Lavdosh Ferruni: Superplehrat me supermashtrim nëpërmjet emergjencave

27
Sigal

Lavdosh Ferruni

Ambientalist

 

Këto ditë pritet të shpallet fituesi i tenderit për sasinë e karburantit që do furnizojë për 2 ditë TEC-in lundrues, aqsa për ta ndezur atë.Pas 20 vitesh TEC-et do mbeten hekurishte që vodhën miliona

 

Plehrat, por sidomos superplehrat janë e keqja e madhe e këtij vendi. Ç’janë superplehrat? Në këndvështrimin e këtij shkrimi superplehra është një grumbull masiv hekurishtesh, që i janë ofruar qeverive të këtij vendi, si hejmali për të shpëtuar nga një rrezik, i shpallur si emergjencë. Dhe shqiptarët kanë paguar milionashumë e po paguajnë akoma më shumë për këto hajmali.

Duhet thënë që në fillim se truri i superplehrave janë të huaj të “talentuar”. Qeveritarët tanë bashkë me biznesmenët pranë tyre janë duart, që ndërhyjnë në supermashtrimin (me dashje ose disa pa dashje) dhe supervjedhjen (sigurisht me dashje të plotë).

Superplehra, TEC-i i Vlorës

Ja ta fillojmë me superplehrën, që quhet TECi i Vlorës. Truri i superplehrës ishte grupi i korporatave të naftës, që i vërtiten edhe sot Vlorës, që donte të ndërtonte një naftësjellës, (AMBO) nga Azerbajxhani, nëpërmjet Bullgarisë, Maqedonisë dhe me superterminal nafte në Gji të Vlorës. Këtij grupi i duhej një burim energjie i pavarur, pranë superterminalit të naftës, për të pompuar në supercisternat rreth 1 milion fuçi nafte në ditë. Për këtë u anullua në heshtje TECi i Fierit që ishte gati dhe ishte gjetur financimi (viti 2001). Kjo nuk është thënë asnjëherë nga ndonjë qeveritar, apo ndonjë media, pasi supermashtrimi ishte se meqënëse çmimi i naftës pat qenë shumë i favorshëm, I ulët Shqipëria duhet të kishte 3 termocentrale me naftë D1, në Vlorë, që mund të punonin dhe me gaz, pra me teknologji moderne dhe kështu të ndriçohej gjithë Jugu turistik i vendit. Vlonjatët atëhere u ngritën në protesta të mëdha. AMBO nuk u ndërtua, por ca hajdutë më të vegjël të mbështetur edhe nga “truri” kryesisht i Bankës Botrore, BERZH-it dhe BEI-së ja dolën të ngrenë grumbullimin e hekurishteve, superplehrën, TEC-i i Vlorës. Ca hajdutë në këtë TEC i ka publikuar vetë Banka Botrore në vitin 2018. Edhe tani pas 20 vitesh vazhdojnë me supergënjeshtra për “kthim me gaz” të TEC-it të Vlorës.

Superplehrat, Inceneratorët

Superplehra e Inceneratorit të Kasharit në 2004-2005 nuk u ngrit, pasi “truri” i Bechetit i kishte bërë mbrapsht llogaritë. Ai kishte planifikuar më përpara të sillte plehrat nga Italia në Kashar, pastaj të ndërtonte një incenerator. Shoqëria civile në Tiranë atëhere ( tani aha…) u ngrit dhe kontrata e mbetur për t’u firmosur nga ministri i fundit, para kryeministrit nuk u firmos.

