Prof. Dritan Spahiu/ A ka moral politika dhe “politika” e Kaç Islamit?

918
Sigal

Kushdo që ka lexuar një intervistë të Kaç Islamit, që u botua para pak kohe në gazetën “Dita”, do të befasohet me deklarimet e tij të mbushura me fjalor rruge. Në këtë intervistë ai e paraqet veten e tij ashtu siç është, pa fshehur asgjë nga pisllëqet e karakterit të tij dhe të veprimeve që kryen. Është i çuditshëm fakti se si ky “politikan” shqiptar vendin ku ka lindur, “ku i ka rënë koka”, siç thoshte poeti, e quan një “hale në qendër të Europës”? Kjo deklaratë e pastër antikombëtare është një poshtërim që i bën vetes Kaçi i Zi, siç e ka quajtur dikur S. Berisha. Por Kaçi nuk është më i zi, ai tashmë ka ndërruar ngjyrë dhe është bërë blu. Me këtë veprim ai është bërë i urryer dhe i përbuzur nga shqiptarët. Prandaj nuk mund të përmendim emrin e tij të plotë, një emër i bukur shqiptar, që i’a kanë vënë prindërit me dëshirën e madhe që djali i tyre të bëhej një Kastriot i vërtetë i vendit të vet, por me ato që deklaron ai nuk e meriton aspak këtë emër. Do të ishte interesante të mësonim se çfarë përgjigje do t’i jepte Kaçi pyetjes që mund t’i bëhej atij se si do ta gëlltisnin këtë deklaratë të rinjtë shqiptar, që të veshur me Flamurin Kuq e Zi, brohorasim në çdo manifestim: Jemi krenar se jemi shqiptar”? Kaçi duhet ta ketë të qartë se Shqipëria nuk poshtërohet nga të ashtuquajturit politikanë, që dëshmojnë se merren vetëm me pastrim plehrash e që janë futur në politikën shqiptare pa pasur asnjë vizion, pa pasur asnjë ideal. I kujtojmë Kaçit se Shqypnia ka kenë një zojë e randë, që burrat e dheut i thoshin nanë. Por këtë zonjë e kanë qitë me krye në hi” personat pa pikë dinjiteti e morali, të ashtuquajturit politikanë, që i janë ngjitë trupit të saj si ato krimbat që thotë i madhi Gj. Fishta e që po i pinë gjakun duke e vjedhur, duke e grabitur e pastaj duke e fyer me fjalor rruge. Personat që flasin me këtë lloj fjalori populli i vuajtur i këtij vendi i quan rrugeçër dhe ata meritojnë vetëm përbuzjen dhe përçmimin e tij. Kaçi dëshmon me një dozë të fortë mediokriteti se E. Rama e paska dënuar me vdekje si politikan, sepse nuk e ka pranuar si pjesëtar të politikës së tij. Në këtë mënyrë Kaçi dëshmon fare qartë se E. Rama paska vepruar shumë mirë duke larguar nga politika persona të tillë që janë kapur fort vetëm pas karrigeve të pushtetit, jo për t’i shërbyer shoqërisë shqiptare apo Shqipërisë, por që me çdo kusht e me çdo çmim duan të jenë në politikë. Në të vërtetë Kaçi paska qenë me fat! Atë e shpëtoj nga vdekja politike “armiku i tij më i egër”, që e bëri deputet të PD-së. Ky veprim i përçudnuar paraqet një dënim të rëndë jo vetëm për Kaçin por edhe për vetë PD. Lexuesve të këtij shkrimi po i rikujtoj një deklarim të egër të Kaçit në një miting të partisë së tij të asaj kohe kur nga stadiumi Dinamo i kryeqytetit ai u bëri thirrje militantëve dhe mbështetësve të pranishëm në atë miting të dalin në bulevard dhe tu thyejnë kokat e pastaj të tërheqin zvarrë kafkat anëtarëve të PD. Për ironi të fatit ky person “përfaqëson” sot politikat e PD. në parlamentin shqiptar! Nuk e di si do ta ndjenin veten po të ishin  gjallë të nderuarit P. Arbnori, A. Hajdari, A. Spahiu si dhe plotë demokrat të tjerë të vërtetë të idealeve të dhjetorit kur shohin Kaçin si pjesë të grupit parlamentar të PD? Kalimi në krahët e kundërshtarit të tij politik e çon atë automatikisht në grupin e politikanëve të pamoralshëm, sepse ai e ka shitur veten e tij vetëm për një karrige deputeti. Me veprimin e tij të pështirë, duke iu bashkuar grupit parlamentar të PD-së, Kaçi pati deklaruar se politika nuk ka moral. