Sigal

Botuar në shkurt dhe prezantuar në disa qytete, Timo Flloko ka zgjedhur Vlorën për të mbyllur turin e bashkëbisedimit për librin e tij me poezi “Kërcim në bosh”. Dhe jo rastësisht e ka zgjedhur Vlorën pasi siç ai thotë vetë “Me origjinë jam gjirokastrit, por kam ngrënë bukën e Vlorës”.Miq e shokë të aktorit të mirënjohur shqiptar, njerëz të artit e të letrave vlonjate kanë ardhur për të bashkëbiseduar me Timon poet, në mjediset e gjimnazit “Perla”, që është kthyer në një shkollë elitë jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies e të rezultateve, por edhe për organizimin dhe mbështetjen e veprimtarive artistike e kulturore në qytetin e Vlorës. Takimi në Vlorë ka qenë një rast i mirë për Timo Fllokon që ai të takohet me ish-shokë të tij të fëmijërisë të hershme në sheshin e Kateqit, por edhe dashamirës të artit të tij, kryesisht në kinematografi, që e ka bërë një nga aktorët më të mirë të vendit. Pjesa më e madhe e poezive nga 82 që janë gjithsej, midis të cilave dhe 3 poema e 18 tekste poetike në këngë, janë recituar nga nxënësit e gjimnazit “Perla”, por edhe nga vetë autori, botuesja Arlinda Dudaj dhe folës në takim. “Unë nuk jam poet, por poezinë e adhuroj edhe për shkak të profesionit të aktorit, sepse poezia është substancë e artit. Pa poezi nuk mund të kuptohet jeta.” Kështu është shprehur ndër të tjera Timo Flloko, tashmë në rolin e poetit. Ai i ka dhënë përgjigje dhe pyetjes në lidhje me titullin se përse Kërcim në bosh?


“Kërcim në bosh është si kërcim në hava, është fluturim në hapësirë. Unë jam hedhur nga “Kalaja” në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ndaj dhe e di se çdo të thotë në njëfarë mënyre kërcim në bosh, fluturim në hapësirë” Timo Flloko ka folur gjatë për Vlorën, dashurinë që ka ai për qytetin e fëmijërisë, për shokët, për lagjen e vjetër, sheshin, për babanë e tij, doktor Fllokon, i cili është një nga emblemat e dashura të vlonjatëve të vjetër, duke shtuar se në vëllimin e dytë me poezi, poezinë e parë në libër do ta ketë për babanë e tij, të titulluar “Atë e bir”. Në fjalën e saj të shkurtër botuesja Arlinda Dudaj duke treguar për raportet e vështira që ka ajo me poezinë, pasi është shumë kërkuese për poezinë cilësore dhe në këtë drejtim nuk bën asnjë kompromis p[ër të botuar gjithçka poetike që i vjen për botim, është shprehur e kënaqur me dhe e plotësuar me poezitë e Timo Fllokos, të cilin ajo e ka etiketuar si “Bob Dilan” i poezisë shqiptare. Edhe folës të tjerë në takim kanë dhënë mbresat e tyre për poezitë e aktorit të njohur, duke i cilësuar poezitë e tij si modern, të një stili tjetër, shumë pak të njohur e të lëvruar në Shqipëri. Takimi është mbyllur me premtimin e autorit se do të vijë përsëri në Vlorë për të promovuar libra të tjerë si dhe me autografet e fotot e shumta që të ftuarit kanë bërë me aktorin.