Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka sulmuar nga salla e Kuvendit deputetin Ben Blushi për nismën që ky i fundit ka marrë për votimin e Presidentit nga popullit. Idrizi tha se Blushi e ka nisur keq politikën e tij të re.
“Kolegu im Blushi fatkeqësisht e ka filluar keq politikën e tij të re. Zoti Blushi ne nuk i kishim 28 votat që të bënim dhe të kërkonim amendim kushtetues! Ne i jemi drejtuar komisionit të reformës në drejtësi me opinionin tonë. Në radhë të parë për presidentin nga populli, ne kemi propozuar që pas dy votimeve të para që duhen 84 vota, t’i drejtohemi popullit. Ju deklaruat që keni 10 firma dhe ja keni adresuar kujt.
Zoti Blushi mos i mashtro shqiptarët. Me 10 vota nuk e çon dot kurrkund, të duhen minimalisht 28 vota. Zoti Muhedini ta tha në këtë seancë që nuk është tek firmat e atyre 10 që ju pretendoni. Mashtroni se keni 9 firma dhe jo 10. E ke nisur mbrapsht, shumë keq. Na ke folur për mungesën e etikës, për një politikë ndryshe, e nise duke etiketuar një zonjën, nuk duhet ta bësh. Do të mirëprisja të dilje të kishe projektin tënd, të dilje përpara shqiptarëve, jo duke i futur thikën pas shpine partisë tënde. Bëj partinë tënde politike, me PDIU do të shihemi në zgjidhje dhe atje do të shohim sa vlen”, tha Idrizi.
Menjëherë pas kësaj, Blushi ka kërkuar që të mbyllet ky debat se nuk është i hijshëm. Madje deputeti e ka kërcënuar kreun e PDIU-së se nësë nuk i jepet fund kësaj estrade, do dëgjohen gjëra që do mbahen mend gjatë.
“Unë e kam fituar jetën time në disa mënyra, njëra nga mënyrat është që të bëj libra. S’kam as kohë, as arsye, as frymëzim, as pasion, që ti të kesh privilegjin të jesh personazh i librave të mia. Nuk e kuptoj se pse krruheni ju. Unë bashkë me disa deputetë kemi bërë një amendament, që presidentin ta zgjedhë populli. Gjuha që përdore ishte vulgare. Unë nuk kam ndërmend të bëj debat këtu. Kur del dikush dhe më thotë na ke vjedhur na ke grabitur, ke vjedhur dorëshkrime, libra. Çfarë kemi vjedhur? Jeni mirë apo s’jeni mirë. nuk ju vlen të hyni në debat me mua, ka shumë arsye por s’mund t’ia lemë kohës.
Po ti more Shpëtim ku je në opozitë apo në pushtet. Unë ta them ku jam, jam në opozitë me shumë gjera që s’më pëlqejnë, nuk do shkoj me PD-në. Për çfarë votoni ju për qeverinë apo opozitë, me çfarë programi keni ardhur në pushtet? Unë jam në opozitë me çdo gjë që nuk me pëlqen në këtë vend. Me kërkoni ndjesë për gjuhën, këtë lloj gjuhe nuk ja pranoj askujt”- deklaroi Blushi.
REPLIKA MES TYRE
Idrizi: E quajte PDIU qime…
Blushi: Qimja është pjesë e fshesës.
Idrizi: O Blusho mbaji për vete të dyja!
Blushi: PDIU si parti se kam përmendur kurrë me emër. Atë zonjën se kam përmendur me emër. Ajo ka bërë dy deklarata kundër meje me gjuhë vulgare. Gjyshi im ndjesë pastë ka 13 vjet që nuk është më, nuk ja pranoj askujt ta nxjerrë nga varri, duke u marrë me të. Nëse nuk doni t’ju kthej në estradë vazhdojeni këtë debat, por kam frikë se do mbaheni mend për ca gjëra që s’do donit të mbaheni mend.
Idrizi: Kur thashë që e nise keq dhe e nise me mashtrim sapo e pohove vetë. Deklarove paradite për qëndrimin e PDIU si qime e PD-së dhe fshesë e PS-së.




















