Mark RICA Ekonomist, Audit
Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën: Ka mbi 15 vite që në Shqipëri nuk është bërë asnjë rritje reale pensioni. Deri tani ka patur vetëm indeksim të rritjes së çmimit të mallrave (apo indeksim të inflacionit). Kushdo që përdor tog-fjalshin “rritje pensioni”, mashtron….
Nxitje për të shprehur opinionin tim për pensionet, u bënë dy deklarata: E para: Zonja Olta Manjani, zëvëndësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka fajsuar “zgjatjen e jetës së pensionistëve” për rëndimin e buxhetit. Pa etikën elementare të një pushtetari, që falë kësaj moshe që sot janë në pension, ka lindur, shkolluar, e tani me taksat e shqiptarëve paguhet sa 8-10 fishi i një pensioni mesatar, paska deklaruar: “Të moshuarit po jetojnë më gjatë, dhe kjo rëndon mbi skemën e pensioneve….” Më poshtë; kjo pushtetare, duke e politizuar edhe këtë fenomen, jetëgjatësinë e lidh me përmirësimin e kushteve ekonomike dhe rritjen e standarteve të jetës… (Referuar një artikulli të publikuar në Gazetën TELEGRAF, datë 23 Tetor 2024, f. 8 )
Nuk e di formimin intelektual të kësaj Zonje, por lidhur me jetëgjatësinë në Shqipëri kjo nuk di asgjë. Si studjues në fushën e ekonomisë, po ju them e nderuar, se ka pesë vite që jetëgjatësia në Shqipëri nuk është rritur as një muaj, përkundrazi është ulur. Nga viti 2019 e deri tani, si efekt i Covidit, jetëgjatësia është ulur dhe në vitin 2024 akoma nuk e ka arritur nivelin e vitit 2018, që rezulton më e larta deri në sot, me 79.1 vite. Pra, nuk ka pas “rritje jetëgjatësia” për të rënduar buxhetin ! Po pyes publikisht zëvëndësministren: -A keni dijeni ju për publikimet e vazhduara të Forumit Ekonomik Botëror për të dhënat e jetëgjatësisë??
-Në listën e publikuar që përfshin 137 vende nga e gjithë bota, Shqipëria renditet e 39-të, me jetëgjatësi mesatare 78 vite. Në vendet europiane me jetëgjatësi më të lartë se Shqipëria, si Italia, Spanja, Suedia, Zvicra, Luksemburgu, etj., me jetëgjatësi mbi 83 vite, megjithë problematikat e tyre si rezultat i plakjes së popullsisë, nuk ka “guxuar” dikush të “fajsoje” jetëgjatësinë për vështirsitë financiare në buxhet për pensionet….(Do të ishte mirë t’i dini këto statistika nga INSTAT dhe Forumi Ekonomik Botëror )….
E dyta: Në turrnin e takimeve të Kryeministrit me pensionistët gjatë këtyre ditëve, në disa qytete të vendit, ai në vënd që të thoshte reformat e ndërmarra nga Shteti për rritjen e pensioneve, dha “lajmin” qesharak: “- Për çdo përqindje të rritjes së të ardhurave, ato do të shkojnë për rritjen e pensioneve…” Jo i nderuar Kryeministër ! Kjo është të tallesh me pensionistët. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, por trajtim me dinjitet. Gjithashtu, problematikat e shumta jetësore, që ata kanë, nuk i zgjidhin as BONUSET e fund-vitit, as indeksimi i normës së inflacionit (4.1%). Ata kërkojnë pensione dinjitoze për kontributet e tyre të larta që kanë dhënë për gati një gjysëm shekulli. Ata kërkojnë miratimin e minimumit jetik dhe hartimin e miratimin e reformave ekonomike për t’u siguruar ky minimum ku në Shqipëri duhet te jetë mbi 220 Euro në muaj. (Në syrtaret e Kuvendit, prej kohësh “flejnë” propozimet konkrete të Avokatit të Popullit dhe të grupeve të Shoqërisë Civile për minimumin jetik.)
Prej pesëmbëdhjetë vitesh nuk ka patur rritje të pensioneve në Shqipëri, por indeksim të inflacionit.
