Personalitete të dyshimta/ A po lartëson shteti dhe insitucionet e kulturës, agjentë të sigurimit të shtetit sipas akuzave me dokumente të Agron Tufës

Jonila Godole 

Ndërsa Akademia e Shkencave, Ministria e Kulturës, dhe institucione të tjera kulturore të vendit bëjnë homazhe për Nasho Jorgaqin dhe rolin e tij si shkrimtar në letërsinë e realizimit socialist, ende nuk është qartësuar pyetja nëse Nasho Jorgaqi ishte apo jo informatori dhe më pas i graduari agjent i ish-Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Dragoi”? Gazetarët, që raportojnë nga salla e Akademisë së Shkencave duhet ta ngrenë këtë pyetje dhe të kërkojnë te Autoriteti përgjegjës për hapjen dhe publikimin e dosjes së tij. Nëse këto akuza janë të pabaza atëherë vërtet mund t’i thurnim ditirambe ekzaltuese shkrimtarit Jorgaqi. Por nëse akuzat që ka bërë Agron Tufa ish-drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK dhe dokumentet që i ka ofruar opinionit publik janë të vërteta, atëherë ka diçka që nuk shkon. Dhe ne si shoqëri duhet të reagojmë fort. Ka 77 vjet që nderohen “personalitete” me moral dhe aktivitet të dyshimtë, të cilët e kanë përdorur talentin e tyre në shërbim të propagandës, të fshehjes së krimeve të regjimit totalitar dhe të shkatërrimit të jetëve të pafajshme. Këta idhuj të rremë duhet të bien! Mirë do të ishte qysh para vdekjes, pse kështu mund t’u jepej një mundësi e fundit të reflektonin dhe mbase t’u kërkonin falje viktimave të tyre. Përndryshe, gabimet e të shkuares nuk kanë shërbyer për asgjë, dhe ajo me shumë gjase do (po) përsëritet.

NOA