“Personazhi i radhës është më i thjeshtë se thjeshtësia, më i ndershëm se ndershmëria, më modest se modestia, pasi ai është lindur, rritur në zonat rurale të Beratit, por që prej vitesh ka kontribuar me mëndje të ndritur, punë të palodhur në dobi të komunitetit beratas. E ka nisur karrierën si specialist i mesëm, ka vijuar si specialist i lartë, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet e para të plutalizmit dhe sot kontribuon si qytetar i thjeshtë i vlerave të mëdha. Ai quhet Tomorr Haxhi. Beqollari…..”

Ndodh shpesh që nëpër qytetet tona, të brishta dhe të varfëra, të gjesh atë ç’ka nuk ta jep as zoti e as fati. Ashtu siç kanë vlera historike, arkitektonike, turistike dhe kulturore, qytetet tona, kanë me shumicë edhe vlera njerëzore. Dhe ky konstatim nuk është imi personal, por një e vërtetë e prekshme dhe që përbën lajmin më të mirë në këto kohë të vështita të një tranzicioni pafund. Fjala është tek resurset tona njerëzore, të cilat sipas epokave dhe kohëve të ndryshme kanë lënë gjurmë tek pasardhësit e sotëm, të cilët fatkeqësisht pak ose aspak janë fokusuar tek vlerat e të parëve të tyre.
Berati, ky qytet me vlera të lashta historike dhe arkitektonike, përveç “Kodikëve”, pasurisë më të madhe të lënë nga të parët, duhet ë ketë edhe një libër tjetër të ngjashëm me “Kodikët” e vjetër, ku të shënohen emrat e njerëzve qoftë edhe të thjeshtë, që kanë bërë punë të mëdha e kanë lënë emër në hisorinë e vjetër e të re të qytetit të tyre. Nuk duhet patjetër të bëhesh hero për një heroizëm spontant, por mjafton të kesh dhënë diçka nga shpirti për të mirën e shtëpisë, qytetit tënd, ku ke lindur e jeton.

Personazhi i radhës është më i thjeshtë se thjeshtësia, më i ndershëm se ndershmëria, më modest se modestia, pasi ai është lindur, rritur në zonat rurale të Beratit, por që prej vitesh ka kontribuar me mëndje të ndritur, punë të palodhur në dobi të komunitetit beratas. E ka nisur karrierën si specialist i mesëm, ka vijuar si specialist i lartë, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet e para të plutalizmit dhe sot kontribuon si qytetar i thjeshtë i vlerave të mëdha. Ai quhet Tomorr Haxhi. Beqollari…..

Vokopola, djeppërkundja
Tërpani është një nga krahinat më malore e më të ashpra në rrethin e Beratit. Aty bëjnë pjesë disa fshatra të përmbledhura kohët e fundit nën siglën e re “Krahina e Ballollit”. Një nga fshatrat me histori e me emër që në kohët e lashta, padyshim që është Vokopola. Përpos historisë së shkruar, ajo përmendet edhe për historinë e treguar, ku vendin kryesor e zënë tregimet për humoristin me emër, të madhin Like Rehova.
Pikërisht, në shtëpinë e thjeshtë prej guri të Haxhi Beqollarit, më 28 gusht 1953, u dëgjua e qara e një fëmije, i cili për gëzimin e të gjithë familjarëve ishte djalë. Djalë që do të ishte i rrethuar gjatë gjithë jetës me dashurinë e prindërve të tij Haxhiut e Vezires dhe i përkëdhelur dhe “llastuar” nga 6 motrat e tij. Fat për prindërit që pas 6 vajzave do të rrisnin, edukonin dhe arsimonin edhe një djalë, dritën e syve të tyre por fat edhe për vetë djalin që do të quhej Tomorr (simbol i forcës së Malit Tomorr), që do të formohej në një truall familjar gjithë dashuri e harmoni.

