Xheladin Çelmeta/ “Rrethimi i dytë” i heronjve

605
Sigal

*Kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”

 Dje, mbylli punimet në Tiranë, Kuvendi i 5-të i Organizatës Kombëtarëve të Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut. Në shumë vite aktivitet, degët e kësaj organizate nëpër rrethe, janë angazhuar intensivisht për mbajtjen gjallë të frymës dhe mesazheve që përcjell ndër breza lufta antifashiste nacional-çlirimtare e popullit shqiptar, si dhe mbrojtja e vlerave të patjetërsueshme të kësaj lufte, përballë përpjekjeve të here pas hershme, që bëhen nga disa pseudo historian, për ta mohuar apo deformuar krejtësisht atë. Veteranët e Shqipërisë, pasardhës të dëshmorëve të këtij vendi, nipër e mbesa, që brenda koshiencës së tyre kërkojnë të mbrojnë me fanatizëm vlerat e LANÇ-it, kanë arsye të ndjehen krenarë me veprën e dëshmorëve e heronjve. Ndaj dhe iu rrinë si “shërbyes” fanatikë të tyre. Ashtu siç krenohen veteranët e qytetarët amerikanë, kanadezë, francezë, britanikë, etj, sa herë që përkujtojnë data të rëndësishme historike; si, për shembull zbarkimi në Normandi, që simbolizon operacionin më të madh në historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe njëkohësisht edhe vetë finalizimin e fitores së Koalicionit Antifashist Botëror, kundër mortajës nazi-fashiste… Shqipëria u rreshtua në anën e fitimtarëve të këtij koalicioni të madh botëror, në saje të luftës së bijve e bijave të saj; të 28 mijë dëshmorëve, që dhanë jetën për lirinë e vendit. Në fjalën e tij, kryetari i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve, Dr. Gergj Velo, mes të tjerash ngriti shqetësimin për indiferencën e dukshme të instancave shtetërore, në përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore për Statusin e familjeve të dëshmorëve, si dhe për mirëmbajtjen e simboleve të LANÇ-it, përgjatë 23 viteve demokraci. Ai theksoi mes të tjerash një farë “diskordancë” mes asaj që thotë ligji dhe asaj që ndodh realisht në terren lidhur me detyrën e mirë trajtimit e mirëmbajtjes së simboleve të LANÇ. Nisur nga ky këndvështrim, rasti i zhvendosjes së monumentit të “5 Heronjve të Vigut”, nga qendra e qytetit të Shkodrës, në periferi; në mes të plehrave, është unikal në Shqipëri. Por degët e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve nëpër rrethe kanë raportuar edhe raste të tjera të indiferentizmit të instancave të pushtetit të djeshëm lidhur me aspekte të kësaj natyre. Anëtarësia e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut është në fakt një formacion vullnetarësh të pasionuar, kryesisht njerëz në moshë të thyer, shumë nga ata; ish-kolegë të atyre që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë e sovrane. Ata bëjnë një punë shumë të dobishme për propagandimin e vlerave të LANÇ. Nuk bëjnë më si dikur “biseda” nëpër shkolla, sepse këtë gjë atyre ua ndalon ligji, edhe pse e dinë që ky “moslejim” është në fakt një paradoks, pasi organizata e dëshmorëve nuk është një grupim partiak, por një grupim patriotiko-atdhetar. Veteranët tanë botojnë libra me qindarkat e pensioneve të tyre mjerane, vetëm e vetëm që të mbahet gjallë fryma e idealeve të dëshmorëve të Atdheut. Krenaria është “pasuria më e madhe” që kanë. I sheh përditë teksa mblidhen; të veshur me kujdes, disa edhe me bastun kur ecin. Preferojnë të pinë bashkërisht kafen e mëngjesit… Vijnë përditë nëpër “qendrat e tyre të punës” (kështu i quajnë kafenetë me çmime të lira) nëpër lagjet e Tiranës në orare fikse. Dhe po në orare fikse largohen prej andej “pasi ndajnë detyrat”. Thua se marrin rroga për këtë ritual të përditshëm… Në vatrat e tyre familjare, pasditeve apo darkave, jo rrallë, “me marifet” arrijnë të sfidojnë indiferentizmin e adoleshentëve; të nipërve e mbesave të tyre, duke u folur me zjarr për heronjtë dhe dëshmorët. Arrijnë edhe t’u zgjojnë krenarinë legjitime. Madje ndodh edhe që ti anëtarësojnë në organizatën e dëshmorëve (natyrisht, me vullnetin e tyre). Një pasion e përkushtim vërtetë i pashembullt. Të bindur qind për qind, se po bëjnë kështu një punë heroike… Të jetosh mes tyre, do të thotë të kuptosh shqetësimin e përditshëm që kanë veteranët tanë. Ku u prish një pllakë kujtimore e luftës? Ku u dëmtua një lapidar nga ndonjë individ i papërgjegjshëm? Në këto 23 vjet demokraci, raste të tilla fatkeqësisht ka patur plot. Veteranët janë “antenat e përgjimit” për t’i denoncuar këto prapësi. Për lapidarët e pa mirëmbajtur nëpër Shqipëri, sipas zonave që mbulojnë, ata nuk përtojnë të ndeshen me pushtetarë vendorë, të cilët shpesh ndodh t’ua kthejnë shpesh edhe pa takt: “Aman ore, edhe ju, me këto lapidarët…. Po këto janë punë që presin, de… Ne na zien koka për hallin e pensioneve, …të asistencave për qytetarët, kurse ju…, “batha-batha po një kokërr”(!). Po ata sërish nuk dekurajohen, nuk zemërohen. Dhe më tej; nuk rrinë me duar në xhepa. Madje ndërmarrin edhe nisma kurajoze. “Si?”,- do thoni ju? Ja, ashtu, duke ju “drejtuar” xhepave të tyre. Me monedhat e kursyera. Kështu ka bërë Sefer Boja, nga Kruja, 84 vjeç; edhe vetë, bir dëshmori, i cili me lekët e tij të xhepit, rikonstruktoi memorialin e dëshmorëve në këtë rreth. Kështu ka bërë edhe Meleq Hysenbelliu në Skrapar, i cili me kursimet e pensionit, rikonstruktoi pllakën e dëshmorëve të një komune në jug. Me lekët e pensionit të një viti të tërë e kreu këtë punë. Kështu kanë bërë edhe të tjerë shokë të tyre… Dhe janë modestë. Kurrë nuk “rrahin gjoksin”….