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Politika, në kuptimin e mirëfilltë të saj, vepron mbi bazën e rregullave dhe parimeve shumë të sakta e të qarta, gjithmonë në dobi të shoqërisë e për t’i shërbyer asaj. Kjo gjë dihet që nga koha e Aristotelit që ka jetuar e ka shkruar traktate për politikën dhe për shtetin 300 e ca vjet para erës së re. Por të mos shkojmë aq larg. Në pranverën e vitit 2013 në Itali u bënë zgjedhjet parlamentare dhe si rezultat i tyre fitoi Partia Demokratike e Pjer Luixhi Bersanit, një politikan shumë simpatik dhe shumë qytetar. Por ai nuk kishte shumicën e nevojshme të përfaqësimit në Parlament për të formuar qeverinë. Presidenti i Republikës Italiane e ngarkoi atë të për të bërë përpjekjet e nevojshme me partitë e tjera për të siguruar një koalicion të përshtatshëm për të qeverisur Italinë. Por Bersani nuk arriti ta bëjë këtë gjë me partitë që kishin përfaqësim të vogël në Parlament, kurse me kundërshtarin e tij politik, që kishte përfaqësim të madh, nuk pranoi kurrsesi të formonte qeverinë. Arsyen e këtij vendimi ai e shprehu qartë me një fjalim brilant që mbajti më 18 mars 2014 para gazetarëve. Ai theksoi se, koalicioni me partinë kundërshtare do të ishte një veprim i pamoralshëm për atë vetë dhe për partinë e tij; ai tha se po të bënte një koalicion të tillë ai nuk do të kishte as moralin dhe as përgjegjësinë politike për t’u kërkuar qytetarëve italianë votën e tyre për të qeverisur Italinë në zgjedhje të tjera politike. Kështu pra Bersani nuk pranoi të formonte qeverinë dhe as të ishte Kryeministër, vetëm sepse këtë gjë ai e konsideron si një veprim të pamoralshëm, duke dhënë kështu modelin se politika e vërtetë bëhet nga politikanë të moralshëm. Por në Shqipëri Kaçi, me gjoja kulturë europiane, thotë se, politika nuk ka moral dhe kjo është e vërtetë vetëm për politikanët e pamoralshëm siç është ai vet. Gazetarja që e intervistoi thotë se Kaçi ishte shumë i stresuar. Natyrisht, ai e ka kuptuar veprimin e tij të shëmtuar kur u hodh në prehrin e kundërshtarit të tij politik prej më se 20 viteve për t’u vënë në shërbim të tij. Veprimi i shëmtuar i tij, por edhe sukseset në qeverisjen e ish- kryetarit të partisë së tij të mëparshme, të vlerësuara nga ndërkombëtarët, po e tërbojnë Kaçin përditë, po e vdesin si atë moralisht. Për Kaçin do të kishte qenë shumë më mirë sikur të kishte qëndruar në partinë e tij ose të largohej që andej e të dilte si individ i pavarur dhe të bënte opozitën si të donte e si të gjykonte. Kjo do të ishte në nderin e tij. Shembull i mirë për të do të ishte qëndrimi i Arben Malaj, i cili gjithashtu, i larguar nga politika e drejtuesit aktual të partisë së tij, po bën një opozitë të qytetëruar duke parashtruar pikëpamjet e veta me argumentimet e tij për zhvillimet ekonomike të vendit tonë. Por për Kaçin kjo mënyrë të vepruari nuk vlen, sepse ajo nuk i siguron atij karrigen e deputetit, pa të cilën e quan veten të vdekur. Gazetarja duhet ta kishte pyetur Kaçin po me Shqipërinë dhe shqiptarët çfarë pate që i fyen aq keq? Shqipëria e ka lindur dhe shqiptarët e kanë mësuar dhe janë munduar ta edukojnë e ta shkollojnë, ata kanë paguar edhe studimet e tij jashtë shtetit dhe me parat e tyre ai ka blerë ato kostumet dhe parfumet franceze që i përmend në intervistë. Pse kaq mosmirënjohës dhe i pasjellshëm është  ky “politikan” ? Por ky është morali i tij. Në këtë rast gjithkujt i shkon në mendje thënia e të madhit Ali Asllani: “Është koha e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”. Në intervistën e tij Kaçi thotë gjithashtu se i pëlqen shumë Ajnshtajni dhe sidomos thëniet e tij të mençura.Por me ato që thotë Kaçi kuptohet