Supermashtruesit e superplehrave, duke parë dhe dështimin e Bechetit, filluan të strukturoheshin më mirë. Në fillim u siguruan që importi i plehrave të ishte në ligj. Dhe importi plehrave u ligjërua në vitin 2011, fshehtas, vetëm me një “ose”. Ndërsa kjo u diktua shoqëria civile atëhere (tani aha….) krijoi një grupim të fuqishëm, AKIP, që e detyroi qeverinë “Rama 1”, që në ditën e parë të saj (shtator 2013) të anullonte pjesën e ligjit që lejonte importin e plehrave, sipas kërkesë së AKIP, që kishte marrë dhe vendimin e presidentit, i cili kish shpallur referendumin, për anullimin e neneve që lejonin importin e plehrave. Para se Qeveria të anullonte importin e plehrave ishte piketuar inceneratori i parë që do sillej në Shqipëri. Në atë kohë një zyrtar i ambasadës hollandeze i patur thënë aktivistëve të AKIP (artikullshkruesi present) se në Hollandë po çmontohet një incenerator për të ardhur në Shqipëri.

Kjo nuk mund të mos çojë tek “truri” në Hollandë, për inceneratorët, siç shkruan tani edhe gazetarja Aranita Brahaj, që për të zbardhur pronarët e inceneratorit të Tiranës, SPAK duhet të shkoj në Hollandë.

Duke qënë se ra ligji i importit të plehrave në 2013 “truri” i superplehrave ju desh të modifikoj strategjinë. Për kushtet e krijuara pa import plehrash u tha se inceneratori i Elbasanit do punonte pa import, por vetëm me plehrat e qarkut Elbasan. Për këtë, siç dihet u përdor supermashtrimi i emergjencës mjedisore. Në vijim “truri” do përpiqej të kthente përsëri në ligj lejimin e importit të plehrave. Supermashtrimi në këtë rast ishte se importi i plehrave duhet për riciklim. Dhe ndodhi në 21 korrik 2016, ditën që u miratua reforma në drejtësi u miratua rishtaz edhe importi i plehrave.

AKIP me autoritetin e një grupimi të suksshëm ja doli të grumbullojë 3000 veta në shesh dhe në tetor 2016 Presidenti nuk e dekretoi ligjin e importit të plehrave. Është shumë mirë që Shqipëria e ka të ndaluar importin e plehrave, por është shumë keq që na kanë mbetur superplehrat ‘inceneratorët’ dhe ka ndodhur supervjedhja.

Superplehra, TEC-i lundrues

Në tetor 2021 Qeveria nxjerr një VKM për emergjencë energjitike, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar e kërkon të merren masa nga institucionet përkatëse. Fare mirë këto kërkesa mund të ishin për kursim, për energji alternative të shpejta, ndoshta për tarifa të tjera të çmimit të energjisë. Por KESH i kërkon qeverisë që të lejojë të marrë me qira impiant termik të energjisë, edhe pse pa patur as lëndë të parë, as teknologji, as njohuri, asgjë. Skandal. Nejse Qeveria miraton kërkesën e KESH. KESH gjoja bën një tender, që impianti termik të jetë lundrues, të jetë ngjitur me superplehrën TEC të Vlorës dhe fiton një kompani që TEC nuk kishte, po kishte një garanci që e gjente një TEC që ishte në Bangladesh. Arsyeja kryesore ishte se kompania fituese do vinte në punë edhe superplehrën, TEC të Vlorës. A thua të ishte KESH “truri” i kësaj afere? Kanë kaluar 2 vjet nga supermashtrimi me emergjencën e energjisë, e cila edhe pse u shty disa herë me VKM ka mbaruar më 31 Dhjetor 2023.

Këto ditë pritet të shpallet fituesi i tenderit për sasinë e karburantit që do furnizojë për 2 ditë TEC-in lundrues, aqsa për ta ndezur atë. Vetëm vlera e sasisë së karburantit për 1 MWh energji të prodhuar është 2 herë më e shtrenjtë se sa çmimi për ta blerë energjinë në treg. Po të shtohet qiraja etj, kostoja për 1 MWh e TEC-it lundrues del 4 herë më e madhe, ndoshta dhe më shumë se çmimi i tregut. Por “truri” mashtrues i ka qartësuar gjërat në kontratë, sapo ky TEC jepet në dorëzim Shqipërisë i ngelet super plehra, TEC lundrues me 1 EUR dhe menjëherë ndodh supervjedhja prej 70 milion EUR.

A do jetë e mundur me ose pa, SPAK të ndalet kjo supervjedhje?