Roland Keta/ Qeveria i ka tradhtuar minatorët!

699
Çdo minator apo qytetar, në ato qytete ku ka aktivitet minerar po shikon, se qeveria i ka tradhtuar minatorët dhe nuk ka vullnet t’i dëgjojë dhe të kthejë vëmendjen tek problemet që kanë minatorët. Qeveria u premtoi minatorëve të Bulqizës dhe minatorëve në gjithë Shqipërinë për statusin e minatorit dhe sot në vitin e tretë të qeverisjes, minatorët janë të braktisur. Politika i ka borxhe Bulqizës. Atje ndodhen pasuritë më të mëdha të vendit, si minierat e kromit, mineral i kushtueshëm që ka kontribuar në buxhetin e shtetit miliona dollarë, por fatkeqësisht muajt e fundit, si rezultat i tregut ndërkombëtar, ka rënë ndjeshëm çmimi i kromit. 


Këto miniera e kanë filluar aktivitetin e tyre nxjerrës që nga viti 1948 dhe deri në vitin 2001, u administruan nga shteti dhe nga 10.05.2001, nga qeveria e majtë e asaj kohe iu dha me koncesion “DARFO ALBANIAS s.p.a” për një periudhë 30-vjeçare dhe që nga ajo kohë është dhënë disa herë në kontraktorë të ndryshëm, pa i analizuar mënyrën e dhënies. Nga 2005, si rezultat i rritjes së tregut të kromit dhe rritjes së çmimit të tij, janë dhënë qindra leje minerare. Miliona dollarë ka marrë shteti nga kjo pasuri, rreth 4 milion dollarë çdo vit, pra vetëm për 10 vitet e fundit, mbi 40 milionë dollarë, pa llogaritur shfrytëzimin prej 60-65 miliardë dollarësh, por si është ajo zonë? E varfër, me probleme të mëdha sociale, me infrastrukturë të dëmtuar, me dhjetëra të vdekur, me qindra invalidë, ambiente dhe kushte jo të favorshme për pune, paga të ulëta dhe jo vëmendje për minatorët dhe qytetin e tyre. Në 2 vitet e fundit ka rënë prodhimi i kromit si rezultat i presionit, panikut dhe politikave të kësaj qeverie duke rritur taksat, por 4-5 muajt e fundit, si rezultat i rënies së tregut ndërkombëtar, ka një rënie të theksuar të çmimit të kromit dhe aktivitet minerare janë në ditët më të vështira. Subjektet i janë drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për të hartuar politika dhe për t’i ndihmuar këto biznese, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhët. Sot ka mbi dhjetëra biznese që kanë mbyllur aktivitetin dhe janë lënë në rrugë të madhe mbi 300 punëtorë. A kanë vallë këto familje? Me çfarë do ushqehen? Ku shkoi puna dhe djersa e tyre? Pse biznesi duhet t’i linte në rrugë të madhe? 


A është shkelur kodi i punës? Ku janë sindikatat? Ku është qeveria? Sot, edhe ato biznese që vazhdojnë aktivitetin, kanë ulur pagat deri në 1500 lekë. Ky është turp! Nuk ka moral për shtetin dhe biznesin. A janë ligjore këto? Vallë ku ishte çmimi i kromit mbi 250 dollarë? Sa ishte paga e punëtorëve? Pse duhet që të jetë kjo pagë qesharake? A e dini se ato futen në miniere në mëngjes dhe nuk janë të sigurt, nëse do të dalin të gjallë në mbrëmje? A i kanë kushtet e punës të sigurta? Le të kthehemi tek ajo që po bën shteti: Bizneset kërkuan nga qeveria që të ulet renta minerare dhe të ulet tatim-fitimi. Qeveria duhet të ndërhyjë urgjent për të ndihmuar me politika këtë aktivitet dhe të mos i tradhtojë minatorët, por t’i mbështesë ato. Ato sot janë të braktisur nga gjithçka. Shërbimin shëndetësor në Bulqizë nuk e kanë të sigurt. Spitali i Bulqizës është pa kirurgë dhe pa reanimatorë. Ku është statusi i minatorit, që u premtua?! Kjo qeveri uli moshën e pensionit dhe mirë bëri! E përshëndesim të gjithë, por çfarë bëri nga ana tjetër? Rriti % e kontributeve me +5%. Pra, minatorët e blejnë me kontributet e derdhura vetë këtë 5-vjeçar, por çfarë ndodh edhe me këtë ligj?! Minatorët janë tradhtuar nga qeveria, sepse sipas informacioneve nuk u derdhen sigurimet 3% nga subjektet. Pra, minatorët nuk janë të siguruar sipas ligjit. Qeveritarë! U kemi borxhe minatorëve! Ata nuk e meritojnë tradhtinë! Ktheni vëmendjen tek ata. Jepni dhe ktheni rentën minerare në qytetin e Bulqizës! Minatorët janë heronjtë e Shqipërisë dhe të shtetit!
Sigal