Rëndom, jemi mësuar tashmë të dëgjojmë nga politikanë, pushtetarë, ministra; por fatkeqësisht edhe drejtues të institucioneve financiare se; “këtë muaj apo këtë tremujor do të rriten pensonet me x %”.
Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën: Ka mbi 15 vite që në Shqipëri nuk është bërë asnjë rritje reale pensioni. Deri tani ka patur vetëm indeksim të rritjes së çmimit të mallrave (apo indeksim të inflacionit). Kushdo që përdor tog-fjalshin “rritje pensioni”, mashtron….
Në Shqipëri akoma nuk ka një strategji të miratuar për zhvillimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Megjithse deri tani legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka ndryshuar 22 herë, ende nuk është arritur reformimi i këtij sistemi dhe dhënja e ndonjë zgjidhje konkrete për problematikat e shumta që ka ky sistem jetik për mbi 25 % të popullsise në moshë pensioni ( Raportohen se janë 791 mijë pensionistë).
Po çfarë është inflacioni?
Sot në çerekun e parë të shekulli XXI, nuk është nevoja të jesh një studiues i teorisë ekonomike për të kuptuar se çfarë është inflacioni dhe se çfarë shkakton ai, te çdo qytetar, e më rëndë te çdo pensionist. Gjithashtu sot përgjithësisht njihen edhe shkaqet që e prodhojnë inflacionin, ku kemi të bëjmë me dy faktor kryesor: a.- Atje ku ka shumë para ka rritje çmimesh; b.- Atje ku të mirat materiale dhe shërbimet e ofruara janë të pakta, përsëri do të ballafaqohemi me rritje çmimesh. Për të dyja rastet e cituara do të thotë që ka inflacion.
Inflacioni pra ështe përqindja me të cilën rriten çmimet e mallrave dhe shërbimeve. (Bie fjala, për vitin 2023 inflacioni nga INSTAT u raportua 4.1 %. Për të njëjtën shumë parash, gjatë vitit 2024 mund të blehen më pak mallra sesa mund të ishin blerë gjatë vitit 2023. Kur çmimet rriten (dhe të gjithë e vërejmë këtë ndryshim), fuqia blerëse e parave zvogëlohet…
Shteti, indeksimin e këtij inflacion, (pra 4.1 %) e konsideron rritje pensioni…
Në një shtet të së drejtës, indeksimi i normës së inflacionit duhet të bëhet sapo të mbyllet viti. Pra, që nga Janari 2024, çdo pensionisti dhe çdo të punësuari duhej t’i kompesohej inflacioni (4.1 %) dhe jo pas 10 muajsh . Rritja e pensionit, është tjetër gjë…
Pse ekziston kjo situatë?
Shqipëria, si shumë vende të ish regjimeve komuniste, përballet me probleme të shumta politike, ekonomike dhe sociale, që e pengojnë gjithnjë e më shumë zhvillimin e vendit me karakteristikat e një ekonomie të lirë. Këto problematika prekin të gjithë shoqërinë, por më rëndë, pensionistët ku përfshihet 1/4 e popullsisë. Kjo situatë ndodh pasi:
1.- Në Shqipëri akoma nuk ka një strategji të miratuar për zhvillimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Megjithse deri tani legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka ndryshuar 22 herë, ende nuk është arritur reformimi i këtij sistemi dhe dhënja e ndonjë zgjidhje konkrete për problematikat e shumta që ka ky sistem jetik për mbi 25 % të popullsise në moshë pensioni ( Raportohen se janë 791 mijë pensionistë).
2.-Informaliteti në ekonomi ka çuar që rreth 60 % e të punësuarëve, kontribojnë në nivelet minimale të pagave që përfitojnë në vendet e punës ku janë të punësuar dhe jo të pagave që marrin, ose punojnë “në të zezë” ( pa derdhur kontributet).
Si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ashtu edhe nga sistemet e Auditimit dhe Kontrolli Tatimore, disa herë është konstatuar ky fenomen, por ndikimi ka qenë minimal. Aktualisht sot, numri i kontribuesëve, në raport me numrin e përfituesve është 1 me 1.025. (Për sa më sipër i jam referuar një raportimi të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja, ku në një postim në rrjetet sociale në muajn Gusht deklaroi: “ Për periudhën Janar-Korrik 2024 numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore rezultoi në total 772 636, në një kohë që numri i përfituesëve, (siç përmendëm më sipër ) është 791 mijë pensionistë .
