Xhevat Mustafa: Edi Rama i di dhe ban të tana…

170
Sigal

Merret me mend se Edi Rama, duke i ditur dhe kuptuar të tana, nuk është i sinqertë apo bën kryepolitikanin socialist kur thotë se “nuk e kupton përse ikin shqiptarët nga ky vend, ku nuk u mungon asgjë” apo i kanë të tëra.

Këto javët e fundit ish basketbollisti, piktori, kryeministri Edi Rama është zhytur edhe në moçalin e gazetarisë televizive! Pra, i ka mbushur mendjen vetes se mund të bëjë edhe më mirë se shumica e gazetarëve në radio- televizione edhe profesionin apo punën e gazetarit- intervistues. Për komunikimin e tij me popullin nëpërmjet podcastit, rubrikën e tij ai e ka titulluar “FLASIM”. Duket i menduar mirë dhe përzgjedhur hollë ky emërtim, me shumë fije, të dukshme e të padukshme, i lidhur me realitetin apo aktualitetin shqiptar…Në këto afro 10 vjet të qeverisjes së tij shumicës së shqiptarëve, në të vërtetë, në jetë, u ka mbetur më shumë kohë për të folur e fjetur se sa për të menduar dhe punuar për të mirën e vetes, familjeve, vendit…Ose, në mënyrë figurative e me një dozë humori të hidhur, fjalamania apo llogjemania është bërë si “sporti më popullor” në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit. Kështu shqiptarët flasin apo bëjnë llogje për shumë orë nëpër kafene e pijetore, nëpër sallone ministrishë, drejtorishë të përgjithshme, agjensishë. prefekturash, bashkishë, hipotekash, spitalesh publike dhe private, universitetesh publike dhe private; komisaritesh të policisë; gjykatash dhe prokurorishë, azilesh, burgjesh…Me qindra shikohen përditë duke folur dhe duke pritur nëpër salla pritjeje në aeroportet “Nënë Tereza”, të Kukësit, Prishtinës, Strugës…për të ikur si emigrantë në vende të Europës Perendimore, me flukse më të mëdha sidomos në Gjermani dhe Angli…Por, jo pak flasin pa u lodhur dhe shpesh edhe me zë të lartë e zemërim të papërmbajtur, gati për t’u sherrosur, edhe nëpër bordura trotuaresh, nëpër stola lulishtesh, përreth tavolinave të betonta duke luajtur domino, me letra bixhozi, “luaj e mos u nxe”, duke mbushur fjalëkryqe…Jo pak shikohen të skuqur nga zemërimi gjatë debateve për partitë dhe kryetarët e zemrës, duke shprehur mendime  për fatin e luftës Ukrainë-Rusi; të procesit të hetimeve për skandalin Charls McGonigal- Edi Rama; të kandidaturave për presidentë të Biden-it dhe Trumpit…dhe duke harruar të qajnë me oiiiiii deri në kupë të qiellit 1001 hallet e veta dhe të gjithë Shqipërisë e të kombit…Qysh nga ora 14.00 deri sa i mbërthen gjumi, janë me qindra mijëra, sidomos nga bota femërore, që ngujohen para ekraneve të televizorëve, duke ndjekur gojëhapur dhe me lotë në sy telenovela turke, në të cilat shumica e minutazhit zhvillohet nëpër varreza, burgje, spitale dhe me aktorët që më shumë bëjnë intriga e pabesira, përleshje deri në përgjakje, qajnë e të bëjnë për të qarë se sa qeshin e të bëjnë për të qeshur. Pra, që me ato skena sentimentalizmi e dhune, ndikojnë për t’u shtuar shikuesve dozat e depresionit, stresit, pesimizmit, dhunës, të cilat këtu në Shqipërinë e këtyre viteve janë me bollëk e të larta, deri në nivelin e Kodrës së Surrelit…Kështu që lihen arësye të forta të mendohet edhe se një nga qëllimet e këtij titulli mund të jetë “të folurit në vend të revoltuarit dhe të protestuarit në sheshe”! Këtë dyshim ta përforcon kujtesa. Jo rastësisht, sheshet dhe trotuaret, sidomos në Tiranë, janë të mbushur me kameramanë dhe mikrofonistë televizionesh, që i kanë lemerisur shumë qytetarë duke iu lutur për të folur e vetëm për të folur, qoftë edhe rroma për toma apo si “e ëma e Zeqos në majë të thanës”.  E folmja pa doganë e asnjë rezervë, pa kulturë, edukatë lulëzoi për rreth 3 muaj tek Big Brother. Është e përnatshme tek rubrika Opinione në të gjithë rrjetin e televizioneve, ku, shumica e “opinionistëve të pavarur” flasin sipas direktivave nga lart…., por edhe nga afër e nga larg. Qëllimi apo mesazhi i nënkuptueshëm: shqiptarë flisni, vetëm flisni, por jo për ato që ju mungojnë e shqetësojnë, që ëndërroni dhe dëshironi! Flisni sa të ngjireni, por vetëm mos mbushni sheshet me protesta të dhunshme si në Athinë, në Paris, Romë, Pragë, në Colombo e Sri Jayewardenepura të Sri Lankës…!
