Xhevat MUSTAFA/ Vend i vogël, paradokse të mëdha

665
Sigal

Shqipëria me as 3 milionë banorë, ka 59 institucione të arsimit të lartë, 15 publike dhe 44 private dhe rreth 162.000 studentë. Vendi ynë ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1000 banorë, shifër kjo gati tetë herë më e lartë se Britania e Madhe…Gjermania me rreth 82.5 milionë banorë ka vetëm 13 universitete private dhe institucione të ngjashme të arsimit të lartë.

Gjeografikisht dhe sipas statistikave jemi një vend me sipërfaqe dhe popullsi të vogël. Por, për fat të keq apo të mirë, ndoshta jemi edhe vendi më i pasur me paradokse të mëdha. Disa janë nga më të çuditshmet dhe të pashpjegueshmet dhe disa na nxjerrin “lakuriq” ose ashtu siç jemi në të vërtetë, para njeri-tjetrit dhe para botës.

Le ta fillojmë konkretizimin e kësaj dukurie apo tradite allashqiptarçe me pasuritë nëntokësore që ka vendi ynë. Sipas shumë burimeve të mirinformuara, mes të cilëve është edhe Prof. Sokol Mati, autor i librit “Zhvillimi i qëndrueshëm i veprimtarive minerare në Shqipëri”, rezervat minerale tashmë të zbuluara në vend llogariten në rreth 4.5 miliardë ton në total. Po sipas tij, nëntoka jonë mban në gjirin e saj 61 minerale, mes tyre edhe disa tejet të kërkuar dhe me çmime të larta në tregjet ndërkombëtare. Paradoksi është se vetëm pak prej tyre kemi mundur t’i shfrytëzojmë. Fjala është për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, por, tani për tani e s’dihet se deri kur, nuk mund të flitet për industri nxjerrëse dhe përpunuese të tyre në standarde moderne e bashkëkohore dhe me dobi shumëplanëshe dhe afatgjatë. Të tjerë minerale janë lënë krejt në harresë e shumë prej tyre nuk e dimë (apo nuk duam t’ia dimë) nëse  ekzistojnë në nëntokën apo nën këmbët tona, si titaniumi ( me rreth 130 milionë ton rezerva), uraniumi (rreth 29.000 ton rezerva), etj.

Nga të dhënat e deklaruara disa herë edhe në Parlament apo në media, pranohet se në Shqipëri janë rreth 30 milionë ton rezerva nafte nëntokë, të shfrytëzueshme aktualisht. Por ekspertët kanë vlerësuar se vendi ynë ka në total 480 milionë ton rezerva apo 5-6 miliardë fuçi. Në një studim të publikuar në një nga ditët e fundit të muajit shkurt 2014, në portalin më të madh financiar të Kanadasë, “Oil and Gas Investments”, thuhet se vetëm rezervat e naftës në zonën e Shpiragut mund të arrijnë nga 500 deri në 800 milionë fuçi.

