Skënder Demolli: Ja, një poet i vërtetë, ja, një magjistar i fjalës!

266
Sigal

“Kur nisa të shkruaj poezi, gjashtëdhjetë vjet më parë, më ka bërë përshtypje një poezi e Ismail Kadaresë titulluar “Iku koha e poezisë”, ndërkohë unë kam po 60 vjet që shkruaj poezi, i bindur që koha e poezisë nuk mund të ikë kurrë, përderisa të ketë poetë, si Ismail Xhaferi me shokë e shoqe, që i këndojnë jetës, dashurisë, vendlindjes, e mbi të gjitha, poetë e poete që prekin temat bashkëkohore të kohës sonë.

E dallon të veçantën e një poeti qoftë dhe me një poezi…

Një poezi, ku ngërthen në fare pak vargje ndjesi, lirizëm, figuracion dhe muzikalitet.

Ja, një poet i vërtetë! – thashë me vete, – Ja, një magjistar i fjalës”!

Kështu e nis kuvendimin me lexuesin filologu, studiuesi dhe shkrimtari e poeti i njohur Sulejman Mato, duke i prezantuar atij librin e ri me titull “Një gotë mall” të poetit e shkrimtarit të njohur në letërsinë për fëmijë Xhaferi, i cili doli në qarkullim këtë fund viti dhe është pritur me mjaft interes. “Në këtë libër ka mjaft poezi, ku për secilën do doja të bëja një koment, duke evidentuar atë që nënvizon Nobelisti Ezra Paund: “Imazhi është në vetvete gjuha. Imazhi është fjala përtej gjuhës së formëzuar”, përmend ky pedagog e teoricien i poezisë si Mato, në recensionin e tij kritik, duke u ndalur kryesisht në motivet e poezive të librit, që dallojnë e bien menjëherë në sy, me lëvizjen nga njëra anë e atrofizimi e ngurtësimin nga ana tjetër, përballjen e së mirës dhe së keqes, dashurisë dhe urrejtjes, jetës dhe vdekjes etj, të cilat si kategori estetike të artit, pa thelbin e shpërfaqjes së shpirtit të njeriut, me shekulloren që e rrethon, nuk do ta ndihmonin atë të dilte nga “patologjia” e pritjes nga fuqi të mbinatyrshme, apo duke jetuar me fantazi, për të mos u penguar, në “gurët”, që i rrokullis përpara në udhën e vet e përditëshmja dhe jeta e për të gjetur shpëtim. Duke e lexuar me një sy të tillë poezinë e Xhaferit, gjithkush mund të nxjerrë mjaft përfundime për çastin e krijimtarisë, kur muza e saj të fal frymëzimin. Do të mundeshe ashtu si filologu, apo unë letrari, të fliste jo vetëm për motivet, fuqinë e ideve dhe fjalorin e zgjedhur poetik e mënyrën elokuente të shprehjes së tyre, por gjithë sa e bën interesant këtë poet me librin e vet “Një gotë mall”. Pse jo, siç mund ta krahasonte me njërin, apo tjetrin poet të famshëm, ose duke përmendur risi të poezisë së poetit, në analogji me ryma letrare që nga koha e antikitetit, deri dhe si është shkruar e duhet shprehur poezia sot: me apo pa rimë, a thjesht me varg të lirë etj etj. që te një poet i vërtetë kanë pak, ose aspak rëndësi, kur ai shkruan. Sepse e ka mendjen te poezia dhe jo te rregullat e saj. Dhe e thotë dhe e shpreh plot pasion, ashtu siç e ndjen vetë ai.