se ai nuk e ka njohur fare shkencëtarin e famshëm. Po ju kujtoi të nderuar lexues se Ajnshtajni e ka dashur shumë shkencën e bukur të Fizikës dhe e pati zgjedhur atë si motiv të punës dhe jetës së tij. Ai nuk pranoi ta linte Fizikën edhe kur e ftuan të bëhej presidenti i parë i shtetit të Izraelit që sapo ishte krijuar. Ai falënderoi përfaqësuesit e zgjedhur të këtij shteti për ftesën dhe nderin që po i bënin, por nuk mund të linte studimet e tij në fushën e Fizikës e të merrte postin e lartë politik të presidentit të shtetit. Ja ky është Ajnshtajni që nuk pranon të futet në politikë e as të jetë president, që nuk e ndërron veprimtarinë e tij të vështirë shkencore me asnjë ofiq politik. I kërkoi mirëkuptim lexuesit se me këto që them nuk mund  të krahasohet kurrsesi Kaçin me këto figura shumë të nderuara, që e kanë primare moralin në gjithë veprimtarinë e tyre, kurse Kaçi pranon të braktis çdo gjë, të shkelë çdo parim morali vetëm për të siguruar një karrige pushteti apo një vend në parlament. Në një intervistë të dhënë në një studio televizive këto ditë Kaçi thotë se Edi Rama nuk i do pranë vetes personat me kulturë europiane, që kanë bërë studime jashtë shtetit, siç ka bërë ai në Francë dhe Gjermani. Ai nuk e kupton se mirësjellja njerëzore, edukata dhe morali nuk dëshmohet vetëm me dëshmi studimesh universitare, por më së ploti ato dëshmohen nga karakteri i njeriut. Me që Kaçi thotë se i pëlqejnë shumë thëniet e Ajnshtajnit, po i kujtoj njërën prej tyre. “Mos i gjykoni njerëzit për ato që thonë, por vlerësojini për ato se çfarë bëjnë”. Gjithsesi mendoj se intervista e Kaç Islamit ia ka vlejtur të botohet, sepse nëpërmjet saj shqiptarët po njihen gjithnjë e më shumë me personat që i kanë qeverisur e që kërkojnë të vazhdojnë të qeverisin, të cilët me qeverisjen e tyre e kanë çuar Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare në një gjendje skajshmërisht të mjerueshme, paçka se ajo ka burime të jashtëzakonshme për të siguruar një mirëqenie shumë të lakmueshme e të merituar nga shqiptarët. Këta persona kanë menduar e vepruar vazhdimisht që të përfitojnë prej politikës me të gjitha mënyrat, përfshi këtu edhe ato të paligjshme dhe nuk janë shqetësuar aspak për interesat e Shqipërisë apo të shqiptarëve. Fyerjet e paskrupullta që “deputeti” Kaçi i bën publikisht Shqipërisë, deklarata e tij antikombëtare kundër vendit tonë të lindjes, atdheut tonë të përbashkët, gjesti i tij i shëmtuar të për të qëndruar me çdo kusht në parlamentin shqiptar si dhe shkelja e etikës më elementare, janë tregues shumë të fortë që dëshmojnë se qëndrimi i tij në këtë institucion është krejtësisht i pa pranueshëm dhe parlamenti duhet të gjejë mekanizmat për ta larguar atë që andej sa më parë. Dinjiteti i vendit tonë nuk duhet të lejohet të nëpërkëmbet nga askush. Dhe në fund një këshillë për gazetarët: mjaft më me Kaç Islamin e të tjerë si ai, mos u merrni me ta se nuk do të gjeni asgjë të mirë prej tyre, kurseni bojën dhe letrën e gazetave sepse kështu do t’i keni bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve shërbimin më të mirë.

.

 “SOM”

Fyerjet e paskrupullta që “deputeti” Kaçi i bën publikisht Shqipërisë, deklarata e tij antikombëtare kundër vendit tonë të lindjes, atdheut tonë të përbashkët, gjesti i tij i shëmtuar të për të qëndruar me çdo kusht në parlamentin shqiptar si dhe shkelja e etikës më elementare, janë tregues shumë të fortë që dëshmojnë se qëndrimi i tij në këtë institucion është krejtësisht i pa pranueshëm dhe parlamenti duhet të gjejë mekanizmat për ta larguar atë që andej sa më parë. Dinjiteti i vendit tonë nuk duhet të lejohet të nëpërkëmbet nga askush.