Sipas të dhënave statistikore nga AKBN, pellgu naftëmbajtës Patos-Marinëz, me kapacitetin e prodhimit 7.7 milionë fuçi nafte në vit, konsiderohet si burimi më i madh i  naftës në të gjithë Europën. Në vitin 2013 eksporti i naftës bruto u rrit në 36%, krahasuar me vitin  2012, duke shkuar në rreth 1.3  milion ton naftë e eksportuar. Paradoksi bëhet tronditës dhe akuzues kur edhe nga nafta kemi pasur  efektivitet  të ulët në dobi të bërjes së Shqipërisë një vend me mirëqenie të lartë, fuqi të madhe  industriale, ekonomike, financiare, ose thënë ndryshe, Zvicër, Kuvajt apo Katar i Ballkanit.                                                                                                                                                        Paradoks mund të quhet edhe fakti se kemi kapacitete shumë të mëdha për turizëm të standardeve më të përparuara gjatë gjithë vitit dhe shfrytëzim të ulët të tyre. Është llogaritur se vetëm në këtë sektor mund të punësoheshin ndoshta edhe 1 milionë qytetarë e mund të siguroheshin rreth 2 miliardë euro në vit, ndërsa aktualisht janë rreth 140 mijë të punësuar dhe sigurohen vetëm rreth 1 miliardë euro.                                                                                                                                          Një paradoks tjetër e gjejmë në fushën e arsimit. Sipas raportit të Parë të Komisionit për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor, publikuar në 29 prill 2014, Shqipëria me as 3 milionë banorë ka 59 institucione të arsimit të lartë, 15 publike dhe 44 private dhe rreth 162.000 studentë. Vendi ynë ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1000 banorë, shifër kjo gati tetë herë më e lartë se Britania e Madhe, e njohur për universitete me standard të lartë ndërkombëtar dhe frekuentim masiv nga studentë nga vende të tjera të botës, duke përfshirë edhe bij e bija të politikanëve dhe biznesmenëve nga Shqipëria jonë. Gjermania, me rreth 82.5 milionë banorë e që është fuqia e parë ekonomike në Evropë,  ka vetëm 13 universitete private dhe institucione të ngjashme të arsimit të lartë. Paradoksi në këtë fushë shtohet e rëndohet kur mendon se tek ne ky superprodhim universitetesh dhe diplomash nuk ka sjellë konkurrencë dhe cilësi më të lartë, por në të kundërtën, pazar notash e diplomash dhe plot të diplomuar që nuk dinë mirë as gjuhën shqipe dhe as gjysmën e njohurive të domosdoshme të profesionit. Paradoksi i radhës gjendet lehtësisht në fushën e politikës dhe të qeverisjeve. Edhe pse jemi një vend me krizën ekonomiko-financiare në prag të derës, dhe rrethuar nga vende në krizë, për kapriço, eksperiment, aventurë apo paradoks, tek ne qeverisja e vendit u lihet në dorë disa “diletantëve” apo “studentëve” në fushën e qeverisjes qendrore, ndryshe nga vendet më të zhvilluara, që në këtë kohë krize kanë qeveri me ekspertë të sprovuar e me “profesorë”. Edhe pse jemi një vend me përqindjen më të lartë në rajon dhe më gjerë të qytetarëve që e dëshirojnë dhe e kërkojnë marrjen e këtij statusi, për çudi, paradoks, papërgjegjshmëri apo për interesa dhe llogari ngushtësisht personale apo ortakërore, jo pak vetë në gjirin e klasës sonë politike shprehin në Tiranë e në Bruksel nivel të ulët konsensusi, interesimi dhe veprimi konkret  për të përmbushur këtë dëshirë mbarëqytetare e mbarëkombëtare.                                                                                                                                                 Një paradoks tjetër mund ta gjejmë në fushën e pagave. Paga mesatare e një deputeti tek ne është rreth 150.000 lekë në muaj, me 6.800 lekë dita e punës për 22 ditë në muaj. Një ministër merr edhe më shumë. Sipas vendimit të Qeverisë Rama, nga data 1 janari 2014, paga minimale mujore e një punonjësi të thjeshtë, nga data 1.1.2014 është  jo më pak se 19. 026  lekë, pra, rreth 7 -8 herë më e ulët se një deputeti apo ministri.                                                                                                                   Sipas një informacioni publikuar në mediat tona më dt. 29 gusht 2012, lidhur me pagat e disa guvernatorëve të bankave, në krye të listës, qëndronte Mervin King, guvernatori i Bankës së Anglisë, i cili paguhej 12.4 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare të një qytetari britanik. Paradoksalisht apo ironikisht Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, rezultonte i dyti. Të ardhurat që ai siguron nga paga e tij vjetore dhe honorarët në Këshillin Mbikëqyrës janë rreth 100 mijë dollarë, ose 11.7 herë më të larta se sa të ardhurat mesatare të një punonjësi të thjeshtë në Shqipëri. Llogaritur ndryshe, paga e tij është e madhe se shuma e përbashkët e pagave të Presidentit Nishani, Kryeministrit Rama, Kryetarit të Kuvendit Meta, zv.kryeministrave Cani dhe Peleshi dhe e një ministri.                                                                                                                    Duke mbetur po tek qeveria, një paradoks fare të freskët na e jep ajo vetë, me historinë e avionit me drogë që ngeci në rërën e Divjakës, më 10 maj 2014. Kapja e rastësishme e dy trafikantëve me kilogramë drogë u nxitua të reklamohej nga ministri Sajmir Tahiri dhe kryeministri Rama si sukses i radhës i policisë. Në të njëjtën kohë e për paradoks, po ata kanë “harruar” të pranojnë me sinqeritet se kapja e maunave me tonelata drogë Lazarati në Itali, Greqi, Gjermani, duhet t’i regjistrohet po policisë, kryeshefit të saj dhe ministrit Tahiri, si dështim e skandal i radhës, pa përjashtuar edhe mesazhe ortakërie apo të mbylljes së syve të ballit e të kamerave nga ndonjë segment. Paradoksal është edhe qëndrimi i disa figurave të opozitës, që sikur “harrojnë” se Lazarati dhe trafiku i drogës, edhe pse jo në përmasat dhe me lirshmërinë e këtyre 5 muajve të parë të vitit 2014, kanë lulëzuar edhe në kohën e qeverisjeve PD-PR apo PD-LSI-PR.                                                                                                                                 Gjatë viteve 2005-213 kemi ndërtuar “Autostradën e Kombit” dhe segmente të tjera autostradash, në qytete të Jugut. Por, thuajse në të njëjtën periudhë, po me duar shqiptarësh, si në një inskenim modern të legjendës së Rozafës, janë shkatërruar segmente të tërë në sistemin e qarkullimit hekurudhor, duke u shitur shinat për skrap, ashtu si shumë kapakë pusetash, shtylla metalike të tensionit të lartë, breza anësore dhe vida të tyre në Autostradë, etj., në Kombinatin Metalurgjik të Kompanisë turke Kurum.                                                Fatkeqësisht, lista e paradokseve shqiptare është e gjatë dhe secili nga lexuesit mund të gjejë e shtojë të tjera, sipas vizionit dhe gjykimit të tij. Por, edhe kaq sa paraqitëm, mjaftojnë për të menduar apo thënë se Shqipëria është vendi i paradokseve.