Fshati qeveris qytetin…

827
Nga AGIM JAZAJ 
Një emigrant i sapoardhur këto ditë, kish shkuar në një ndër zyrat e bashkisë së tij, në Vlorë për të marrë një shërbim, po kishte marrë me vete vargjet e hershme të madhit, poetit dhe ish kryebashkiaku të parë të Vlorës, Ali Asllani:
***
“Shyqyr zotit, s’ka më mirë,
Lumturi dhe bukuri,
Dhe kur vjen e ju qan hallin,
Varni buz’ edhe turi”! 
Kur pa që nëpunësja po i nxirrten pengesa, yçkëla të njëpasnjëshme, e kapardisur këmbë mbi këmbë, me syzet e diellit në majë të kokës, me një mosëpërfillje dhe kapadaillëk, deri duke treguar, se këtu jam unë, pa e ditur dhe fare, pa e njohur se çdokush në zyrat e shtetit është shërbëtor, qiraxhi, ndonëse disa e shumë si këta e quajnë, se: janë pronarë në zyrat e shtetit! 
I gjendur mes mungësës së vullnetit, të cilin “s‘e kam ndeshur as në vendin e huaj, përkundrazi edhe atje gjendemi, pritemi dhe përcillemi me ndjeshmërinë, dhemshurisë njerëzore, madje me etikën zyrtare nga të huajt, për të huajt”- rrëfente emigranti, i bërë farmak. 
Por kjo nuk është çudia e ditës dhe e vetme…
VIJON DIALOGU
-“Po të jeni nga Vlora, të paktën na thuaj mbiemrin.
– Jo nuk jam nga Vlora – u përgjigj serbes zyrtarka. 
-“Ah, të ka zënë qymyri në Vlorë? 
-Jo – kam ardhur këtu dhe jam integruar. 
-Jeni nga “Lëvizja e Lirë”, e katapultuar zyrtare?!
Dialogu vijoi për të dalë dhe tema e ditës. 
-Jemi integruar edhe ne këtu, si ju atje në emigracion.
-Ju shkuat, emigrant në emigracion, ne migruam në vendin tonë, erdhëm në Vlorë. 
Më pastaj në korridoret e zyrave kalojnë serbes zyrtarë-zyrtarkat, taka larta. 
-Ore kush e njeh atë juristen, nga ka zbritur?
-Edhe ajo nga Shqipëria ka ardhur, nga Librazhdi në Vlorë. 
-Po ai brigadieri në komunale?
-Edhe ai nga Korça ka mbërritur, nga Shqipëria.
-Po ai, ata elektriçistët në OSHEE?
-Edhe ata nga shtatë male kaptuar kanë zbritur… 
Atje kanë marrë pronë, tokë e bagëti, kullota, këtu kanë pushtuar hapësira, janë punësuar në zyrat e shtetit. Disa kanë sjellë me vete tufën e dhive, qentë për zinxhiri dhe lopët për litari! 
Sa anakronike: Një person, nëse ka marrë tokë sipas ligjit, nuk mund të përfitojë asistencë! Dhe po ky person duhet të punojë në administratën shtetërore, të diskriminohet ai, ata që nuk kanë marrë pronë, tokë e nuk mund të përfshihen për punë, në administratën shtetërore. 
“Lëvizja e Lirë” ka zhvleftësuar vendasit! 
Kjo është çështja që bie në sy e nuk shikohet me sy, nga sy mbyllurit, politikë-bërësit, shtet drejtues-rrënuesit! 
Një miku im rreth kësaj teme, “konkurrimin, përzgjedhjen, gradimin” në administratë e kishte formuluar edhe vargjet:
Të konkurrosh,
Në administratë,
Nuk të duhen trutë,
Duhet të jesh trap!…
Këtij krahasimi, i referohen shpesh njerëzit që kanë migruar, ose e thënë shqeto nga “Lëvizja e lirë” (me kosto të shtrenjtë), referim i pa arsyeshëm dhe abuziv, të cilën e dëgjojmë shpesh, në buzëdetin e Vlorës, të zaptuar nga ardhacakët, kryesisht ata që pushtuan e ndërtuan kudo, kuturu dhe u pajisën me; “Shaban Tapinë” e “Lame tapinë”. 
Emigrimi ynë dhe migrimi juaj, nuk kanë asnjë pikë të përbashkët- vijon arsyetimin dhe krahasimin emigranti i rebeluar. Ne emigrantët, shkuam atje, por nuk i diktuam ata, të ndryshojnë, të ndikojmë dhe imponojmë në psikologjinë, mënyrën e jetesës, të administratës, nuk bëmë si të na thoshte rradakja, të zaptonim prona, buzëdetit, troje, të ngrinim shtëpi ku të mundnim. Dhe jo më të zinim zyrat e atyre- të kapardiseshim. Atje nuk mund të ngulësh një gozhdë në shtëpinë tënde, e jo më të zaptosh e pushtosh prona, të zësh e tundesh në zyra! 

