U kapën duke transportuar 57 klandestinë, pranga dy të rinjve në Pogradec

62
Sigal

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”, ndërsa në pranga kanë rënë 2 persona, të cilët u kapën duke transportuar 57 emigrantë të paligjshëm. Ndërkohë një person është shpallur në kërkim.

Në pranga ranë shtetasit me inicialet M. L., 36 vjeç dhe E. D., 28 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. O., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Pogradecit, kanë kapur mjetin kamion tip “Iveco”, në pronësi të shtetasit A. O., me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit u konstatuan 57 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezulton se, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale ishte edhe shtetasi E. D., i cili kryente kontrollin e rrugës, me mjetin tip “Benz”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.