Kërkesa qeverisë: Na riktheni pensionin si familje dëshmorësh!

570
Sigal

Elham Pasha: U hoq me vendim qeverie para 8 vitesh. Rama na premtoi në fushatë, presim të na e rikthejë

 BERAT:-Pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve të vrarë në luftë i kërkojnë qeverisë së re dhe Edi Ramës rikthimin e pensionit prej 5 mijë lekësh në muaj për familjet e dëshmorëve, i cili u është mohuar prej 8 vitesh. Për Elham Pashën, Sekretari Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve në Bashkinë e Urë- Vajgurore ‘heqja e shpërblimit për familjet e dëshmorëve nga qeveria që iku nga zgjedhjet e 23 Qershorit të këtij viti, më tepër se sa shtim i varfërisë, është një fyerje për kontributin me jetë që dhanë djemtë e vajzat partizane në luftën për liri”. Ai shton se përveç të tjerave, kjo kërkesë është

kryesisht rivendosje e dinjitetit në vend për dëshmorët. Ai shton se, në Qarkun e Beratit janë dhjetëra familje që në harkun e 8 viteve që shkuan, ndjehen të diskriminuara financiarisht dhe moralisht nga heqja e kuotës mujore prej 5 mijë lekësh që përfitonin si familje dëshmorësh. Sipas Pashës, diskriminimi zyrtar për familjet e dëshmorëve nëpërmjet heqjes me vendim të posaçëm të shpërblimit mujor, është për të gjitha familjet e dëshmorëve në shkallë vendi. Më tej ai shton se, ky veprim ishte i qëllimshëm, pasi qëndrimi zyrtar gjatë këtyre viteve ka qenë neglizhues ndaj dëshmorëve të luftës dhe vetë luftës që bënë këta djem e vajza kundër nazifashizmit për çlirimin e  vendit. “Heqja e pensionit 5 mijë lekësh, u shoqërua këto vite dhe nga neglizhencë totale e strukturave të shtetit për gjithçka që lidhej me luftën dhe njerëzit që e bënë këtë luftë. Kështu, shumë lapidare u dëmtuan apo u shkatërruan dhe fonde nuk jepeshin për ndërtimin e tyre. Shumë institucioneve, aty ku në qeverisjen vendore ishin të Djathtët, iu hoqën emrat e dëshmorëve të luftës apo të ngjarjeve e datave që lidheshin me këtë luftë. Po ashtu, familjarë të dëshmorëve nuk mund të gjenin vende pune në administratën shtetërore”,- shton më tej Pasha. “Të Majtët na premtuan në fushatë, e tani presim që qeveria e Ramës të na e rikthejë pensionin e dëshmorëve”,- përfundon ai.