73-vjeçari: Takimi dhe dekorimi nga Haxhi Lleshi në tërmetin e vitit 1967 në Dibër

670
Sigal

Rrahman Velija: Banorët e Zerqanit ishin pa bukë e veshmbathje. Munda që me shumë vështirësi, të çajë dëborën mbi 1 m e të shkoj në fshat

Atë dhjetor të vitit 1967, kur në Dibër ra tërmeti i madh e banorët jetonin nën gërmadhat e banesave e nën dëborën që kalonte një metër, Rrahman Velia që sot është 73 vjeç, ishte djalë i ri dhe ishte shofer i një prej kamionëve që afronin ndihma për banorët e goditur nga fatkeqësia natyrore. Fshatarët e Zerqanit ishin për vështirësi, deri dhe në mungesën e bukës së gojës… U tentua disa herë të udhëtohej drejt banorëve të izoluar, por nuk u arrit. Vetëm një automjet, me shumë vështirësi, duke çarë borën me zinxhirë, arriti të futet mes tyre. Atë ditë në zonë ndodhej Haxhi Lleshi dhe interesohet kush ishte personi që bëri këtë akti të jashtëzakonshëm. Ky ishte Rrahman Velia… Interesohet dhe më pas firmos e i dorëzon dekoratën shoferit të guximshëm…

Zoti Rrahman! Takimin me Haxhi Lleshin në dhjetorin e vitit 1967 ju e mbani si një nga ngjarjet më të shënuara të jetës suaj?

-Po. Ai ka qenë ndër tërmetet më të vështira që kanë rënë në më shumë se një shekull në Shqipëri, e pati dhe viktima. Unë isha shofer i një mjeti dhe punonim natë e ditë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kërcënuar nga mungesa e ushqimit, mbulesave dhe dimri i ashpër… Pothuaj të izoluar ishin banorët e Zerqanit, që ishte një nga zonat që u godit më ashpër nga tërmeti. Ishin bërë disa tentativa për të shkuar me makinë e për të çuar ndihma atje, por qe e pamundur. Për të shkuar me këmbë apo kafshë, as që bëhej fjalë, pasi dëbora ishte mbi një metër. Mora guximin e me gjithë vështirësitë, arrita t’ia dal…

Si mundët që të futeshit në fshat në ato kushte moti?

-Në fakt, kur u thashë se unë do ta provoj, drejtuesit që ishin aty e të tjerë më quajtën të marrë. Se makina nuk ishte traktor. Por unë mora guximin. Kisha punuar shumë vite si shofer  në shumë sektorë e kisha një eksperiencë të mirë. I vura zinxhirët mjetit, e me ndihmën e disa punëtorëve, metër pas metri, nëpërmjet tunelit me dëborë, arritëm t’ia dalim. Çuam ushqime, çadra e veshmbathje në fshat. Kjo i tërhoqi vëmendjen Haxhi Lleshit që ishte atëherë Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor… Ai u interesua…

Në çfarë mënyrë u interesua Haxhi Lleshi?

-Pyeti kush ishte ai shofer që mundi të shkojë në Zerqan… I kishin thënë emrin tim. Në fakt dhe unë sot habitem se si mundëm të shkojmë. Haxhiu, në këtë takim tha se unë isha hero e se duhesha dekoruar. Unë nuk e bëra për dekoratë, por mora guxim se njerëzit atje po vdisnin nga dimri…

Me çfarë u dekoroi Haxhi Lleshi?

-Ato ditë në Dibër që gjithë udhëheqja, qe Haxhiu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerët… Pas dy javësh, në një ceremoni, më dhanë dekoratën e firmosur nga Haxhiu… Atë dekoratë, unë e ruaj mes dokumenteve të tjera që kam, si një nga gjërat më të çmuara.

Përveç dekoratës së Haxhi Lleshit, patët ndonjë vlerësim tjetër?

-Jo, asnjë vlerësim tjetër. Po dekoratat në atë kohë ishin vlerësimi më i madh. E nuk jepej kot dekorata atëherë… Kam një jetë të tërë që kam punuar me përkushtim, në shumë ndërmarrje, institucione, por në fakt, nuk kam marrë ndonjë vlerësim tjetër përveç dekoratës… E kjo në fakt më dhemb… Kemi punuar me përkushtim atëherë e më vonë, jo për dekorata, por ishim të ndërgjegjshëm për punën… Ndaj, kam dhe një apel…

Cili është apeli juaj?

-Brezi i ri të dojë e të vlerësojë punën, se ajo të nxjerrë faqebardhë… Falënderoj dhe gazetën “Telegraf”, të cilën unë e blej përditë, se ju gjeni vend dhe shkruani edhe për njerëzit e thjeshtë si puna ime… Faleminderit!