Kryeministri Edi Rama mori pjesë mbrëmjen e djeshme në ceremoninë e 75-vjetorit të NATO-s.
Rama ndau në rrjetet sociale momente nga ceremonia, ku ishin të pranishëm Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe udhëheqësit e vendeve të Aleancës.
Në kuadër të 75-vjetorit të NATO-s në Uashington po mbahet edhe samiti treditor i NATO-s, nga 9-11 korrik. Ky samit synon të projektojë forcën dhe të mbështesë Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
E themeluar në Uashington në vitin 1949 nga SHBA dhe 11 vende të tjera në fillimin e Luftës së Ftohtë për të penguar zgjerimin e Bashkimit Sovjetik komunist, NATO është rritur në 32 anëtarë me hyrjen e fundit të Suedisë dhe Finlandës.
Osmani takim me Ramën: Përpjekje të përbashkëta për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Uashington, në margjina të samitit të NATO-s ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Sipas njoftimit zyrtar të presidencës së Kosovës, në takim të dy liderët diskutuan lidhur me rëndësinë e ecjes përpara në rrugën euroatlantike të Kosovës, e në veçanti për hapat e domosdoshëm drejt anëtarësimit në NATO, aleancë kjo jetike për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë e më gjerë.
Presidentja Osmani theksoi se ky takim shërben për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin.