Rushan Dosti: Zoi Strori, mësuesi vlleh, “Nderi i Bashkisë” Dimal

“Një personazh me vlera, mësues në pension që të befason me krijimtarinë e tij dhe me faktin që ai po përjeton rininë e pleqërisë. Ai ka qënë dhe vijon të jetë njeriu i pasioneve të rinisë. Lëvizja dhe puna janë faktorët kryesorë të rinisë së tij.

 

Ai është autor i katër librave me vlerë historiko-letrare dhe monografi si: “Kronikë e gjurmëve të lirisë”, “Epoka e luftëtarëve të lirisë”, “Jetë në pavdekësi”, “Gjeneza e fisit Stroi”, monografi kushtuar Hekuran Baze. Ka në proces botimi, librin e jetës së tij “Vite që flasin”.

 

NOA

Zoi Strori, personazhi i shkrimit të radhës, që natyrshëm bën pjesë në korpusin e njerëzve të thjeshtë, fisnikë e të mirë, nuk është dimalas denbabaden edhe pse është lindur e rritur në fshatin Konezbaltë, por më dimalas se ai zor se gjen tjetër. Ai është me origjinë vllahe dhe s’mbahet mend se kur dhe si kanë ardhur në Shqipëri. Dihet që të parët e fisit Strori kanë qënë vendosur në fshatin Strorë të Skraparit, nga ku kanë marrë edhe mbiemrin Strora-Strori.

Zoi që më 5 Janar shënon 83 vite jete, kujton se pas Strorës fisi u shpërngul në Çyçen të Mallakastrës për t’u vendosur përfundimisht në Konezbaltë të Urës Vajgurore (Dimali i sotëm), aty ku u lind dhe u rrit edhe Strori. Një personazh interesant, me një rrugëtim të gjatë e të vështirë, njeri që gjithë jetën ia përkushtoi arsimit si mësimdhënës dhe drejtues në disa shkolla në fshatrat e Beratit e Kuçovës.

Askush nuk beson që ai i ka kaluar të 80 -t, për faktin që ai vijon të jetë aktiv, plot energji e pozitivitet. Gjithë ditën në lëvizje e në punë. Punon e shkruan çdo ditë duke dhënë shembullin më të qartë të aksiomës se puna të mban gjallë e të rinon. Ka mbi 20 vjet që ka dalë në pension, por edhe pse me pension minimal, ai përjeton me dinjitet rininë e pleqërisë. Me djersën e ballit, bashkë me bashkëshorten Perrien, edhe kjo mësuese në pension, jeton mrekullisht në lagjen Guri i Bardhë ku nën retë e tymit të guroreve, ka ndërtuar një shtëpi për sevda dhe një bahçe gjithë lule e pemë frutore. Gjithçka është mrekulli e duarve tw tij të arta dhe pasionit të tij të hershëm për ta jetuar jetën ashtu siç do ai.

Rrugëtimi i një jete të vështirë

Familja e Ndrio Strorit, e vendosur në fshatin kënetor të Konizbaltës qysh në vitin 1924, ka trashëguar një ekonomi familjare në kufijtë e një varfërie ekstreme. Duke qënë me origjinë vllehe, ata historikisht kanë bredhur me një thes plaçkash në krah, fillimisht në Strorë të Skraparit, më pas në Çyçen të Mallakastrës e më në fund u ngulën në Konezbaltë për të rifilluar luftën për mbijetesë. Me atë pak tokë e me një shtëpi të ndërtuar me baltë, familja Strori, familje me shumë fëmijë, arriti të mbijetojë. Gjithçka falë të zotit të shtëpisë Ndrio Strorit, i cili mbarështronte një tufë me dhen me të cilën ia doli të rriste e shkollonte fëmijët. Në këtë shtëpi u lind më 5 janar 1942 fëmija i madh i familjes Zoi Strori.

Këtu u rrit e u shkollua mes shumë vuajtjesh e peripecish të panumërta. Me gjithë dëshirën e madhe për dije e arsim djaloshi konezbaltas, nw pamundësi ekonomike dhe për t’i ardhur në ndihmë familjes, ndërpreu shkollën në klasën e pestë dhe u punësua si bari tek një pronar, që e paguante vetëm për një copë bukë. Pas këmbënguljes së tij për të vazhduar shkollën, prindërit u detyruan ta hiqnin nga puna dhe ai iu rikthye shkollës.

Pas shkollës 7 vjeçare, në shtator të vitit 1959, në një moshë më të madhe se nxënësit e tjerë filloi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” me statusin e konviktorit. Këtu njihet me figura të shquara të arsimit dhe kulturës siç është poeti Xhevahir Spahiu dhe mësuesi i shquar kuçovar Resmi Qosja, të cilët studionin në këtë shkollë.