Ku janë heronjtë?!

E ndërsa anëtarët e Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut e quajnë detyrë të përhershme ruajtjen e vlerave të LANÇ, ruajtjen e simboleve, të varrezave të dëshmorëve, të lapidarëve e memorialëve, në një kohë kur vendi ka jo pak probleme  sociale, vetë heronjtë e dëshmorët tanë aktualisht vazhdojnë të përjetojnë “rrethimin e dytë”(rrethimin e parë, atë në luftë kundër pushtuesve fashistë, ata e çanë me sukses, deri sa edhe u sakrifikuan, derdhën gjakun për lirinë). Kurse ky tjetri, është një rrethim i një tjetër lloji. Jo thjeshtë “rrethim” nga indiferentizmi i shoqërisë, (që duket se është vërtetë një realitet i pakëndshëm), por rrethim real; rrethim me llaç e tulla; nga ndërtimet pa kriter, nga zaptimet e territoreve ku ata janë vendosur. Ata, pra, që dikur sfiduan me heroizmin e tyre çdo lloj rrethimi, sot, të derdhur në bronz, përjetojnë rrethimin më të tmerrshëm. Kështu; “Heroi i Popullit”, Misto Mame, që për shumë kohë, mbas vitit 1990, u rrethua nga të katër anët me mur nga një firmë ndërtimi tek ish-ndërmarrja e Mjeteve Mësimore që mbante emrin e tij, tani thonë se, është “burgosur” fare: E kanë futur monumentin në një depo (!!). Justifikimi: “Me qëllim ruajtjen e tij”(!). Tjetër: “Heroi i Popullit” Vojo Kushi, (në bronz); “Dragoi që u hodh mbi tank”, vërtetë “nuk ka luajtur nga istikami” pasi ai ndodhet po aty ku ka qenë prej vitesh, tek Selvia, por nëse më parë rrezja e shikimit të vizitorit ishte e mjaftueshme për të shijuar simbolikën e tij, sot rreth e rrotull heroit pallatet shumëkatëshe i rrinë si një dekor gllabërues. Dikush mund të thotë sakaq: “Mos flisni kot, se busti në fjalë, nuk është prekur fare, dhe… referuar ligjit, askënd nuk mund të bësh fajtor”. Po. Por, pikërisht këtu “fshihet” edhe mëkati i ligjbërësve tanë: Ndoshta, vërtetë urbanistët llogaritën që monumentet e bustet e dëshmorëve të mos prekeshin, në rastet kur afër tyre ndërtohet, por ama kur ato rrethohen nga të katër anët me pallate shumëkatëshe, atëherë ç’u pa… Largohemi nga Tirana dhe shkojmë në Shkodër. Pesë Heronjtë e Vigut, vazhdojnë të dergjen mes plehrave, në periferi të qytetit edhe sot e kësaj dite. Ndërsa vetëm pak kohë më parë, familjarët e tyre bënë publike një “Letër të hapur” nëpër disa gazeta, ku i kërkonin pushtetarëve aktualë rivendosjen e monumentit atje ku ka qenë më parë: në qendër të Shkodrës. Por përveç heshtjes, familjarët e “Heronjve të Vigut”, gjë tjetër nuk po marrin. Ky është fakt që nuk do koment. Të shpresojmë që pas këtij Kuvendi të 5-të të Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, mbas publikimit të një “Rezolute” me disa pika për përmirësimin e Statusit të dëshmorit, të arrihet diçka…