A do e hapë SPAK, dosjen e zezë të Check-up

443
Sigal

Koncesionari i check-up ka marrë rreth 11 miliard lekë për 580 mijë kontrolle të pakryera. Pse mbahet e fshehtë kontrata koncesionare dhe a do fillojë hetimet SPAK për personat firmëtarë që nisin me ish-ministrin Ilir Beqaj dhe “zinxhirin” pas tij.

Koncesionari i check-up ka marrë 8.5 milionë euro për 580 mijë kontrolle të pakryera

 

Shteti e ka paguar koncesionarin e kontrollit bazë mjekësore (check-up) për 580 mijë kontrolle të pakryera përgjatë periudhës 2015-2018. Kjo shifër është bërë e ditur në një raport për koncesionet të publikuar nga Ministria e Financave. Për këtë kontratë Partneriteti Publik Privat në nivel vjetor janë parashikuar 475,000 përfitues të shërbimit, pra 39,583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti, nëse ato realizohen apo jo. Por, numri real i kontrolleve të kryera për periudhën 2015-2018 ka qenë shumë më i ulët, përkatësisht 244,420 në vitin 2015; 329,555 në 2016; 316,601 në 2017 dhe 2018 në 428,891 (shih tabelën më poshtë). Në total, për këto 4 vjet, diferenca mes kontrolleve të paguara dhe atyre të realizuara rezulton 580,533. Koncesionari paguhet çdo vit 876 milionë lekë, ose 1,844 lekë për çdo kontroll të planifikuar. Si rrjedhojë, sipas përllogaritjeve të Monitor, rezulton se koncesionari ka marrë rreth 1.1 miliardë lekë (8.5 milionë euro) në periudhën 2015-2018 për kontrollet që realisht nuk i ka kryer!Ministria e Financave e pranon në raport që “Rreziku i kërkesës do të jetë i lartë në rastin e këtij shërbimi pasi ky projekt nëpërmjet kësaj kontrate AK i garanton një mbështetje financiare koncesionarit deri në 475.000 kontrolle në vit”.Ashtu si në rastin e koncesionit të sterilizimit risku financiar sërish është marrë përsipër nga shteti. “Në lidhje me risqet që rrjedhin nga zbatimi i kontratës koncesionare, tek pala private janë transferuar risku i ndërtimit, risku i operimit dhe performancës, risku i transferimit të aseteve, ndërsa risku i ndryshimeve ligjore, risku material nga vendimet politike, risku financiar i është alokuar palës publike. Ndërkohë janë ndarë mes palëve risku i kërkesës, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit, risku i ndërprerjes së kontratës dhe risku i lejeve dhe liçencave”, thuhet në raport. Sipas raportit, “ky projekt është propozim i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i nënshkruar në vitin 2015 me shoqërinë koncesionare “3P Life Logistic” dhe ka kohëzgjatje prej 10 vitesh. Ky Partneritet Publik-Privat ka si qëllim kontrollin mjekësor bazë që është një program kombëtar i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore. Kjo kontratë ka filluar të implementohet në datë 31.03.2015 dhe zbatimi i projektit ka ecur sipas afateve të përcaktuara në të. Në bazë të kësaj kontrate, shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, operojë dhe menaxhojë 20 laboratorë. Nëpërmjet këtij programi kontrolli bëhet e mundur që, për periudhën afatmesme në afatgjatë, të mund të zbulohen në kohë dhe të parandalohen sa më shumë të jetë e mundur sëmundje të cilat, nëse nuk do të identifikoheshin në kohë, do të sillnin pasoja të konsiderueshme për vetë njerëzit e prekur, por edhe kosto të konsiderueshme për trajtimin e tyre me shërbimet e nevojshme shëndetësore. Ky shërbim përfitohet falas nga të gjithë shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç, me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në raport.

Në lidhje me këtë megaskandal të Check-up, për të cilin organet e drejtësisë kanë filluar disa herë hetimet dhe çuditërisht i kanë mbyllur ato gazeta “Telegraf”i ka kërkuar publikisht Prokurorisë së Përgjithshme, KLSH-së, krimit ekonomiko-financiar, ministrive të linjës si ajo e shëndetësisë, financave, ekonomisë (që kur ishin të ndara ku njëra likuidon paratë dhe tjetra ndjek kontratën), Drejtorisë së ISKSH-së, të bëhet publike Kontrata e CHECK-UP, pasi është e pamundur që kjo kontratë të gjendet. Justifikimet mbi gjoja konkurrencën dhe ruajtjen e privatësisë janë një taktikë që kërkon të mbajë të fshehtë gjithë këtë maskaradë shtetërore. SPAK ka rastin më të mirë të çojë prapa hekurave të gjithë firmëtarët, abuzuesit dhe të babëziturit që kërkojnë të fitojnë nga gjaku i shqiptarëve. SPAK duhet ta fillojë nga ministri Ilir Beqaj, ish-zëvendësja e tij Milva Ikonomi dhe drejtuesit e tjerë të ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH, poliklinikave e me radhë. Në ditët në vijim do të bëjmë publike shkresat që “Telegraf” i ka dërguar ministrive të linjës për kontratën e Check-up dhe përgjigjet e titullarëve përkatës, se nuk e disponojmë kontratën. Po mbi çfarë baze bëhet auditimi nga shëndeti publik i qarqeve dhe ministrive të linjës kur nuk figuron kontrata?!