Shpendi Topollaj: Albin, ne jemi me ty!

135
Sigal

Në kujtimet e saj për Lasgush Poradecin, e ndjera shkrimtare Meri Lalaj sjell faktin e njohur, se kur një delegacion i të rinjve kosovarë e takuan poetin tonë të shquar, ky, përherë i preokupuar për çështjen kombëtare, i pyeti ata: “A ka Isa Boletina Kosova?” Ky Hero i Popullit ishte bërë simbol i luftës për bashkim  dhe me aktin e vet trimëror, së bashku me djemtë e tij dëshmorë Halilin e Zahidin dhe me nipa e besnikë të tjerë, luftuan aq burrërisht sa edhe vetë Millovan Gjilasi, teoricieni që ka pohuar se Stalini i kishte thënë që “Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë”, do të shkruante në librin e tij të vitit 1958 se “Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të”. Duke mbyllur sytë rreth dhjetë vite më parë, Lasgushi nuk pati mundësinë të shihte një tjetër heroizëm, që tejkalonte edhe kufijtë e legjendës, atë të Adem Jasharit dhe familjes së tij të madhe prej gati 60 vetësh, në marsin e vitit 1998, atje në Prekaz, ku qëndresa ndaj barbarëve serbë ishte përtej çdo imagjinate, sa vështirë se mund të gjendet në histori një akt tjetër i ngjashëm me të. I përmenda këto dy raste, për të kujtuar se Isa Boletinin e çoi drejt vdekjes dredhia e diplomacisë franceze, duke nisur qysh nga konsulli i tyre në Shkodër Bikoku që e nisi atë dhe shpurën e tij në Ambasadën e tyre në Cetinë te malazezët, gjoja për t`i pajisur me viza, dhe Jasharët u vranë pa asnjë mëshirë, me gra, fëmijë e pleq nga gjakatarët serbë, krimet e të cilëve ndaj shqiptarëve, nuk mund të harrohen në jetë të jetëve. Historia shkoi më tej, deri tek UÇK – ja e cila me luftën e saj i tregoi botës mbarë se kur është puna për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë, integritetit e sovranitetit të vendit të tyre, në Kosovë lindin pareshtur Isa Boletina e Adem Jashara. Dhe jo vetëm nga ata që dinë të përdorin pushkën, por edhe urtësinë e mençurinë si fjala vjen, Presidenti Ibrahim Rugova.

Sot, kur kjo liri e pavarësi është arritur, po dalin disa probleme që po e vënë edhe në kohë paqeje qeverinë e Kosovës, para provave mjaft serioze. Dhe natyrisht që Kryeministrit Albin Kurti i bije barra më e madhe, pasi i duhet të rezistojë para presioneve, më së shumti të pashpjegueshme për ne, të diplomatëve të huaj. Bota që kur është krijuar i ka pasur të pandara, konfliktet, armiqësitë e luftrat. Në qoftëse politika e perëndimorëve, tani gjatë konfliktit Rusi – Ukrainë, kërkon të vendosë ekuilibra me shtete që nuk janë me ta, si Serbia, përse u dashka që çelësi i zgjidhjes të gjendet te Kosova? Gjithkush e di se nesër, deri në pafundësi, ndeshje e përleshje mes shteteve, qofshin si rrjedhojë e konflikteve, qoftë si nxitje nga të tjerët, do të ketë në shumë pika të planetit, dhe mos duhet që valvula e shkarkimit të tensioneve të mbetet Kosova apo shtetet e tjera të vogla e të dobta? E drejtë është kjo? Lufta në Ukrainë një ditë do të përfundojë, po si do të përfundojnë provokimet e serbëve ndaj shtetit të Kosovës. A nuk flet qartë ajo që ndodhi në Banjska të Leposaviçit, ku nga grupi i organizuar kriminal u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Po deklarata e Vuçiçit pas kësaj ngjarjeje, a ka nevojë për komente: na vrisni të gjithëve, por Kosovën nuk do ta njohim kurrë. Dhe vijon pa pikën e gajles të fajësojë politikën e perëndimorëve, duke u sjellë në vëmendje bombardimet që i bënë Beogradit. Pra, ai e ka shpallur haptazi pozicionin e tij në këtë çështje; manovroni si të doni, ne jemi me Rusinë! Në këto kushte, a mund të themi se edhe presionet, shantazhet e sanksionet ndaj Kosovës, janë të pajtueshme me llogjikën normale? Po, pse, pak ka paguar ajo si rezultat i paturpësive të diplomacisë së Fuqive të Mëdha? Politikanët e këtyre vendeve, duhet të kenë pak shpirt, pak arsyetim, pak humanizëm, kur gatuajnë planet e tyre në skutat e kuzhinave ku gjen gjithçka, përveç turpit. Me ç`sy e faqe i kërkojnë Kryeministrit të Kosovës që të krijojë një minishtet serb brenda territorit të vendit të tij? Po pse burokrati në kalim Gabriel Escobar e garanton Kosovën se nga pranimi i asociacionit nuk do t`i vijë asnjë rrezik? Jeta ashtu si historia është e gjatë dhe kushdo e di se sa Escobarë do venë e do vinë apo dhe do të harrohen në administratën amerikane e gjetkë, kurse Kosova do të jetë aty. Do të jetë aty, duke nxjerrë burra trima si Isa e Ademi me shokë, deri tek Albin Kurti që nuk po përkulet. Nuk po përkulet para të huajve, por edhe para të tijve.

