A po e shet Lulzim Basha, Ilir Metën?

188
Sigal

PD dhe LSI janë në ditën e tyre më të keqe që prej vitit 2017, kur ato filluan të ngrejnë një platformë opozitare së bashku. Termi koalicion opozitar jo vetëm tashmë është harruar, programi i përbashkët me 13 pika që firmosën Kryemadhi dhe Basha ngjan me një kujtim të hidhur, por divergjencat kanë filluar të dalin edhe në publik. Fillimisht ishte Monika Kryemadhi ajo që në komentin e parë për rezultatet e 25 prillit, goditi hapur vendimin e kreut të PD-së për të djegur mandatet dhe për të bojkotuar zgjedhjet lokale. Ajo i konsideroi këto veprime “si një strategji e qëllimshme për t’i dhënë të gjitha pushtetet, Edi Ramës, oligarkëve”. Deklarata, që pati efektin e një cunami tek të gjithë ata që mendonin se fronti opozitar duhet të ishte sot më i unifikuar se kurrë, u vazhdua më pas edhe nga një e përkëdhelur e Kryemadhit në LSI, Briseida Shehaj: “Unë kam gabuar e para, se kam qenë pro atij vendimi. Por harruam, që Basha ka skenarët e vet, jo të opozitës”,-  shkruajti ajo në facebook-un e saj. Pra, aluzioni qe i qartë, dhe i hidhte benzinë zjarrit të dyshimeve të të gjithë atyre që duan të besojnë se kreu i poozitës nuk është asgjë më shumë, sesa një marionetë në duart e rrethit të ngushtë oligarkik të kryeministrit. Dhe, menjëherë pas zgjedhjeve, Basha u soll fiks sikur të donte t’i jetpte hov këtyre hipotezave. Jo vetëm me reagimet e tij të mefshta, jo vetëm me shfryrjen e zërave, që kërkonin protesta, jo vetëm me pranimin e nxituar për të hyrë në parlament. Lideri i PD-së ka treguar një heshtje kapitulluese ndaj tentativës së Edi Ramës për të asgjësuar edhe të vetmin pushtet, që i është kundërvënë, atë të presidentit të Republikës. Lulzim Basha, që s’ka harruar të urojë publikisht dhe për natën e Kadrit, që ka inskenuar personalisht filmin banal me dorëzimin e dhjetra kartonëve me pseudo fakte për manipulimin e votës në KQZ, nuk është kujtuar të thotë asnjë fjalë për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Ai po sillet njësoj si në fund 2019, fillim të 2020, kur Rama donte të kapte në mënyrë të paligjshme Gjykatën Kushtetuese. Edhe atëhere edhe tani, qëndrimi i tij i ngjan më tepër ndonjë nëpunësi të rangut të tretë në ndonjë ambasadë, sesa prej lideri që do të mbrojë kauza opozitare. Gjithkush e ka të vështirë të kuptojë, se si mund të heshtë shefi i opozitës, kur në vend hapet një debat, qoftë edhe fallc, për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Çdokush e ka të pamundur të gjejë një fill logjik mes akuzave për vendosjen e rregjimit dhe përkuljes ndaj akteve të këtij regjimi, si ai për heqjen qafe në mënyrë arbitrare të presidentit. Natyrisht këtu nuk është në lojë as fati i Ilir Metës, siç po ndodh sot dhe as fati i Arta Vorpsit apo Ardian Dvoranit siç ndodhi dje. Këtu në lojë është dilema se sa këllqe ka Lulzim Basha t’i dalë në mbrojtje grimcave, që kanë mbetur nga një demokraci normale ? A është i aftë ai për beteja parimore? A e kupton ai se nuk e ka luksin të bëjë tregëti me çdo kauzë, që përbën interes publik? Me mënyrën e sjelljes, Basha po tregon se, jo. Edhe në rastin e komisionit të dytë hetimor kundër Metës ai po bën ç’është e mundur të vërtetojë dyshimet, që hodhi në treg LSI, se ka në kokë skenaret personale dhe jo ato të opozitarizmit./Lapsi.al