Vetë psikologjia e kohës se të qënit djalë, ishte një privilegj, aq më shumë kur qëllonte djalë i vetëm, shtonte në shumë dashurinë prindërore dhe përkëdhelitë e motrave. Kjo dashuri dhe përkujdesje nuk ka munguar asnjëherë për Tomorrin, madje edhe sot që i ka kaluar të shtatëdhjetat, vijon të thirret nga motrat si drita e syve të tyre.
Në Vokopolë ai mori dritën e parë të diellit dhe dritën e shpirtit për të qënë dikush dhe jo thjesht një njeri i zakonshëm province. Këtu kaloi fëmijërinë, natyrisht jo me salltanete, por një fëmijëri të shëndetshme, falë përkujdesjes së prindërve të tij. “Të mos harrojmë, thotë Tomorri se nënë Vezirja, e cila në Vokopolë thirrej Nënë Dedeja, ishte jo vetëm nëna e shtëpisë së madhe të Beqollarëve, por edhe nëna e mësuesve, të cilëve u gatuante bukën dhe ushqimin, ua lezetoste ditën me ndonjë gotë nardeni thane apo raki rrushi. Dedeja i quante mësues të fshatit si djem e vajza të saj dhe ata e quanin si nënën e tyre”
Në Vokopolë, në këtë harmoni dhe dashuri të ndërsjelltë mes prindërve dhe mësimdhënësve, Tomorri kryen shkollën fillore dhe atë tetëvjeçareë. Ai kishte etje për dije dhe kulturë, por nga ana tjetër mësuesit u bënë promotorrë të ngjizjes së dijes dhe kulturës në mendjen dhe shpirtin e tij. Madje në Vokopolë qysh në vitet 1960, përveç shkollës së ditës, u hap edhe shkolla e mbrëmjes për ata burra, gra, djem e vajza që koha i kishte lëë vetëm me dëftesën e shkollës fillore. Gjithçka falë kontributit të prindërëve dhe mësuesve të palodhur të asaj kohe.

Shkollën tetëvjeçare e përfundon në vitin 1970, natyrisht me vlerësimin shkëlqyeshëm. Pas arsimit 8 vjeçar, rruga ishte e hapur për arsimin e mesëm, ku dëshirat e djaloshit vokopolar ishin nga më të ndryshmet, ku sipa vetë Tomit, dëshira më e madhe ishte që ai të vijonte për mësuesi, për të qënë një pasyqrë rrugëtimi e mësuesve të tij. Por jo të gjithë dëshirat në atë kohë bëheshin realitet, për faktin që edhe arsimi planifikohej sipas nevojave të kohës dhe jo dëshirave të njërit apo tjetrit. Në vitet që flasim, nevojat më të mëdha të ekonomisë dhe bujqësisë ishin për kuadro që u shërbenin atyre. Në këto kushte, Tomorri e “harroi” arsimin dhe shkoi në Shkollën e Mesme Bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier, të cilën e përfundoi në vitet 1970 – 1974.
Këtu mori dije të mjaftueshme për bujqësinë dhe ishte gati të shërbente në vendlindjen e tij, por brenda shpirtit dhe mendjes së tij “zjente” dëshira për të vijuar shkollën e lartë e për të qënë dikushi dhe jo të bëhej thjesht një njeri i thjeshtë province. Duke qënë se shkollën e mesme bujqësore e kreu me rezultate të shkëlqyera, iu dha e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz. Në Degën e Zooteknisë të Fakuktetit të Veterinarisë, studime që i kreu në vitet 1974 – 1978 me rezultate të larta, mesatare 9.7.
Por Tomorr Beqollari kishte ende në mendje objektiva të parealizuara, ndaj në vitin 1979, i vetëm mes dy studentëve të tjerë, mbrojti Diolomën Shkencore me temë “Për metodat shkencore të të ushqyerit dhe trajtimit të lopëve në rritjen e rendimentit të qumështit”. Këtë temë e realizoi në Ndërmarrjen Bujqësore Uznovë, Berat dhe e mbrojti para trupës profesioniste të Institutit Bujqësor të Kamzës në Tiranë, ku u vlerësua me notën 10.

