Presidenti i Republikës, Bajram Begaj këtë të mërkurë ka marrë pjesë në konferencën për ditën kombëtare të drejtësisë. Kreu i shtetit tha se sot është një ditë e shenjtë për vendin pasi shënohet 110 vjetori i krijimit të Gjykatës së Lartë. Begaj ka kërkuar që të implementohet si duhet harta e re gjyqësore, ku ka theksuar se e rëndësishme është që reforma në Drejtësi të japë rezultatet e pritura.
Gjithashtu ai është shprehur se cilësia në drejtësi është dhe duhet jetë kriteri matës për të përcaktuar punën e gjithë aktorëve të përfshirë.
“Në këto 110 vite historia jonë politike ka pasur rrugëtim jo të lehtë. Rrugëtimi i Drejtësisë Shqiptare në kërkim të një drejtësie të pavarur, të vendosjes së barazisë para ligjit. Aktorë vendas e ndërkombëtarë kanë një kontribut për ndërtimin e një sistemi drejtësie transparent. Gjykata e Lartë ka një kontribut të pazëvendësueshëm, synimi reformës së nisur në 2014 kulmoi me miratimin e ndryshimeve Kushtetuese në vitin 2016.
Reforma nuk ka qenë e lehtë, sepse ngritja dhe realizimi i saj përfshirë sfidat dhe pengesat kanë sjellë vonesa përtej parashikimeve ligjore. Duhet garantuar aksesi në drejtësi, nëpërmjet implementimit korrekt të hartës gjyqësore. Garantimi i pavarësisë së sistemit, e cila është arsyeja e reformës në drejtësi. Cilësia në drejtësi është dhe duhet jetë kriteri matës për të përcaktuar punën e gjithë aktorëve të përfshirë. Pavarësisht se puna akumuluar paraqet sfida e problematika dua t’ju përgëzoj. Uroj të një shembull suksesi duke dëshmuar, profesionalizëm, integritet, paanëshmëri”, ka thënë Begaj.