Atje ka një parim thelbësor, të cilin e admirojmë, po nuk e zbatojmë ne këtu: Emigrantët kurrë nuk mund të integrohen më parë se vendasit, nuk mund të kapin zyra shtetërore, nuk mund të ndërtojnë e zaptojmë siç ndodh këtu. Nuk mund të shkojnë as në punë përpara vendasve. Nuk mund të integrohen, duke çintegruar ata, vendasit, si ka ndodhur këtu me migrimin, duke rrënuar parimet themelore, çintegruar, fyer, abuzuar e përdhosur vendasit, deri në të tilla kuota! 

Meraku i emigrantit ishte dhe mbetet: “Integrimi vjen nëpërmjet konkurrimit apo nëpërmjet korruptimit, trurit apo trapit”?!

Nëse dje në sistemin që lamë pas ishte privacion të hyje në qytet, sot ky privacion ka ndryshuar kahe për qytetarët autoktonë. 

“Mao Ce Dun Ideja”: “Fshati Rrethon Qytetin” është zëvendësuar me “Fshati Qeveris Qytetin”. Kjo psikologji e “integrimit”, nga “Lëvizja e Lirë” nuk mund të vijë, të realizohet duke integruar të ardhurit e duke çintegiruar vendasit!

Ndaj shumë vlonjatë dhe jo vetëm, e shikojnë veten të fyer nga kjo “përzgjedhje” perverse, çuditen dhe pyesin:
“Thua të kenë më shumë aftësi për të drejtuar e organizuar këta të ardhurit, nga prurjet rurale dhe me psikologji rurale?!
Të ketë defiçencë qytetaria vlonjate, të hidhet grepi përtej lumit, matanë detit, e prapa malit”?!
LËVIZJA E LIRË, ME KOSTON E SHTRENJTË
Shteti ynë ligjëron, shenjtëron të paligjshmem dhe shëmton, çligjëron të ligjshmen. Legalizon ndërtimin pa leje, nuk njeh të trashëguarën, shemb të shenjtën, historiken, memorien e kombit! 
Kjo aksiomë në këtë përzgjedhje, përligjet sepse nga ky “rasat” kap epruveta, “hazinenë”, më të përshtatshëm për t’u përdorur e keqpërdorur nga politika e grabitqarë-zullumqarëve!
Edhe Napoloni për punë të këqija, gjente njerëz të këqij! 
Ndërsa vendasit, qofshin dhe këta vlonjatë, janë paksa të ndjeshëm për bashkëqytetarët e tyre, janë të privuar të bëjnë zullume mbi bashkëqytetarët, por dhe mbi të ardhurit nga “Lëvizja e lirë”! Migratorët kanë braktisur, lënë bosh zonat e banuara, pa shfrytëzuar resurset dhe mbi populluan këto qytete, sa mezi merr frymë! Dëmi është i shumëfishtë: Andej shkretuan, këtej shëmtuan e shkatërruan! Një lloj sikur; Gotës t”i hidhnim bidonin e ujit!
Kjo është politikë – rrumpalla 27-vjeçare e zhvillimit pa busull e prognozë, e cila ka sjellë të sigurtë pasigurinë e nesërme! *Ka mbi 60 vite kur shkelte në Austri, në gjithë vendet e Europës, ish-shoferi i eksportit Bego Sinanaj. Dhe sot ai kujton me dhimbje kur sheh Vlorën e tij, teksa pimë kafen te Servet Aliko, këtë katrahurë me pallatet 12-të e 15-të katëshe, të zënë frymën. Me gjithë këtë mbipopullim: Mbi 6000 apartamente, e thënë nga gjuha zyrtare, rrinë e shullëhen në diell, pa llogaritur ata të mbyllur, dyqanet qepen-mbyllur me mijëra në katet e para, shikojnë me sytë përpjetë. Dhe… kur mendon e shikon atë zbrazje andej nga fshatrat e qytetet e tjerë, përballë kësaj ngjeshjeje, sa të mos marrësh dot as frymë në Vlorë, heq në shpirt miku ynë i çmuar. “Atje nuk mund të lihej asnjë vend, territor pa u banuar, asnjë pëllëmbë tokë pa u punuar, asnjë cep i vendit pa u zhvilluar”, edhe në mal, në fushë, në fshat. “Ky “zhvillim”, te ne i thënçin, me mbipopullim e shpopullim, zbrazësi= babëzi, shtojnë vuajtjet, krizën e sotme dhe hatanë e nesërme, sepse politikat evropiane, ku synojmë të shkojmë ne me busullën e thyer, për zhvillimin ekonomike të vendit; kanë prognozë! Programojnë, jo vetëm për sot e nesër, jo në disa qytetet bregdetare, por në çdo cep të vendit; shikim largët dhe afatgjatë! 
Sigal