Mendjehapur dhe zemërmirë
Natyrisht që pas largimit nga shkolla, një tjetër betejë, tashmë e hapur, ballë për ballë me komunitetin, do të ishte për të sprova më e madhe e jetës së tij. Duke qënë njeri inteligjent, mendjehapur dhe zmërmirë më njerëzor, ai do të sfidonte çdo sfidë që do të shfaqej në “teatrin” e përditshëm të punës.
Fillimisht u emërua “Specialist i Lartë” në Rrethin e Beratit dhe Ministria e Bujqësisë u kërkoi organeve të pushtetit lokal të kohës që të shërbente me punë në Ndërmarrjen Bujqësore në Uznovë të Beratit, aty ku kishte realizuar dhe mbrojtjen e diplomës shkencore. Ishte koha kur në Kooperativën Bujqësore në Tërpan, me numër të madh blegtorie, kishte shumë ngordhje dhe therje të sforcuara, dhe duhej një njeri mendjehapur dhe krijues në punën e tij që ta nxirrte këtë ekonomi nga situata e krijuar. Dhe njeri më kompetent se Tomorr Beqollari nuk mund të kishte.
Shërbeu në Kooperativën Bujqësore Tërpan dhe kontributin e tij si Kryespecialist i parë i Blegtorisë nga viti 1978 – 1986, duke sjellë në këtë ekonomi ndryshimin dhe progresin e pritshëm. Kjo ekonomi, falë punës krijuese dhe shkencore të tij, u kthye në një shkollë të përvojës së përparuar ku fokusi ishte tek trajtimi i blegtorisë mbi baza shkencore. Krahas punës në terren si specialist, Tomorri, jepte mësim si mësues i jashtëm në lëndën e Zooteknisë në sistemin arsimor të ditës dhe të natës në shkollën e mesme bujqësore të Tërpanit.
Në vitin 1986 emërohet Kryetar i Kooperativës të Levan – Velçan – Osmënzezë ku shërbeu deri në vitin 1988. Kjo ishte ekonomia më e dobët për kohën në rrethin e Beratit, e cila falë përkushtimit të tij ndryshoi shumë shpejt. Ndërkohë ai punonte për të merituar titullin “Kandidat i Shkencave Zooteknike” me udhëheqës profesorë të shquar të Institutit Bujqësor në Kamëz. Ishte koha kur familja e tij u vendos me banim në Berat dhe ai kishte kohën e duhur për të punuar në evolimin e tij shkencor.

Pas riorganizimit të ekonomive bujqësore pas viteve 1980, Tomorri emërohet Kryetar Kooperative në vendlindjen e tij Vokopolë. Tashmë ndihej më i lumtur se kurrë që do të kontribuonte në “vatanin” e tij të dashur, në djeptundjen e tij. Me shumë mund e sakrifica këtë ekonomi e nxorri nga kriza financiare dhe e vendosi mes ekonomive më të mira të rrethit.
Pas shkrirjes së ekonomive bujqësore pas viteve 1990, edhe pse ishte zgjedhur nga Krahina e Tërpanit si Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në Parlamentin e parë Pluralist, ai ngriti një komision dhe realizoi ndarjen dhe privatizimin e tokës dhe pasurisë publike sipas ligjit, duke mos krijuar as më të voglën amulli.
Në vitet 1992 – 1993, emërohet specialist në në Filialin e Zooteknisë të Drejtorisë së Bujqësisë Berat, por nenei famëkeq 24/1 nuk e kurseu as djersën e derdhur të Tomorr Beqollarit, duke e detyruar atë që së bashku me familjen të emigroj e të vendoset në Kretë të Greqisë, ku qëndroi 17 muaj.

Në vitin 1997 kthehet në Berat dhe fillon punë në Prefekturën e Beratit në detyrën e Përgjegjësit të Zyrës së Personelit, të cilën e kreu deri në vitin 2009. Është ndoshta i vetmi njeri që punoi me 8 Prefektë dhe asnjëherë nuk u paragjykua, qoftë edhe nga eprorët me bindje të kundërta me të. Edhe në “familjen” e tij të majtë, ai pati probleme të qëndrimit idealist të tij dhe për këtë u ndëshkua me largim nga detyra, të cilën e fitoi me vendim gyjqësor. E mbylli karrierën e tij të punës në vitin 2018 si punonjës në Ndërmarrjen e Ujësjellsë Kanalizimeve, një shpërblim i padenjë për një njeri e specialist si Tomorr Beqollari.
Tashmë ai jeton me bashkëshorten e tij Jorgjien, bijë nga Fieri, edhe ajo specialiste në sektorin bujqësor dhe gëzon frutet e jetës që i kanë dhuruar dy fëmijët e tij, Fredi – emigrant në Gjermani, vajza Aida mësuese me përvojë në Berat dhe shijon dashurinë që i falin çdo ditë nipërit e mbesat.
Oazi i tij, tashmë në pleqëri është një copë tokë, e blerë buzë lumit të cilën ai e ka pagëzuar me emrin “Riviera” dhe aty gjen shlodhje.





















