët  në kërkim, qeveria jep 6 mln euro për inceneratorët që s’punojnë

173
Sigal

 

Pronarët e inceneratorëve janë në kërkim policor me urdhër të SPAK, por pagesat e buxhetit të shtetit në drejtim të kompanive që zotërojnë këto koncesione vazhdojnë normalisht.Edhe kur është vendosur masa e arrestit me burg për ish ministrin e mjedisit Lefter Koka, dhe dy aksionerëve të inceneratoreve Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, regjistrohen  pagesa .

Emergjenca energjetike nuk e ka ndaluar qeverinë që të paguajë miliona euro 3 inceneratorëve të mbetjeve, dhe pse nuk janë funksionalë. Që kur kryeministri shpalli emergjencën në tetor e deri tani, janë paguar 6 milionë euro për 3 koncesionet. Në tetor të vitit 2021, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës energjetike, e cila synonte të reduktonte shpenzimet pas asaj që Edi Rama e konsideroi si krizë e tregut ndërkombëtar.

Por, gjatë 6 muajve të fundit, kur kriza e keqmenaxhimit arriti kulmin në Shqipëri, qeveria nuk ka ndalur për asnjë moment pagesat për inceneratorët e mbetjeve urbane, megjithëse asnjëri prej tyre nuk është në funksion aktualisht.

Në periudhën tetor 2021- mars 2022, institucionet qeveritare kanë paguar rreth 7 miliardë lekë të vjetra ose mbi 6 milionë dollarë për kompaninë koncesionare të mbeturinave. Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania “Integrated Energy BV” që menaxhon landfillin e Sharrës në Tiranë ka përfituar në 6 muajt e fundit pagesa në total 3.8 miliardë lekë të vjetra. Kjo shumë nuk është finale, pasi Bashkia e Kavajës pritet të paguajë faturat për shkurt-mars 2022 pasi të çelet buxheti për këtë vit. Disa prej bashkive të Qarkut Tiranë i paguajnë koncesionarit të Sharrës tarifën 29 euro për ton për depozitim dhe incenerim mbetjesh urbane. Por, inceneratori nuk është ndërtuar ende. Ai pritet të nis funksionimin në vitin 2024.

Kompania “Integrated Technology Ëaste Treatment”, e cila ka fituar kontratën koncesionare për inceneratorin e Fierit, është paguar me 2.6 miliardë lekë të vjetra nga tetori i vitit të kaluar, kur u shpall kriza energjetike, e deri më sot. Inceneratori i Fierit ende nuk është në funksionim, megjithëse duhet të kishte nisur nga puna në mars 2021.

Kompania “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, megjithëse është nën sekuestro nga SPAK, ka marrë në 6 muajt e fundit rreth 670 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e landfillit të Sheristës në Vlorë. Deri më tani nuk ka asnjë informacion publik nëse aty janë përfunduar punimet. Po ashtu, edhe inceneratori i Elbasanit, i ndërtuar nga ‘Albtek Energy”, prej muajsh nuk kryen incenerimin e mbetjeve urbane të qytetit.