Siç i flet nga brenda një shpirt i kënduar dhe një zemër e plagosur. Për këtë Xhaferi, është vërtet spontan me frymëzimin e ligjërimin e tij në poezi, e cila dallohet menjëherë që është jashtë klisheve dhe parafabrikateve në formë, stisjes dhe ideve të stërnjohura. Siç është i vërtetë me mënyrën e vet të shprehjes, frymën që pulson e merr ritëm vargu nga një zemër e shqetësuar, e cila qan me lot pikëllimi për fshatin që braktiset e mbetet pa fëmijë, por edhe pa dallëndyshe, për pleqtë që përcjellin njëri – tjetrin, në një kortezh aq të përmortshëm i cili është bërë rit në kohën që jetojmë, për vajzën e zhgënjyer që vyshket pa e gëzuar rininë e saj, si një lule në vetmi, për shpirtin e njeriut të brengosur nga ikja, si mallkim e rinisë në dhera të huaja, apo të burgosur e në hall mes katër muresh, djegur nga malli për jetë, dashuri… Veç mes gjithë kësaj dhimbjeje që ka pllakosur rreth e rrotull në vendlindjen e vet, mes gjirit të saj, dallon fuqinë e jetës, si një simbol edhe te lastari i pjergullës në oborrin e shtëpisë së vet, që shpërthen e sfidon rënimin, duke lulëzuar mbi çatinë e saj, shquan aq shumë yje në qiellin e Lunxhërisë e atdheut, gjen aq forcë e kurajo te heronjtë e djeshëm e të sotëm të tij dhe sjell aq shumë dritë e frymë me poezinë e vet, me mesazhin e shpresës, se jeta, ashtu si natyra e ka mundësinë dhe do të gjejë ritmin e saj, duke na dhënë mundësinë e një forme të re ripërtërritje, ashtu si vetë ajo. Por natyrisht me një përpjekje të re nga të gjithë, e cila do të bëjë të mundur të kapërxehet kriza… Dhe këtë nevojë sociale të kohës poeti e deklamon plot optimizëm, e këndon si një himn kushtuar së bukurës te njeriu në poezinë e tij lirike. “Optimistët kanë gjithmon qejf dhe pesimistët gjithmon të drejtë”, thotë një satirik, jo për të përligjur tonet e zymta dhe agoninë shpesh në krijimtari, gjë që Xhaferit e jo vetëm atij, ia dikton realiteti, të cilin, duke jetuar kudo e në zemër të halleve të njerëzve e kurdoherë me shqetësimin e tyre për problemet e jetës, komunikon aq thjesht e natyrshëm përmes fjalës poetike, si zëdhënës i tyre. Veçse me fjalë të zgjedhura e zë origjinal, që dallon edhe stilin e ligjërimin e tij poetik. Zë i cili te Xhaferi është edhe britmë dhe një britmë e tillë me domethënie të mëdha, me të drejtën e saj është edhe poezi. Le t”i rikthehemi  poezisë kushtuar shtëpisë së prindërve, “ku të ka rënur koka,/ ku ke dashur mëmë e atë”, pas vdekjes së tyre në fshat, ose vetë fshatit, që me fëmininë e gjithsecilit mbetet atdheu i vërtetë, ku s’e gjen askund. Po, kur sheh se një pjesë e jetës tënde, vate dhe humbi, ashtu siç ishte veç lidhur si në një utopi dhe tashmë është vonë të kthehesh pas, ose të bësh përpara, monologu që do të fillosh mbi Fatin tënd dhe në përgjithësi mbi Fatin e njeriut është “Poezia”. Dhe parë me këtë sy i tërë libri “Një gotë mall” është një monolog dhimbje e përmallimi, etje përdëlluese, veçanërisht për botë me aromë shqiptare, si Lunxhëria e Gjirokastra, zogj, drurë e lule, njerëz e ngjarje, që e përshkon si një fill i kuq një dashuri e pamatë. Kjo ndodh sepse poeti, si “i shituar nga Zanat”, ka zbuluar mes tyre misterin që e lidh e përmbyt shpirtin e tij dhe e bën të shohë se dhe gjërat më të vogla dhe të parëndësishme të një bote të tillë shekullore, që e pasurojnë këtë shpirt dhe kthehen në simbole dhe magji të lidhjes me ngjarjet, me “rymën” e kohës…Dhe ky mister, ose e fshehtë e madhe e papritur është Poezia, ndaj së cilës Xhaferi është jo vetëm fanatik si të gjithë poetët, por di t”i falet asaj me përkushtimin në mjeshtërinë e të shkruarit e me stilin e tij, sepse është mëkuar me të prej “nina – nanës” së parë, këngëve të popullit e natyrisht edhe poezisë më të mirë që lëvrohet sot brenda e jashtë vendit që ka në thelb njeriun, duke u ndjerë brenda botës së tij. Prej nina – nanës dhe këngës së popullit poeti mori instiktivisht bashkë me qumështin e mëmës muzikën, kërcimin dhe fjalën poetike, gjë që pasqyrohet në  melosin e vargjve të  tij, lëvizjen dhe fjalën e zgjedhur poetike, ose poezinë, të cilat siç dihet janë për artin tre kushte të ritmit qysh në antikitet. Vërtet para fjalës (bashkëbisedimit) ekzistonin muzika dhe kërcimi, por jo si arte. Madje siç venë në dukje kah herët kritikët e artit dhe harmonia e ngjarjeve, te ritmi mbështetet. Dhe lidhja e Xhaferit me ritmin dhe harmoninë është aq e dukshme dhe i jep vlera poezisë së tij, sepse ato e shprehin e nëpërmjet tyre përpiqet të shprehet, ndonëse nga njëherë rimarja e fjalës për hir të ritmit në fillim të vargut e çon në një “enumeracion” të panevojshëm. Për më tepër kur poezisë nuk i mungon ritmi i saj i brendshëm. Harmonia e poezisë së tij është harmonia e shpirtit që përballet sa me të mirën aq me të keqen, të cilën nuk mund ta durojë, pasi që jeton në zemër të njeriut, mrrekullohet me atë e këtë magjepsje e shpreh me anë të ritmit, me një gjuhë të gjallë gëzimin, dashurinë, vajin, apo revoltën e tij, të papriturën, të çuditëshmen e të pathënën, duke krijuar emocion e kënaqësi estetike e duke e bërë aq të kuptueshme atë që do të thotë. Aq sa dikush nga “modernët” që marin poza, mund të thotë, po kjo poezi bie era “folklorizëm”! Pse?… Se himnizon të bukurën, madhështoren?…

