Ervehe Hasanaj: Drithërimat e monografisë “Jeta ime mes Çorovodës dhe Pizës”

46
Sigal

Nga Ervehe Hasanaj

Parathënie

Në këtë rrëfim jete, shpalosur aq bukur e me origjinalitet nga autorja Ervehe Hasanaj, çdo lexues do të përjetojë ndjenja të holla dhe një përshkrim realist e mjaft prekës të jetëve tona. Të gjitha faktet, ngjarjet, portretizimet njerëzore, janë një dëshmi e autores, e cila tregon se si ka ndodhur çdo gjë dje në jetët tona, e si ndodh e zhvillohet sot, e si do të vazhdojë të shkruhet ky lloj rrëfimi në të ardhmen nga fëmijët dhe nipat e sotëm. Edhe pse kemi të bëjmë me fakte e ngjarje personale, familjare, farefisnore e shoqërore në punë e kolektiva punonjëse të caktuar, ato dalin nga caku i ngushtë i personales dhe marrin një tingëllimë të përgjithshme. Kësisoj ato dëshmojnë një kohë, një histori, që e kemi jetuar e përjetuar thuajse të gjithë. Pra, në atë rrëfim, nuk është vetëm autorja Ervehe që tregon, por jemi e marrim pjesë të gjithë në rrëfimin e fateve dhe jetëve tona, të gëzimeve, shpresave dhe zhgënjimeve. Dhe të gjitha këto shpalosur në dy kohë e në dy vende: në Shqipërinë e monizmit, dhe atë të pluralizmit politik, por dhe në emigracion në Itali. Libri në fjalë, nuk ka ndonjë pretendim të madh për ndonjë “letërsi të madhe”… Ai është rrëfim nga zemra, një lloj publicistikë e kohës sot, që po njeh interes e sukses në tranzicionet e zgjatura që po kalon njeriu shqiptar dhe vet Shqipëria. Autorja, me ndershmëri e sinqeritet të spikatur, flet për veten dhe fëmininë e saj, për dramat familjare, për vitet e shkollës, për marrëdhëniet njerëzore në atë kohë, parë nga syri i një fëmije jetim pa baba, por edhe i një adoleshenteje plot ëndrra e emocione. Ajo dëshmon aq bukur lindjen e dashurisë së saj me burrin që iu bë shoku i jetës! Për dasmat  magjike të Malindit, të Tomoricës, të gjithë Skraparit, për këngët e vallet skraparçe, dhe një psherëtimë na del natyrshëm nga shpirti: “Ahh…!”.  Me mjaft interes ajo përshkruan dhe dëshmon marrëdhëniet në punë, ato mes qytetarëve dhe institucioneve partiake e shtetërore, prej të cilave, herë merrte inkurajim e mbështetje, por herë edhe zhgënjim e trishtim. Sidoqoftë, ajo në çdo kohë, si në monizëm edhe në demokraci, si në Shqipëri edhe në Itali ku jeton si emigrante, ka kërkuar e çmuar lart moralin, traditën e vyer shqiptare të familjes, të besnikërisë dhe miqësisë, të nderit e të mikut, të dashurisë e respektit mes fëmijëve dhe prindërve, të sakrificës dhe solidaritetit. Ajo bën që të na tingëllojnë aq bukur e plot fisnikëri fjalët: shqiptar, nënë e baba, motër e vëlla, shok pune e lufte, besnikëri e ndershmëri bashkëshortore, atdhe, familje, lagje e kolektiv pune… Pra, ajo kërkon e mban lart vlerat morale, që fatkeqësisht sot, edhe në kushtet e kapitalizmit të zhvilluar, lënë për të dëshiruar. Nëpërmjet këtyre vlerave që ajo dhe rrethi i saj familjar e shoqëror, i kanë ushqyer e ruajtur fort, ajo bëri të mundur përballimin e shumë të papriturave të dhimbshme dhe halleve në emigrim, të shumë sfidave e zhgënjimeve të thella. Por mbi të gjitha, të shumë fatkeqësive për humbjen e njerëzve më të dashur të saj, siç janë bashkëshorti dhe nëna, të cilët i mbyllën sytë në emigrim, por i varrosën sipas amanetit të tyre, në tokën e dashur amtare, në Shqipëri! Libri “Jeta ime mes Çorovodës dhe Pizës” është shkruar me shumë zemër nga një shqiptare, nga një skraparleshë trime e simpatike, nga një bijë e denjë për prindërit e saj krenarë, nga një bashkëshorte model në dashuri dhe familje, nga një nënë me shpirt të madh e dashuri të thellë, nga një shoqe e zemërbujare që ndan edhe kafshatën me njerëzit në nevojë! Me të tilla ndjenja e me këtë lloj morali, ajo shndërrohet natyrshëm në një model krenarie për fëmijët e saj, por edhe për mbesat e nipat që do vijnë në jetë. Ajo u tregon atyre sesi ta ruajnë e ta trashëgojnë farën e dashurisë mes të tyre, farën e shqiptarizmit, të pandarë nga ajo e krenarisë së maleve dhe trimave të Skraparit në shekuj…Vetëm kështu mund të jetojnë dhe mbijetojnë në këtë botë kaq të trazuar!

Fëmijëria ime e vështirë

Sa të nevojshme e kam të kujtoj e rikujtoj fëmijërinë time. Apo ndoshta më e saktë është të them se “nuk më lëshon” ajo… Mbrëmjeve kur bie të fle gjithë jeta më kalon para syve si në një film. Një film pa fund, mbushur me befasi! Çdo gjë e kam të freskët në memorien time. Fëmijëria është më e bukura kohë, më e sinqerta moshë, por një kohë e pakthyeshme dhe nostalgjike! Kujtimet e mia i shpalos shpesh nëpër vite; ato hera-herës më godasin, por dhe më bëjnë krenare…Një udhëtim mes buzëqeshjes dhe lotit! Fëmijëria ime ishe e gëzuar, por jo e lumtur. Ajo ishte e zhveshur nga përgjegjësitë familjare, por jo indiferente. Po përse ndiej sot njëfarë trishtimi?! Përse fëmijëria ime nuk e pati dot lumturinë e moshës, si gjithë fëmijët e tjerë? Kur isha ende e vogël, por dhe e rritur para kohe, kuptoja, por dhe shumë gjëra nuk i arrija t’i kapja plotësisht. Sa shumë në familje kërkoja të ndihmoja, por fiziku im i brishtë dhe mosha ime nuk përballonin dot! Kjo ishte një brengë që e mbaja brenda vetes, një pikë loti që ishte gati në çdo çast të shpërthente. Dhe kjo u bë drama ime e fshehtë, që ndonëse nuk e shpërfaqja, e mbaja ndrydhur në shpirtin tim prej fëmije. Ajo ishte e lidhur me dy njerëzit e mi më të shtrenjtë, me prindërit e mi. Shikoja çdo ditë një baba të sëmurë, dhe në krah të tij, nënën time, të sfilitur dhe të shkatërruar nga dhimbja dhe stërmundimi. Përse nëna ime duhej të vuante kaq shumë!? Përse lotët e saj, kur qante fshehurazi, t’i shikoja dhe unë?! Do bëja dhe isha gati të jepja gjithçka për nënën time, vetëm që t’i riktheja asaj pak buzëqeshje. Ta shihja si gjithë nënat e moshatarëve të mi. Ishim pesë fëmijë, kur të gjitha barrët e familjes binin mbi trupin e saj të brishtë.

Përgatiti Albert Z. Zholi