Rinis normalisht puna në pikën kufitare të Kapshticës

538
Mëngjesin e së hënës ka rifilluar normalisht puna në pikën kufitare të Kapshticës, pas një ndërprerjeje 72-orëshe për shkak të grevës së palës greke. Pala shqiptare punon me 3 sportele, ndërsa ajo greke punon me 2 sportele. Nëpunësit e doganave të të gjithë Greqisë nisën të premten një grevë 24-orëshe, e cila u pasua me një grevë tjetër 48-orëshe.
Doganierët grekë kanë përshkallëzuar lëvizjet e tyre në shenjë proteste ndaj projektligjit që kërkon të aprovojë qeveria, për të krijuar një Autoritet të Pavarur për Sekretariatin e Përgjithshëm të të Ardhurave Publike, që do të përfshijë edhe doganat. Ata kërkojnë anulimin e projektligjit për “Organizimin dhe funksionimin e pikave kufitare tokësore”, si dhe transferimin e mekanizmit të mbledhjes së taksave jashtë Ministrisë së Financave. Greva shkaktoi probleme në qarkullimin e shtetasve shqiptarë, apo emigrantëve që lëvizin në 4 pikat kufitare me Greqinë: Kapshtica, Kakavija, Qafë-Bota dhe Tre Urat.
Sigal