“Poezia flet duke kënduar, pyet, ëndërron, hap”, shkruan Akselos. Po, kur ulem të shkruaj, ose “më vjen të shkruaj”, veç letrës e lapsit, nuk kam përpara as ndonjë ide, as skicë, bile as mendjen, veç zemrës e shpirtit të lënduar që më dikton frymëzimin e fantazinë për atë që shkruaj, -.thotë Ismaili. Kjo është edhe burimi i poezisë.

Po ç”të keqe ka ta ngjyesh penën në gurën e popullit, ku mund të gjesh perla me fuqinë e ideve e kolorin e shprehjes së tyre. Për të mos shkuar më larg te shembulli i autorëve botërorë klasikë  në drama, tragjedi, në letërsi e muzikë, që kanë marë, po dhe i kanë dhënë folkut të popullit, duke e kultivuar atë në një nivel të lartë, (siç ndodhte përshembull  dikur me krijimtarinë e tij që paraqitej në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës), po përmend Lasgushin me poezinë e tij “E mora shoqezën përkrah”, i cili rrëfente se “kur shkruaja këtë poezi e në një varg më binte ritmi, m”u kujtua një këngë labe që e kisha dëgjuar në një udhëtim, “Moj e bukura Këndrevicë” dhe këtë “majë mali” e futa me mënyrën e shprehjes në poezinë time”. (Naum Prifti, kujtime  për Lasgushin). Jo çdo poezi që shkruhet me rimë, muzikalitet e ritëm është folk. Përkundrazi Xhaferi duke i ruajtur ato, ka bërë kujdes që në përmbajtje të gjejë një të mesme midis poezisë klasike me strofa e rimë dhe asaj që shkruhet sot, duke mos e superngarkuar poezinë me aq sa ajo nuk mban nga filozofia, psikologjia etj. Por ta lerë ashtu si lind, për t’u bërë këngë dashurie, paqeje e harmonie. Dhe ia ka arritur. Për kënaqësi do të sillja vetëm një prej tyre nga ky vëllim, të cilën po e paraqes pa titull, duke e uruar për suksese të tjera edhe në të ardhmen.

 

Më parë fshati u boshatis nga të rinjtë,

pastaj ikën prindërit, gjyshërit dhe gjyshet.

Humbën buzëqeshjet e trëndafilta të fëmijëve,

të fundit ikën me verën dallëndyshet.

 

Ikën dhe ato pak vajza, si lule mbetur,

sapo vendosën unazë në dorë!

Nuk pritën vjeshtën për të bërë dasma,

sepse në fshat nuk kishte më dasmorë.

 

Si për inat nga kodrat shtegëtuan edhe retë,

tufa- tufa vendosur, si pata në radhë.

U fshehën tutje, diku pas maleve;

O Zot!…Ç”të keqe kemi bërë vallë?!

 

Ngadalë u thanë dhe burimet,

sikur të mos kishin qënë kurrë!

Tani në fshat nuk vjen më as pranvera,

se s’ka nëpër korije lule e drurë.

 

Mbetën te ai vend i shenjtë vetëm varrret,

nëpër gërmadha fshehur ndonjë përrallë.

Si ardhi kështu pa ftuar kjo kohë e marrë,

me strehët e shtëpive, që të ikurit,

për së gjalli i qajnë?!…