Gëzim Zilja: Dashuria false e trumbetuar në kafazet e emisioneve televizivë

46
Sigal

Është fjala për emisione ku vajza e djem të bukur, të veshur ose gjysmë të zhveshur, mbyllen nëpër kafazë për muaj të tërë apo studio televizive dhe aty bëjnë gallatë derisa të bien në dashuri më njëri- tjetrin. Dashuria e vërtetë nënkupton një familje të shëndoshë, e pasuar kjo me fëmijët në të ardhmen, që do të lindin si rjedhojë e kësaj dashurie. Nuk ka përkufizim sesi mund të biesh në dashuri, as rregulla e as ligje. Shpikësit e këtyre formateve, në rang global, (shqiptarët vetëm imitojnë si majmunë) kanë gjetur një metodë të tyre të mbylljes në kafazë, ku ata filmohen pa ndërprerë ditë e natë ose pjesërisht. Jo rrallë kur aty nuk lind dashuri apo marrëdhënie në çift (shpesh ka thjeshtë kurvëri e shtirje lapërdharësh) hartuesit e programeve sajojnë skena artificiale me gjoja dashuri, ku banaliteti, gënjeshtra e padija mbushin ekranin si ato kanalet e ujërave të zeza, kur shpërthejnë fekalet e pisllëku merr dhenë rrugëve të lagjeve e gjithë qytetit. Një djalë i zgjuar do të marrë për grua patjetër një vajzë të zgjuar me të cilën do të krijojë familje. Ndryshe nuk funksionon. Do të rrokulliset tenxherja e do të gjejë kapakun, thotë populli. Unë mendoj se vajzat dhe djemtë që mbyllen nëpër kafazë dhe prej aty shndërrohen në yje të ekranit, apo lidhin martesa të lumtura janë sa të neveritshme aq dhe artificiale.Te ‘Princi i Kaltër,” princi, pasi shijon si frutat e stinës nja tre dyzina bukuroshesh që jo rrallë i fut në krevat si pjesë e emisionit, zgjedh vetëm një, për të krijuar familje.Tjetra është se këta bukuroshë e bukuroshe, që marrin pjesë në këto shfaqje paraqesin përgjithësisht vajza e djem që nuk u kërcet për asgjë veç qejfit, (harxhohen miliarda për këto emisione) dhe janë nën mesataren mendore të njeriut të zakonshëm. Veç gërmëreve neveritëse (ma çorre, ta çorra) dhe ekspozimit të shalëve e të cicave ata nuk kanë ç’të tregojnë tjetër. Aty nuk flitet për jetën e zakonshme të shqiptarëve, për problemet e sjelljet e brezit të ri, papunësinë, largimin nga atdheu, për familjen që do të krijojnë, për nevojat apo kufizimet, për dashurinë njerëzore, si dukuri, etj etj. Nuk flitet për historinë, kulturën, letërsinë, traditën dhe as ia kanë haberin asaj ane. Madje në raste të veçanta si në “Përputhen” apo diku tjetër një super bukuroshe nuk dinte se kur ishte shpallur Pavarësia apo kush ishte Skënderbeu. Po ndërkaq dinte mirë se me një trup të bukur e një dashnor me para mund të kapje majat. Nga kjo pikëpamje aty ekspozohet një llum i vërtetë njerëzor. Janë një prerje vajzat e djemtë e kafazeve. Dikush i zgjedh me kujdes, që të tredhin trutë e njerëzve e të kësaj rinie mjerane, që rrugën ë lumturisë e gjen te servilizmi, gënjeshtra, humbja e dinjitetit, kurvërimi për një vend pune apo te droga. Rinia e sotme e konstaton të keqen, por në vend të luftojë për ta mundur atë i nënshtrohet ose ia mbath nëpër botë. A mundemi të kemi emisione me kafazë të hapura apo të mbyllura ku të debatohet për të gjitha problemet e rinisë së sotme, por me përfaqësues djem e vajza që të jenë jo vetëm të bukur e të palestruar, por edhe të mënçur e atdhetarë! Ky është problemi. Dua të pohoj së drejtuesit apo analistët e këtyre emisioneve janë me të vërtetë njerëz të mënçur. Ata e zgjedhin me kujdes “lëndën e parë,” kuptojnë kotësinë e vajzave e djemve të kafazëve dhe jo rrallë tallin trapin me ta në mënyrë të stërholluar. Kafazllinjtë as kuptojnë fare e qeshin e qeshin dhe kthehen në majmunë e kllounë. Duket hapur që organizatorët dhe analistët kanë një qëllim të vetëm: Të bëjnë para dhe të tredhin trutë e rinisë shqiptare. Në një status të vetin Pastor Akil Pano u shpreh se djemtë e sotëm “duan një vajzë për shtëpi.” Dhe hopa hidhen të shpjegojnë e të kritikojnë grerëzat e ekraneve e fb-së si maskilistë e të prapambetur. “Për shtëpi” duhet kuptuar më gjerë. Po sigurisht, një vajzë nga “Ishulli i dashurisë,” “Përputhen,” “Grande fratello” e “Princi i Kaltër” nuk e mban dot për shtëpi, pra të krijosh një familje. Sepse ajo do shumë para dhe seks të lirë, do martesë të hapur, ku çiftet ndërrojnë partnerët për qejf e dado për fëmijën, që mund të lindë. Familja është qeliza e një shoqërie të shëndetëshme, është zemra e atdheut, dhe i jep kuptim lumturisë njerëzore. Pa familje të shëndetëshme Atdheu merr rrokullimën si po e merr Shqipërinë këto tridhjetë vjet. Dashuria dhe familja nuk lindin e krijohen artificialisht, duke i mbyllur njerëzit nëpër kafazë për t’u çiftuar e shtuar, si kafshët në kopshtin zoologjik.

 

PS.Shumë njerëz pyesin: Pse shikueshmëria është kaq e madhe kur qenkan të pështira dhe artificiale? Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, ku bëhen këto eksperimente me njerëz-kavie, mendoj se ata që i ndjekin nga jashtë, janë me të njëjtin nivel me ata që janë në kafaze. Publiciteti i jashtëzakonshëm në TV të krijon përshtypjen e rrremë se janë të shumtë.