Në vitin 1963 përfundon shkollën e mesme dhe diplomohet mësues për ciklin e ulët. Tashmë rruga për të ishte e hapur dhe rrugëtimi më i lehtë. Ëndrra e tij për të qënë dikush më në fund po bëhej realitet. “Atë ditë që kam çuar rrogën e parë në shtëpi, babai ka qarë por kjo ka qënë dita më e lumtur e jetës sime, sepse isha vënë kŕah familjes sime, e cila kishte investuar shpirtin për arsimimin tim”, – thotë Zoi Strori, tashmë 83 vjeçar. Karrierën e tij si mësues e filloi më 1963 në Bistrovicë ku punoi plot 5 vjet si mësues i ciklit të ulët. E pas kësaj ai do të udhëtonte në disa fshatra të Beratit e Kuçovës si në Osmënzezë ku lidhi jetën me Perrien, me profesionin mësuese, në Mbjeshovë, Velçan e së fundi në Tapi. Edhe pse udhëtonte me orë të tëra e vinte në shtëpi njëherë në javë, profesioni i mësuesit nuk e lodhi asnjëherë. Ishte një pasion me të cilin ishte dashuruar dhe vështirë se mund të ndahej prej tij. Ky pasion e shtyu që me shumë sakrifica duke mos u shkëputur nga puna të përfundonte studimet e larta për Gjuhë – Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Pas përfundimit të arsimit të lartë, shërbeu gati 40 vite pune në arsim, duke dhënë Gjuhë – Letërsi dhe për 28 vjet si drejtor drejtor shkolle në disa shkolla të Beratit. Por si çdo kuadër tjetër, pas viteve 1990, kohë kur ai ishte drejtor shkolle në Tapi, gjoja në emër tw reformave, ai lirohet nga detyra dhe emërohet mësues në Goraj të Kuçovës. Falë aftësive të tij dhe vlerësimit të kolektivit petagogjik, drejtuesit e arsimit të asaj kohe, grisën vendimin e transferimit dhe e mbajtën mësues në Tapi, ku punoi deri në vitin 2000, kohë kur mori vendimin për t’u larguar nga arsimi.

“Është një nga vendimet më të vështira që kam marrë, por përballë presioneve ishte rruga më e drejtë”, – thotë Zoi. Gjithsesi puna ka qënë dhe mbetet pasioni i tij, ndaj 5 vjet ai iu përkushtua biznesit, me të cilin doli në selamet. Ndërtoi një shtëpi model në Urën Vajgurore dhe shkolloi tre fëmijët e tij, Altini si punonjës televizioni dhe drejtues i një firme reklamash Esmeralda petagoge në një nga Universitetet e vëndit dhe Albana ushtarake, misionare e Shqipërisë në SHBA.

Të kesh një mik si Zoi Strori

Një personazh me vlera, mësues në pension që të befason me krijimtarinë e tij dhe me faktin që ai po përjeton rininë e pleqërisë. Ai ka qënë dhe vijon të jetë njeriu i pasioneve të rinisë. Lëvizja dhe puna janë faktorët kryesorë të rinisë së tij.

Zoi Strori është autor i katër librave me vlerë historiko-letrare dhe monografi si: “Kronikë e gjurmëve të lirisë”, “Epoka e luftëtarëve të lirisë”, “Jetë në pavdekësi”, “Gjeneza e fisit Stroi”, monografi kushtuar Hekuran Baze. Ka në process botimi librin e pestë “Vite që flasin”.

Edhe pse ka vite që është larguar nga arsimi, në memorien e ish nxënwsve dhe kolegëve ai mbahet si model i njeriut dhe mësuesit, organizatorit dhe drejtuesit. Nuk ka shkollë ku ka punuar dhe drejtuar Zoi Strori që të mos ketë qënë shembull në të gjitha drejtimet.

Pas daljes në pension ai u angazhua tërësisht me Organizatën e Veteranëve të Beratit dhe Dimalit, ku prej vitesh kryen detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate patriotike. Prej vitesh ai është bashkëpunëtor i mediave të shkruara, veçanwrisht të “Kushtrim Brezash” dhe gazetës “Shpiragu”.

Për kontributin e tij në fushën e arsimit si mësimdhënës dhe drejtues shkolle, Zoi është vlerësuar me Medaljen “Naim Frashëri”. Ai mban titujt “Ambasador i Paqes”,”Nderi i Bashkisë Dimal” dhe titullin “Anëtar Nderi i LANÇ-IT”.

Sot për sot, edhe pse me origjinë është vlleh, Zoi është më dimalas se çdo dimalas, duke përfaqësuar denjësisht jo vetëm origjinën e të parwve të tij, por edhe shqiptarinë për të cilën ai vijon të kontribuojw me shpirtin dhe zemrën e një të riu, Të kesh një mik si Zoi Strori do të thotë të kesh një libër më shumë në bibliotekën tënde, sepse ai si njeri dhe intelektual mbetet ende një libër i pashkruar.