Zonja Olta Manjani, zv/ministre ka fajësuar “zgjatjen e jetës së pensionistëve” për rëndimin e buxhetit. Pa etikën elementare të një pushtetari, që falë kësaj moshe që sot janë në pension, ka lindur, shkolluar, e tani me taksat e shqiptarëve paguhet sa 8-10 fishi i një pensioni mesatar, paska deklaruar: “Të moshuarit po jetojnë më gjatë, dhe kjo rëndon mbi skemën e pensioneve….” Më poshtë; kjo pushtetare, duke e politizuar edhe këtë fenomen, jetëgjatësinë e lidh me përmirësimin e kushteve ekonomike dhe rritjen e standarteve të jetës
Përveç informalitetit të lartë të punës, që përkeqëson defiçitin, (fenomen që e përmendi edhe Kryeministri), duhet marrë parasysh edhe fakti se; Shqipëria bashkë më disa vende të Europës Lindore është e ekspozuar nga fenomeni i plakjes së popullsisë që në vetvete sjell rënien e numrit të punonjësve dhe kontributeve në skemat e pensioneve. Kam studjuar këtë fenomen këtu në Itali (ku jetoj) dhe rezulton se: -Në vitin 2023 popullsia pësoi një rënje, (ra në afër 60 milion). Numri i të punësuarve është rreth 23 milion, pothuaj se i barabartë me numrin e pensionistëve (22.8 milion.) (Shënim: Për këto të dhëna i jam referuar raportimit të Presidentit të ISTAT në Parlamentin Italian, Z. Giancarlo Blangiardo.)
3- Sipas raportimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, stoku i borxhit të papaguar për sigurimet shoqërore në fundin e vitin 2023 arriti në 214 milion euro nga 172 mln euro në fund të vitit 2022, që e përkeqëson akoma më tepër situatën në të ardhmen. (Burimi; -Raport i KLSH dhe OraNjuz datë 16 Shkurt 2024)
Si mund të dilet nga kjo situatë?
Ekspertët e fushës, por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit disa herë kanë dhënë rekomandimet e tyre, por u bënë 33 vite pa zgjidhje konkrete. Personalisht, si ekonomist me mbi 50 vite eksperiencë po sugjeroj vetë dy propozime:
1.-Është nevojë urgjente ndërhyrja në sistemin e pensioneve dhe ofrimi i formave alternative midis sistemit shtetëror dhe atij privat, i cili do të gjeneronte pensione më të larta për qytetarët. Këto ndryshime kurrë nuk mund të bëhen nga mediokër, që ngrohin karriket në instiucionet e shtetit, falë qokave partiake për kontributet e tyre në fushata elektorale. Në Shqipëri ka me dhjetra ekspertë e profesor të ekonomisë, (një pjesë edhe të pa punë) që po t’u kërkohet mendimi dhe të përfshihen në projekte studimore, do të rekomandonin ndryshimet e duhura ligjore. Për sa më sipër, personalisht e mbështes variantin e propozuar nga Banka Botërore, ku shprehet: “ Futja e sistemit me shumë shtylla, të aplikuar në shumë vende Europiane, të cilat kanë arritur të shmangin problemin e plakjes së popullsisë . Këto variante duken të përshtatshme për shumë dekada të tjera edhe për Shqipërinë.”
2.-Ka ardhur koha që të ndryshohet skema e pensioneve, duke ndryshuar normën e kontributit për punonjësit, si për ata të sektorit publik ashtu edhe privat.
Sipas studimeve të ekspertëve ekonomikë, qëndrueshmëria sociale dhe financiare e sistemit të pensioneve mbetet e pambrojtur me normat aktuale të kontributit, pasi normat ekzistuese kanë krijuar një deficit të lartë që aktualisht e bën sistemin, financiarisht të falimentuar.
Për pensionistët, Shteti dhe shoqëria të mos kujtohen vetëm në kohën e zgjedhjeve…