Harta e projekteve të dyshimta e “tradhëtitë” për të cilat nuk pyeten asnjëherë qytetarët shqiptarë, është e gjerë; dhe, për më keq, vazhdon të zgjerohet. Sidoqoftë, mund të thuhet se kemi kaluar tani nga “Çeliku i Partisë” te “Automotoparku i Partisë”, përndryshe nga ‘fitorja në fitore’. Zullumi është trashur vërtet. Ku Formula 1, ku hallet e Shqipërisë dhe të Elbasanit. Partisë (Socialiste) i lipset një mësim: “Koha është, koha ishte, por s’do të jetë më…” (Xh. Xhojs)
Këto ditë, në Elbasan, në një bujë e brohori, që tani është bërë e zakonshme, Kryeministri Edi Rama prezantoi projektin ambicioz për të ashtuquajturin kompleks sportiv ndërkombëtar “Elbasan- Automotoparku”. Bëhet fjalë për një pistë, ku do të mund të zhvillohen gara të Formula 1. Bash këtë kishim mangut…
Është kohë fushate dhe kemi për të parë e dëgjuar shumë e më shumë. Sidoqoftë, sakaq të lind pyetja: Mbi ç’bazë ligjore vendoset e propozohet ky projekt? Festimet dhe fitimet po fillojnë pa e ftilluar asfare e kujt është ajo tokë, a ka pasur ndonjëherë pronarë bash siç ua morën për Metalurgjikun…? Pyetja tjetër është: A e pyeti kush Elbasanin, qytetarët e tij, çfarë duan në vend të Metalurgjikut? Ndoshta ata duan tjetër gjë: parqe, korije, ferma, ndërtime sociale…
Kam përshtypjen që këto ndodhin vetëm tek ne. A është normale të mos u marrësh një mendje atyre qytetarëve? Se kështu është bërë dhe me Metalurgjikun, që e shkatërroi atë qytet dhe gjithë begatinë përqark me ullishte e portokalle. Atëherë nuk i pyeti njeri se ish kohë tjetër, por tash kanë ndryshuar gjërat. Apo… nuk kanë ndryshuar edhe shumë? (“Edhe Jul Cezari, kur po shkonte te vendi ku e prisnin kamat e miqve të tij, mori një pusullë, të cilën nuk e lexoi fare, një pusullë ku i flisnin për tradhtinë…” H. Luis Borges)
Harta e projekteve të dyshimta e “tradhëtitë” për të cilat nuk pyeten asnjëherë qytetarët shqiptarë, është e gjerë; dhe, për më keq, vazhdon të zgjerohet. Kështu, nuk u pyet askush për Aeroportin e Kukësit dhe… përfundimet lexuesi i di mirë. Kështu, nuk u pyet askush edhe në Durrës e përqark për portin e ri në Porto Romano; a thua qytetarët atje s’janë askund. Kështu, nuk u pyet askush edhe në Rivierë për zaptimin e tokave buzë bregdetit nga paria e vendit… Kanë rënë në popull të butë; kaq mund të thuhet për momentin. Ja edhe pjesa e dytë e komedisë. “Modeli ynë për këtë (për automotoparkun – V. S.) është qendra në Vjenë,” u shpreh ndër të tjera z. Rama. Shikoni ku i rreh, në Vjenë (!) Krahasimet me vendet e tjera, mundësisht ato më të përparuarat, kanë qenë modë edhe para vitit ’90; por këto kohë, zullumi është shtuar, oreksi propagandistik vjen duke u rritur. (“Kam frikë nga nata.” F. Kafka) Sidoqoftë, mund të thuhet se kemi kaluar tani nga “Çeliku i Partisë” te “Automotoparku i Partisë”, përndryshe nga ‘fitorja në fitore’. Zullumi është trashur vërtet. Ku Formula 1, ku hallet e Shqipërisë dhe të Elbasanit. Partisë (Socialiste) i lipset një mësim: “Koha është, koha ishte, por s’do të jetë më…” (Xh. Xhojs)