Se është e çuditshme kur sheh se atij i janë kundërvënë lloj – lloj politikanësh e opinionistësh. Këta, pa u menduar gjatë, mjaft t`u konvenojë me synimet e tyre për të kapur pushtetin apo për t`u dukur si besnikë të thekur të të huajve, gjejnë plot arsye të mos arsyes për ta kundërshtuar e qortuar qëndrimin e Albinit dhe qeverisë që ai drejton. Po na prish me aleatët, arsyetojnë ata. Po njëmijë herë më mirë të prishet me ta sesa me popullin e Kosovës, me të sotmen dhe të ardhmen e tij. Kritikojnë ashtu në tym, pa thënë asgjë konkrete dhe pa deklaruar se si do të vepronin ata vetë po të ishin në vend të Albinit. I dëgjoj dhe pyes: ore a janë në vete këta apo jam çmendur unë? Ne e dimë se perëndimorët më shumë duan serbët se sa ne shqiptarët, por ne të duam njëri – tjetrin, se jemi vëllezër dhe asgjë nuk na ndan, përveç lojës që po bëhet me ne, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, si mund të pranohen nga disa, shejtanllëqet e Aleksandar Vuçiçit dhe si duan të na mbushin mendjen se do të sheshohen mosmarrëveshjet me Serbinë me biseda? Romakët e vjetër thoshin: “Cum principio negante, non est disputandum”, pra “Me atë që mohon parimet, nuk duhet diskutuar”. Është kjo arsyeja që gjatë gjithë kësaj kohe, kur tavolinat diplomatike presin gjithë pompozitet bisedime shterpë dhe pa bereqet mes Albinit dhe atij që deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, dhe që kanë për qëllim ta lodhin palën kosovare, më vjen të thërras: “Albin, mos u thyej! Nuk i kemi askujt ndonjë borxh, përveç se janë të tjerët që na detyrohen, madje shumë. T`i respektojmë dhe t`i duam ata aq sa na respektojnë dhe na duan. T`i dëgjojmë dhe të këshillohemi, por kur shohim se na e kanë me hile, t`ua themi hapur mospajtimin tonë. Në Panteonin e burrave të shquar, krahas luftëtarëve të pushkës, historia u rezervon një vend të nderuar edhe atyre luftëtarëve të fjalës së mençur e të guximshme. Të atyre që i qëndrojnë besnik në çdo situatë asaj maksimës të artikuluar nga Ciceroni: “Qoftë ligji suprem shpëtimi i Kombit! Albin, ne jemi me ty”!