Maksim Rushi: Pse mbi 70 mijë persona me aftësi ndryshe do të votojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë”..?!

189
Sigal

Nga Maksim Rushi, Kryetar Kombëtar i SHSHPP-së

Në një analizë për Gazetën Telegraf.al, Maksim Rushi, u bën thirrje të gjithë personave me aftësi të Kufizuar të mbështesin koalicionin Bashkë Fitojmë. Ja analiza e plotë;

Na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet vendore te 14 Majit! Ajo çfarë kemi parë në këtë muaj të fushatës për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë, është gjithçka përveç se një program i qartë dhe premtues nga ana e qeverisjes aktuale. Nuk mungoi tallava-ja, batutat, humori i zi, ironitë, puthjet e duarve të të moshuarve, fotografi me fëmijë dhe njerëz të thjeshtë e të përvuajtur, por munguan idetë, premtimet bindëse, mungoi vëmendja ndaj halleve, problemeve, shqetësimeve, dhimbjes shpirtërore, vetmisë së të moshuarve në vatrat e boshatisura nga emigrimi masiv i të rinjve. Mungoi si gjithmonë vëmendja ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht ndaj personave me dëmtim fizik dhe pluridifekt, të lindur ose të aksidentuar gjatë jetës dhe që nuk mbulohen nga skema e sigurimeve shoqërore. Është kjo kategori që Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë ka marrë në mbrojtje dhe lufton fort për të drejtat që ligji i garanton, por që në realitet nuk gjen zbatim. Nëse qeveria do të quante sukses, lëmoshën e përmuajshme që shërndan në trajtën e pagesës së invaliditetit, askush nuk do të donte të provonte që të jetosh në kushtet e pamundësisë me natyrë fizike ose pluri difekt me një pagesë qesharake prej 10900 lekë në muaj. Në shumicën e rasteve kryefamiljarët nuk përmbushin dot nevojat më bazike të familjeve të tyre, dhe aq më vështirë për të siguruar ilacet e çdo muaji për të cilat ka nevojë jetike.

Kur qeveria diskriminon personat me aftësi ndryshe?

Nëse do të lexonit mesazhet e ardhura cdo ditë prej qytetarëve me aftësi ndryshe, do të përjetonit të njëjtat ndjesi si ne, ndjesi, që lidhen me vështirësitë e përditshme, pengesat ligjore e institucionale, por edhe një lloj irritimi të ligjëruar për shkak të të drejtave të tyre të mohuara. Prej shumë kohësh, po dëgjojmë vetëm premtime boshe dhe varfëria e kriza ku ndodhemi thellohet dita-ditës. Momentet që po kalon sot shoqëria shqiptare , e veçanërisht shtresa e personave me aftësi ndryshe, janë sa të vështira aq edhe të papërballueshme për një ekonomi si e familjeve tona. Aty ku varfëria është ulur “këmbëkryq”, ku pagat nuk mund të përballojnë çmimet, nevoja për të përkrahur ndryshimin, dhe alternativat e reja është e pashmangshme.

U bënë më shumë se 10 vjet që kjo kategori e personave me dëmtim fizik dhe pluridifekt nuk po njeh asnjë përmirësim, qoftë edhe më minimal për një jetesë sadopak dinjitoze, por gjithmonë është diskriminuar. Edhe pse qeveria shpërndau paketën e solidaritetit për shumë kategori të ndryshme personash, kujdestarët e personave me aftësi ndryshe, që nuk janë të mbuluar nga skema e sigurimeve shoqërore i la jashtë saj.

Pse nuk ndërhyri qeveria për të përkrahur këta individë, dhe kujdestarët e tyre, që bëjnë çdo ditë akte heroike për të lehtësuar jetën e të afërmve të tyre të sëmurë, ku janë të detyruar të heqin dorë nga puna dhe duke bërë sakrifica të panumërta çdo ditë?

Megjithatë, pavarësisht nga arsyet që ka qeverisja Rama për të mos e trajtuar me dinjitetin e merituar kategorinë e personave me aftësi ndryshe, ne mund të konsiderojmë si mundësi dalje nga kjo situatë vetëm fitoren e opozitës së bashkuar, pasi në të kundërt do të përjetojmë të njëjtat zhgënjime siç vijnë nga diskriminimi i bërë ndër vite ndaj kategorisë tonë.

Të drejta ligjore që janë mohuar nga qeverisja famëkeqe e këtyre viteve:

a.Përcaktimi i minimumit  jetik për këtë kategori qytetarësh
b.Kryerja e pagesave e kontributeve të sigurimeve shoqërore për 19300 ndihmës personel të personave me aftësi të kufizuara të grupit të parë, sepse ata kryejnë një akt vetëmohues në shërbimin që japin, pasi nuk mund të shkëputen asnjë moment prej tyre.

c.Udhëzimi i nxjerrjes së librezës së PAK-ut nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, është një karton që nuk ka asnjë vlerë dhe personi me aftësi të kufizuara nuk përfiton asnjë të drejtë.
d.Sigurimi falas i udhëtimit urban dhe interurban të këtyre personave.
e.Lekët e mbajtura për indeksin e çmimeve për vitet korrik 2005-gusht 2010, pasi deri tani ka pasur vetëm zvarritje dhe shtyrje duke u pranuar vetëm ata që e kanë fituar me vendim gjygji. f.Përjashtimi nga taksa e kontrollit të automjeteve, personat që disponojnë një mjet taksi deri në 2500 kubik
g.Përjashtimi nga taksa e tarifës së Universitetit, të studentëve që janë persona me aftësi të kufizuara ose kanë një prind person me aftësi të kufizuar në familje.

gj.Vendimet e Komisioneve Mjekoligjore të Caktimit të Aftësisë për Punë, për personat me aftësi të kufizuara, për të cilët dosjet janë kthyer pa grup duke u hequr bukën e gojës dhe ilaçet qindra e mijëra personave.

Pse komuniteti i personave me aftësi ndryshe, do përkrahë alternativat që ofron koalicioni “Bashkë Fitojmë”?

Ne jemi besimplotë se e ardhmja do të jetë më e mirë për të gjithë nëse do të zgjedhim sot duke menduar për veten. Duke përkrahur dhe vlerësuar alternativat që na ofron koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ne do bashkojmë forcat për të reaguar në një frymë dhe në një mendje kundër rregjimit të deritanishëm, që i ka kthyer zyrat e bashkisë dhe të çdo institucioni tjetër në prona vetjake e në mekanizma për të shtypur, vjedhur, nëpërkëmbur deri edhe shtresat më vunerabël të shoqërisë. Në të gjitha njësitë administrative të Shqipërisë, së bashku do të jemi unison dhe të palëkundur në mbështetje të kandidatëve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, sepse koha nuk pret, ne nuk mund të provojmë për dhjetëra herë mashtrimin e kësaj qeverisje të helmatisur që na ofrohet si “parajsa” e zhvillimit ekonomik e social. Ne do të jemi të gjithë bashkë për të mbështetur njëri-tjetrin dhe do t’i themi “MJAFT” diskriminimit dhe padrejtësisë, duke vendosur veton popullore kundër “uraganit të shkatërrimit qeveritar”.