Vladimir Shyti: Eh, ç’ka i duhet popullit bumi turistik, kur në mëngjes numëron qindarkat për të shtyrë ditën…

57

Letër në redaksi: Halli, hallit nuk i ngjan!

Sigal

Eshtë e vështirë për popullin tonë të gjejë lirinë e vërtetë në këtë vend plot halle e derte. Kjo bashkësi e brendshme nuk mund të bëjë vlerësime se, piktakimet e problemeve të shumta janë të vendosura bri njeri-tjetrit. Nuk po kërkoj formula të veçanta për ndjenja shpirtërore, as individualitete të këtilla, ashtu siç bën piktori në veprat e tij. Por, pasqyrimin e të njëjtës shkallë të ekonomisë së varfëruar, që sjellin formula standarte para një panorame, ku shndrin luksi turistik, ndoshta me famë botërore. Jetë paralele, që lumturon një pakicë, ndërsa shumica, përkundazi ndjehet e tërhequr nga ky rrafsh shkëlqimor. Dhe, kjo e ka arsyetimin; sepse ata, as nuk e ndjenë, as nuk munden ta prekin e të shijojnë këtë bukuri të natyrës shqiptare. Eh, ç’ka u lipset masave popullore ky bum turistik, kur në mëngjes numërojnë qindarkat për të shtyrë ditën. Ku kullat prekin qiellin e një pjesë e njerëzve zvarriten në kërkim të një strehe njerëzore apo, kur ankohen në instuticionet shtetërore dhe i përcjellin, duke u treguar ligjet, që as ata vet nuk i kuptojnë mirë. Kështu, brenda tyre ndizet një shkëndijë, ai tharm, i cili duke vluar të sfilit, të drithëron dhe i shtyn qeniet drejt çdo lloj rreziku, në teprime dalldie, drejt vetmohimit dhe drejt shkatërrimit të vetvetes dhe, ç’u pa pastaj pas fasadës shkëlqimore?

Kjo mënyrë udhëheqje mbush me shqetësim të frikshëm njerëzit, që nuk arrijnë ta frenojnë mjerimin, duke parë gabimet e qeverisë dhe zhgënjimin e tyre, ose në të kundërt, pafuqia dhe përballja me këtë kapitalizëm të egër shqiptar, që lindi midis kaosit. Për të jetuar populli ynë mësoi: o Perëndi më shkurto fundin! Jeta mësohet, por me ligje e rregulla, që t’i kuptojë edhe masa popullore. Të fuqizuarit, me ato parandjenjat e një ekzistence të epërme të çdo lloj perceptimi dhe pa përvojë e ndjenjash, marrin kap ç’të kapin, duke harruar forcën e ligjit. Dhe, kështu hallet shtohen. Individi nuk mund të gjejë faltoren e qarjes së hallit, probleme të ndryshme, që bota kapitaliste i ka zgjidhur dekada më parë. Pazotësia e zyrtarëve tanë si në drejtësi, shëndetësi, në arsim dhe më gjërë, bëjnë të mundur që shqiptarët të përbuzin këtë realitet ekzistues si të papërshtatshëm për Ta. Atëhere, ç’kërkohet? Jo sundim, por mirëkuptim, jo shkëlqim të rremë, por forcim të ekonomisë, jo të paaftë në detyrë, por të rritet aftësia e punonjësve, jo livadhisje, por në shërbim të popullit e tjera, që pushtetarët e dinë, por janë gërmues drejt pasurimit të shpejtë, duke shfrytëzuar pushtetin që u kanë dhënë me ose pa të padrejtë. Dhe, hallet zgjaten litarë, ato janë në forma të ndryshme, moszgjidhja sjell kaos. Brezi tretë kërkon komunizmin, por edhe e godet. Pronari dhe trashëgimtari kërkon pronën, por që ajo ka tre individë të jashtëquajtur pronar. Dokumentet tjetërsohen dhe shëtisin në të gjithë zyrat e Shqipërisë. Pensionisti falenderon Zotin që është gjallë. Pra, kjo sjell çorientimin popullor, largimin nga vendi tyre dhe pastaj, na rroftë krenaria para botës. Ndaj duhet të çlirohemi nga ky kaos-batak, duhet të favorizojmë stabilitetin në çdo aspekt të jetës sonë me rregulla e norma, ku ligji me format e tij të zaptojë tërë vendin.