Tensionet në veri, reagon KFOR: 25 ushtarë të plagosur nga përplasjet me protestuesit

119
Sigal

Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, bëri të ditur misioni përmes një njoftimi për media.

“Duke iu kundërvënë turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, thuhet në njoftim.

Tensionet në veri, reagon KFOR: 25 ushtarë të plagosur nga

Sipas KFOR-it, ushtarët janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore dhe aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.

Ata bënë të ditur se pasditen e së hënës, njësitet e KFOR-it janë dërguar në 4 komunat e veriut të Kosovës “për të frenuar demonstratat e dhunshme të ndodhura pasi kryetarët e sapozgjedhur ditëve të fundit tentuan të marrin detyrën”.

Nga KFOR-i thanë se komandanti i misionit, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, personalisht po e përcjell zhvillimin e situatës.“Ai theksoi se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

Edhe Aleanca Ushtarake e NATO-s dënoi sulmet kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës.

Përmes një deklarate, Aleanca tha se “sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme”.

Tensionet në veri, reagon KFOR: 25 ushtarë të plagosur nga

“Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog”, tha Aleanca përmes një postimi në ueb-faqen zyrtare.

Në këtë postim u nënvizua se KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe se “do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”.

Disa pjesëtarë të lënduar të KFOR-it janë parë në rrugë të Zveçanit pas intervenimit për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan.
Misioni ndërhyri pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndaheshin, por ata nuk u bindën.

Gaz lotsjellës, zjarr dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjohen edhe sirena dhe shpërthime.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.

Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Tensionet në veri, reagon KFOR: 25 ushtarë të plagosur nga

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL