Prof.Dr. Zamira Çavo: A mund të shërojmë dot “kancerin” që ka pushtuar shkollën?!

377
Sigal

“Kemi një rritje të madhe të analfabetizmit funskional në shkolla. Rritje të agresivitetit , dobësi në mësimdhënie, mangësi në tekste. Shkolla ka nevojë për t’u shkundur nga themelet”

Për të qindën herë po them se shkolla sot është në gjendjen më të mjerueshme të sajën. Dhe kur them shkolla, kam parasysh arsimin.Të gjithë e vërejmë këtë gjë e secili mundohet të japë mendimin e tij. Debatet janë të gjitha shterpë, pasi nuk po kuptohet as serioziteti i situatës dhe as problematikat e shkollës! Dhe mbi të  gjitha nuk po kuptohet se problematikat e shkollës janë problematika të të gjithë shoqërisë! Të gjithë ankohemi po askush nuk po kupton seriozisht se çfarë duhet bërë me shkolllën.

Kemi një rritje të madhe të analfabetizmit funskional në shkolla. Rritje të agresivitetit , dobësi në mësimdhënie, mangësi në tekste etj etj, sepse janë kaq të shumta problematikat që ne themi, por në mendimin tim të gjitha  këto janë sipërfaqësore. Shkolla ka nevojë për t’u shkundur nga themelet. Të gjitha problematikat e mësipërme vijnë si pasojë e gjendjes “as mish as peshk” ku ndodhet shkolla.

Le ta sqarojmë në vija të përgjithshme vetëm 2 problematika (pasi ka dhe të tjera):

-Misioni i shkollës është të transmetojë dije dhe kulturë dhe t’i përgatisë nxënësit e studentët për jetën e sidomos për të ardhmen e tyre. Që këtu po shohim një kontradiktë të madhe. Dija e kultura që transmeton shkolla ka mbetur shumë pas, për shkak të ndryshimeve të shpejta që kanë ndodhur në shoqëri. Më parë këto ndryshime kapnin shekuj. Sot ndryshimet janë gati të përditshme në teknologji, në mënyrën e jetesës, në kuptimin e jetës etj etj. Kështu ne u mësojmë nxënësve modele të tejkaluara dhe sigurisht që me këto modele, ata nuk mund të orjentohen me jetën e sotme, pale të përgatiten për të ardhmen. Ndaj kur shpjegojnë mësuesit e pedagogët ata shikojnë sikur të dëgjojnë ekstraterrestë! Dhe themi se nuk po nxjerrim më mjekë, inxhinierë , juristë a mësues si dikur! Po çfarë ndodh realisht në shkolla?

Në një shoqëri, që ndryshon me ditë, shkolla ka mbetur shumë pas. Kjo e bën të pakëndëshme ardhjen në shkollë të nxënësve apo edhe studentëve.

Problemi i parë: A themi se jetojmë në kohën e një revolucioni të katërt industrial? Nëse kompjuteri është instrumenti i domosdoshëm i gjithçkaje sot, pra i jetës sot, çfarë vendi ze ai në shkolla?

Dhe këtu nuk e kam fjalën që ka apo nuk ka kompjutera shkolla, as që dinë apo nuk dinë mësuesit të përdorin kompjuterin, por të kuptosh se çfarë është kompjuteri intelektualisht dhe kulturalisht. Me fjalë të tjera do të thotë të kuptosh se çfarë është moderniteti, cila është bota, që do të thotë që mendja njerëzore nuk është diçka e pavarur nga mjetet teknologjike, që krijon dhe përdor për të funksionuar. Do të thotë të njohësh dhe të kuptosh realitetin, kur realiteti mund të vëzhgohet, analizohet dhe manipulohet jo vetëm realisht, por edhe virtualisht me program kompjuterik. Kompjuteri është instrumenti që mund të ndihmojë çdo mësues për të shpjeguar dijen dhe për të kuptuar kulturën e shekujve që lamë pas.

Të gjitha këto përmbajtje dhe kuptime kulturore të kompjuterit janë ende të huaja për shkollën, janë jashtë kulturës së mësuesit dhe jashtë programeve shkollore.

Problemi i dytë lidhet me fjalën.

Historikisht shkolla dhe shoqëria ka përdorur fjalën si mjet të rëndësishëm komunikimi. Kështu thotë edhe Bibla apo Kurani. Dhe kanë patur të drejtë! Ama sot kemi një realitet tjetër që na vjen për shkak të teknologjisë. A i keni parë fotot me diciturën “Një foto sa 1000 fjalë?”

Nëse deri më sot gjuha verbale ka pasur një dominim absolut si mjet komunikimi  dhe mendimi si mjet për të  kuptuar, shprehur idetë, kompjuteri ka filluar ta vërë në dyshim këtë epërsi. Vizualizimi, i ndihmuar nga teknologjia, pushton hapësirat e kapacitetit komunikues dhe njohës në kurriz të gjuhës. Vidiot, imazhet po zenë çdo ditë e më shumë vend në jetën e brezit të ri. Dhe kjo nuk mund të anashkalohet. Sidomos në shkolla: Sepse shkolla ka mjetin e saj të vetëm fjalën, komunikimin verbal. Ndaj në vend që të dëgjojë mësuesin a pedagogun, nxënësi preferon të shikojë celularin; ndonjë video a ndonjë foto etj. Ama ne të gjithë duhet ta kuptojmë se nuk zgjidhen këto probleme me heqjen nga dora të celularit, por me përdorimin e imazheve virtuale. Pra duhet ta pranojmë tashmë se hapësira gjuhësore e mësuesit e pedagogut është reduktuar në favor të vizuales. Atëhere? A nuk i bie barra shkollës të përdorë pikërisht vizualizimin në procesin e mësimdhënies? Jam e bindur se 100 herë më shumë një nxënës do mbajë mend historinë nga  ndonjë muze që shikon,(dhe këtë mund ta bëjë si fizikisht ashtu dhe virtualisht) se sa nga një leksion 2 orësh bla- bla- bla të mësuesit a pedagogut.

Në këtë mënyrë shkolla duhet të rishohë në currikulat e saj,m por dhe hapësirën. Nuk ka pse mësimet të zhvillohen vetëm në klasa, madje sa më pak në klasa. Jeta realiteti është shumë i ndryshëm nga ai i librave, por dhe mundësitë për të kuptuar realitetin janë të shumta falë ndryshimeve të mëdha që ka pësuar e pëson shoqëria. Shkolla nuk mund të jetë më kurrë si dikur në mesjetë: banka, ku nxënësi rri ulur me orë të tëra për të dëgjuar e mësuar atë çka mësuesi thotë!

Kohët kanë ndryshuar dhe ne jemi shumë, po shumë larg. Ama shumë afër me ankesa duke fajësuar nxënësit, që nuk janë më si në “kohën tonë”!