Zamira Çavo/ Koha për të folur troç

511
Sigal

Unë nuk e di nëse vërtetë z. Kukan ia ka thënë Bashës këtë fjalë, por jam e bindur që e ka menduar. Ai dhe të gjithë të tjerët që kanë ardhur në Shqipëri kanë parë se si, pasi largohen nga takimi me politikanët shqiptarë, e vërteta e tyre shndërrohet në “të vërtetën” e atij që flet e që çdo herë jo vetëm mund të jetë një gjysmë e vërtetë, por mund të jetë dhe një gënjeshtër e madhe.

-Tell the truth z. Basha! Mjaft me sharje, shpifje e mashtrime halabakësh! Mjaft me përdorimin e “ndërkombëtarëve” me buzëqeshjen e tyre të stampuar në shtrëngime duarsh! Ndryshe flisni me ta e ndryshe i ktheheni opinionit publik. Deri kur do talleni me shqiptarët. Tell the truth, z. Basha dhe thuaju shqiptarëve se pa u larguar Berisha nga politika nuk ka për të patur të vërteta të Partisë Demokratike. Nëse vërtetë e mendon veten Lider, Tell the truth dhe rindërtoje PD-në në interes të Shqipërisë dhe jo të interesave meskine të Berishës.
-Tell the truth z. Rama! Mjaft u fshehët pas ndërkombëtarëve që “ju mbështesin” vetëm ju! Mjaft i gënjyet shqiptarët për gjendjen e tyre. Unë besoj se ju nuk e shihni të “vërtetën” e gjendjes së shqiptarëve, se nëse e shihni por mundoheni ta fshihni ky është një krim! Tell the truth dhe thuaju hapur shqiptarëve se gabove me ata që mblodhe rreth vetes, gabove me administratën publike, gabove me Saliun dhe kastën e politikanëve që e zhytën në errësirë Shqipërinë.
-Tell the truth z. President! Nëse e ke vështirë të thuash të vërtetën për atë çka po i bën vendit, të paktën hesht e mos e shndërro institucionin e lartë të presidentit në një institucion mashtrues e përçarës!
Tell the truth, zotërinj ambasadorë! Në përpjekjet tuaja për të “zgjidhur” problemet “Made in Albania”, ju më shumë keni fshehur të vërteta ose keni thënë vetëm gjysmë e tyre. Ju jeni po aq përgjegjës për gjendjen ku ndodhemi, sepse ju na keni servirur gjysmë të vërtetat. Dhe nuk ka vend këtu për tu fshehur pas gjuhës diplomatike. Nuk ka diplomaci në botë që dikton mbi një vend sovran ashtu si po diktoni ju! Dhe unë nuk them se po cenoni sovranitetin. Jo! Unë kërkoj të thoni të vërteta dhe këto me zë të lartë!
-Tell dhe truth, Media! Boll u qurravitët pas interesave të pronarëve që gjithnjë kanë lëvizur sipas së “vërtetës” së xhepit të tyre pa pyetur për Shqipërinë. Mjaft thatë të pavërteta ose gjysmë të vërteta! Ju jeni po aq fajtorë sa politika për udhëkryqin që kemi përpara! Boll e vratë opinionin publik!
-Tell the truth shoqëri civile! Nëse vërtetë e quani vetën qytetar mos u përdorni politikisht e mjaft gënjyet për “të vërteta” që janë vetëm “të vërtetat tuaja dhe jo të shqiptarëve!