Skënder Kapiti: Egoizmi,  injoranca, korrupsioni e tradhtia janë  të këqijat që pengojnë kombin

316
Sigal

Kur egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia sundojnë dhe zgjedhin elitën politike, akademike dhe  demokracinë, drejtësinë, patriotizmin e qeverisjen, atëhere individi, kombi dhe sovraniteti i shtetit janë të rrezikuar e të kërcënuar seriozisht. Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia, këto nuk janë tipare vetëm të politikës e të politikanëve shqiptarë, por këto janë të dëmshme kur  kapin, mbërthejnë dhe kërcënojnë edhe  shoqërinë civile, intelektualizmin dhe mediat. Egoizmi negativ, injoranca, korrupsioni, servilizmi dhe sahanlëpirja politike janë  karakteristikë edhe i  intelektualizmit akademik në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Nuk dëgjohet zëri i tyre kritik kundër fenomeneve e të këqijave politike e kombëtare të politikës, nuk dëgjohet mendimi intelektual i tyre përveçse nga tepër të  paktët prej tyre për probleme e shqetësime të tilla si të kufirit detar Shqipëri-Greqi, as kundër  politikës për  copëtimin e Kosovës, kundër  Minishengenit, as për korrupsionin, as për mosintegrimin, as për eksodin, as për varfërinë e as për papunësinë. Edhe akademikët, mediatikët, intelektualët e kryetarët e OJQ-ve, edhe ata  që flasin e duken, ata në të shumtën prej  tyre nuk flasin pa marrë leje e pa qenë në vijë  dhe në një linjë me pushtetin dhe me përfitimin e me interesin material personal. Të tjerë intelektualë rrinë si “qengja” të urtë dhe qëndrojnë “indiferent e nuk trazojnë” politikën e pushtetin pasi kanë frikë se u hiqen postet e detyrat, por me një finesë servilizmi e djallëzie ata  i bëjnë shërbime politikës e pushtetit, pasi politika e pushteti i mban dhe i zgjedh ata. Pra, ashtu si politika dhe mediat, ashtu  edhe Akademia në Shqipëri,  e cila  ka edhe sot për kryetar të saj  një ish-ministër të kohës së komunizmit,  ka si trashëgimi shërbimin dhe servilizmin intelektual të akademisë së kohës së regjimit komunist, ku intelektualizmi akademik e shkencor marksist-leninist  ishte mbështjellja intelektuale, propogandistike dhe oksigjeni i ish-regjimit komunist. Është demokracia e vërtetë  ajo e cila përzgjedh elitën drejtuese patriotike, politike, intelektuale dhe juridike   të moralshme,të pakorruptuar; elitën e cila   gjen dhe e ka interesin e vet brënda atij kombëtar. Pra, është demokracia e vëretetë dhe ligji demokratik  ajo që zgjedh dhe ia beson pushtetin  patriotizmit real dhe që  ndëshkon injorancën, egoizmin autokratik, arrogancën, mosmirënjohjen, mashtrimin,  korrupsionin dhe tradhtinë. Ndërsa fatkeqësisht jo vetëm të sotmen por edhe të kaluarën dhe herojtë politika shqiptare i ndan politikisht, e madje politika shqiptare edhe të kaluarën mundohet që ta ndreqë politikisht, pra aq shumë e politizuar është politika  shqiptare dhe shoqëria,  sa që shqiptarët edhe sot akoma mësojnë historira të paragjykuara e të vlerësuara anshmërisht e politikisht sipas dëshirave dhe interesave të politikës, atyre personale e korruptive. Jo vetëm kaq por politika shqiptare sot akoma bën e vepron politikisht dhe për interesa të saj në cdo gjë e aspekt shoqëror, shtetëror, filozofik, akademik, juridik dhe ekonomik e demokratik. Mund të jesh shkencëtar, intelektual, biznesmen,  mendimtar, profesionist e patriot, por, po nuk qe i angazhuar e në shërbim të këtij apo të atij krahu politik, kurrë mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se ata e kanë të hapur rrugën për të bërë karrierë. Por jo vetëm politika, por te shqiptarët në përgjithësi vihet akoma re inati dhe egoizmi negativ ndaj kompetencës, aftësisë, patriotizmit dhe të suksesit të tjetrit, dhe nëse ke edhe shumë  të mira, jo vetëm politika por madje edhe në një masë të konsiderueshme edhe opinioni i infektuar si politika egoiste dhe smira  mezi pret që të gjejë një të metë, gabim apo dobësi dhe aty përqëndrohet e godasin  me qëllim për të përbaltur individët të cilët meritojnë respekt, nderim e mirënjoje. Në shoqërinë shqiptare  shoqëria civile është e manipuluar dhe pothuajse është inekzistente dhe patericë e politikës.

Pse shqiptarëve nuk u ndahen vuajtjet  dhe padrejtësitë?!

Shqiptarët gjithmonë kanë pasur popujt fqinj armiq të egër e të pabesë. Kjo dihet. Por shqiptarët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë “armiq” edhe të keqijat brenda vetes, e që nuk po u ndahen ato.Armiqtë dhe kërcënimi, moszhvillimi e mosprogresi  kombit i vjen edhe atëhere kur ai është i infektuar nga xhelozia dhe egoizmi, nga korrupsioni dhe nga tradhtia.Nëse njeriu dhe komuniteti i një kombi i cili nuk mposht egoizmin atëhere aty jo vetëm pushtetin por edhe shtetin, shoqërinë, moralin, ligjin, drejtësinë,  kompetencën dhe dhuntinë e drejton pamerita dhe injoranca. Injoranca joshet dhe bie shpejt dhe lehtë  pre e gënjeshtrave, manipulimeve dhe të mashtrimeve, dhe shumë e shumë më keq akoma është kur injoranca merr dhe forcohet e armatoset me para, me pasuri e me pushtet, atëhere  ajo rrëmben  edhe  kompetencat e talentit,të diturisë e të patriotizmit. Nëse një popull nuk ndëshkon korrupsionin por pajtohet me të, atëhere te ai popull është shumë i vështirë  instalimi i drejtësisë dhe zhvillimi e progresi drejt më të mirës, mirëqënies, sigurisë dhe  pëmirësimit. Nëse një komb nuk e “vret” tradhtinë, pra nëse nuk e ndëshkon atë, por e toleron, politikisht atëhere aty sundon e qeveris  hipokrizia, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni të cilat edhe ato janë tradhti. Dhe kur kjo ndodh vazhdimisht  edhe vuajtjet  vijnë  si meritë.