Nga sa është parë e dëgjuar deri sot Edi Rama ka parapërgatitur një listë me ata që do të peshkonte për intervista në podcastin kryeministror! Merret me mend se kjo listë është pasuruar me emra të rinj, të parapëlqyer e të përzgjedhur prej tij për nga shumë cilësi, këndvështrime, spikatje, merita…!Mbi të gjitha, që ta presin me kënaqësi e mirënjohje ftesën e tij dhe t’i jenë mirënjohës për nderin e madh që u bën…! Kështu pra, duke kujtuar se ka si dashuri të parë pikturën dhe ekspozitat, si të dytë në këtë periudhë gazetarinë, mbetet që detyra e kryeministrit të ketë rënë poshtë, në vend të tretë! Duke nënkuptuar se ai ka edhe pushtete e funksione të tjerë, përfshirë edhe të njërit prej drejtuesve të Internacionales Socialiste e të “Ballkanit të hapur”, mund të mendohet se detyra e kryetarit të PS- së të ketë mbetur në fund fare ose të ketë dalë pas liste. E kjo “gjëmë” në renditjen e përparësive vendore e ndërkombëtare të Edi Ramës ndodh në këtë kohë kur vendi është në mes të një lëmshi krizash, me tregues që e rendisin nga fundi i listave europiane për nivelet e zhvillimit, të pagave, pensioneve, asistencës sociale, mirëqenies! Në të kundërt, në vendet e para për të këqia, për rritje varfërie, çmimesh, për korrupsion, trafiqe drogërash, pastrim parashë të pista, emigracion, kriminalitet…! Megjithë këto që po përjetojnë shumica e popullit dhe që na tregojnë apo përplasin fytyrave këto klasifikime europiane e botërore, Edi Rama me shumë pasione, profesione, detyra, barra…, nuk e paska kuptuar as pas gati 10 vjetësh se “përse e braktisin Shqipërinë shumë shqiptarë, kryesisht të moshave të reja, kur sipas tij ” këtu nuk u mungon asgjë”??? Domethënë që i paskemi të gjitha të mirat e Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë…”. Merret me mend se Edi Rama, duke i ditur dhe kuptuar të tana, nuk është i sinqertë apo bën kryepolitikanin socialist kur thotë se “ nuk e kupton përse ikin shqiptarët nga ky vend, ku nuk u mungon asgjë” apo i kanë të tëra. Pra, ai e di fare mirë se ne si shumicë e popullit, në këtë vend të vogël, kemi mungesa të shumta e të mëdha. Duke i përmbledhur, këtu mungojnë: POPULLI ME NIVEL MESATAR TË STANDARTIT TË BE-së EMANCIPIMI KULTUROR, QYTETAR, DEMOKRATIK; SHTETI LIGJOR E SOCIAL VEPRUES; QEVERISJA EFEKTIVE DHE E PAKORRUPTUAR, MIRËQENIA MASIVE, DEMOKRACIA E VËRTETË, DREJTËSIA E PAVARUR, ZGJEDHJET E NDERSHME…! Ohu, lista e mungesave tona në të gjitha fushat apo frontet është e gjatë, edhe më e gjatë se shtati i vetë Edi Ramës, në kohën kur ishte në fushat e basketbollit, në Pallate Sportesh apo në natyrë, shtruar me pluhur tullash me ngjyrën e flamurit të PS-së  apo me qymyr…  !                                                                                                                                    Ndoshta kjo paaftësi apo pamundësi e tij për të kuptuar këtë “sekret”, që e kuptojnë edhe foshnjet sapo dalin në jetë në maternitet, vjen si rrjedhojë e mbingarkesës së tij me shumë pasione, funksione, detyra, pushtete…?! Ç’na mbetet në këto kushte ne shumicës së qytetarëve jashtë vëmendjes dhe listës kryeministrore për t’u intervistuar prej tij? Vetëm një zgjidhje e një mundësi: t’i kujtojmë Edi Ramës se detyra e tij e parë, kryesore, mbi të gjitha detyrat dhe pasionet,  është ajo e KRYEMINISTRIT! Kështu që atij i mbetet të mendohet mirë e të zgjedhë se cilën do të sakrifikojë e cilës do t’i kushtojë të gjitha forcat, energjitë, djersët, kohën…! Kuptohet, pa i kërkuar dhe pritur prej tij të bëjë mrekullira, por që ta kryej funksionin e kryeministrit me aq sa ka dijeni, aftësi e mundësi…Se fundja, dihet, është i diplomuar si piktor e jo si ekonomist-financier, si jurist, si inxhinier, si informaticien apo elektronicien…,siç i kanë kryeministrat shumica e vendeve të botës me nivele shumë më të larta zhvillimi dhe mirëqenieje se sa Shqipëria. Kuptohet fare lehtë, se aspak rastësisht, por për këto aventura, eksperimente, çudira, marrëzira…, që ka bërë dhe bën me fatet dhe qeverisjen e vendit, Shqipëria ka mbetur prej mbi 78 vjetësh nga fundi i listave europiane për nga këta tregues!!!???

Mesazhi i nënkuptueshëm: shqiptarë flisni, vetëm flisni, por jo për ato që ju mungojnë e shqetësojnë! Flisni sa të ngjireni, por vetëm mos mbushni sheshet me protesta të dhunshme si në Athinë, në Paris, Romë…!protesta të dhunshme si në Athinë, në Paris, Romë…!