Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: Shqipëria nevojë për arsim profesional apo arsim cilësor…

19

Falë reformave arsimore, të trumbetuara fort, mësuesit janë kthyer thjesht në sekretarë, që mbushin shkresa pa fund duke i ngarkuar me një punë fizike të jashtëzakonshme. Sot kemi shkolla të lyera mirë nga jashtë, por janë dëmtuar në thelb mësimdhënia, kompetencat, dijet, njohuritë, shprehitë. Edukimi i brezit të ri është në pikën më kritike që mund të mbajë mend ky vend, një mish-mash i vërtetë me kurikulat, me tekstet

Sigal

Telegraf.al / Kryeministri tha se vendi ka nevojë për arsimin profesional, ndaj kjo gjë duhet shtyrë përpara së bashku me biznesin. Po, vendi ka nevojë për zanatçinj, por para së gjithash ka nevojë për shqipfolës të mirë. Alarmante është që fëmijët tanë duhet ta mësojnë si duhet gjuhën shqipe, ta flasin atë sipas normës letrare. Në takimin e së martës doli kryeministri, ministrja e arsimit, shumë të tjerë njëri pas tjetrit e folën për arsimin profesional. Të gjithë shpalosën sukseset e tyre imagjinare me reformat e deritanishme në arsim, nuk pati asnjë kundërshti, të gjithë duartrokitën, të ardhur apo jo me lista në atë takim si figurantë.

Asnjë debat, asnjë problematikë e ngritur, asnjë zgjidhje reale, vetëm virtuale. Unë jam dakord me atë që thotë kryeministri. Madje e konsideroj nevojë alarmante të vendit për zanatçinj. Këtë gjë e ndiejmë ne në Tiranë, e ndiejnë në Dhërmi, Sarandë, Durrës, Velipojë, kudo ku nevojitet forcë punëtore e kualifikuar, sidomos në turizëm.

Shërbimi dhe komunikimi lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë se është nja 50 vite mbrapa realiteteve europiane. Jam dakord dhe për trajnimin e mësuesve, edhe të nxënësve, por përpara kësaj duhet vënë në shina gjuha shqipe në shkollat tona. Ajo po lëngon më shumë se kurrë, e trysnuar nga teknologjia, që t’i përplas në fytyrë gjuhët e huaja thuajse “non stop”. Ne sot kemi nxënës, gjimanistë, por edhe studentë që mbarojnë studimet, por dalin në jetë si analfabetë funksionalë të gjuhës shqipe, në të menduar dhe shkruar.

Ky është prioritet i prioriteteve të arsimit në vendin tonë, sepse situata është vërtet dramatike. Nëse më 7 mars bëhej festë te shkolla 7 Marsi në Tiranë, mjafton të dëgjoje këngët tallava me “Sarile” për të kuptuar se ku kemi përfunduar si shoqëri. Ku po shkojmë kështu me metodat e edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj?

Në foton bashkëngjitur do të vendos një kërkesë të një ish-studenteje që ka mbaruar për mësuesi, ka bërë edhe master shkencor, por qyqja nuk di të shkruajë sipas alfabetit shqip, gramatikës jo e jo. Analfabetizimi i saj është ulëritës, imagjinoni pastaj nxënësit që do të mësojë kjo!!! E ftoj shkollën 7 Marsi të mos këndojë “Sarilenë” për festën e mësuesit, të paktën, por himnin kombëtar. Çfarë po ndodh sot në universitetet shqiptare? Si ka mundësi që diplomojmë mësues, ekonomistë, mjekë, inxhinierë, juristë etj. etj.; por një pjesë e tyre nuk njohin alfabetin, nuk dinë të shkruajnë shqip?

Po, po, nuk njohin shqipen që na identifikon si shqiptarë. Po si ka mundësi more njerëz, që bëni kaq vite shkollë dhe nuk mësoni gjuhën tuaj amtare. Po si ka mundësi që nuk shqetësohet askush, mësues të gjuhës shqipe, drejori arsimore, ministri arsimi, qeveritarë… A do ta dini përse ndodh kjo? Sepse mësuesit nuk janë më mësues. Nuk e dashurojnë profesionin, ngaqë janë të injoruar e të keqpaguar. Sa u rritën rrogat e deputetëve, të drejtorëve në administratë dhe sa janë rrogat e mësuesve të mjerë? Po, po, të mjerë, sepse të tillë i doni ju, t’i tërhiqni kollaj prej hunde në fushata elektorale, t’ua merrni votën me detyrim, pavarësisht se nuk bëni asgjë për ta. A e dini se sot paguhet një pastruese e ndonjë shtëpie biznesmeni më shumë se një mësues gjimnazi? Dhe ju doni profesionalizëm e përkushtim nga ata që edukojnë brezin e ri…

Po ka qenë dhe do të mbetet e përbotshme, se nëpër duart e mësuesve kalon e ardhmja e çdo vendi. Nëse kjo hallkë është katranosur si mos më keq, çfarë prisni, mrekullira?!! Falë reformave arsimore, të trumbetuara fort, mësuesit janë kthyer thjesht në sekretarë, që mbushin shkresa pa fund. Sot kemi shkolla të lyera mirë nga jashtë, diku-diku komode edhe nga brenda, por fare pa përmbajtje. Janë dëmtuar në thelb mësimdhënia, kompetencat, dijet, njohuritë, shprehitë etj. Edukimi i brezit të ri është në pikën më kritike që mund të mbajë mend ky vend, një mish-mash i vërtetë me kurikulat, me tekstet e gjithçka tjetër përmbajtësore të arsimimit. Reforma e fundit e bërë në arsim i ka kthyer mësuesit në sekretarë, duke i ngarkuar me një punë fizike të jashtëzakonshme. Nuk mund të ketë arsim të mirë nëse nuk ka vetëkontroll, autokrontroll, kontroll nga drejtoria e shkollës, nga zyrat arsimore për format e mësimdhënies, zotërimin e njohurive të mësuesve, por jo duke bërë bilance false nëpër regjistra. Në gjithë botën celularët hiqen në shkolla. Bëni një provim pa celularë në shkollat tona, që ta kuptoni nivelin mjeran të nxënësve. E provojmë dhe ne, në provimet në universitet, ku studentët nuk dinë të kopjojnë atë që iu ke kërkuar. Ajo që shkruajnë është produkt robotik i inteligjencës artificiale, kurrsesi i mendjes së tyre.

Vendi ka nevojë për zanatçinj, sigurisht, është një klithmë e vërtetë nga kryeministri, por ne themi se arsimi shqiptar vuan që nga germa A, pa shkuar te H apo ZH… Nëse mendon për një vit, për një palë zgjedhje, për një mandat më shumë në pushtet, do të bësh “meremetime” të pjesshme, pa pasur “themele”. Nëse do që ky vend të ngelet sovran, i ditur, të ketë prosperitet, të marrë më të mirën nga bota, atëherë mbill dije. Dhe kjo bëhet përmes shkollave, arsimit, mësuesve dinjitozë, jo më të keqpaguarve në këtë katrahurën tonë të PPP miliardëshe. Nëse mendojmë për zanatçinjtë përpara “abc” së arimit shqiptar, atëherë ky popull ka marrë fund, bashkë me të edhe kombi. E ardhmja e Shqipërisë në këtë mënyrë premton të jetë vetëm më keq se kaq. A ju kujtohet ish-kancelarja Merkel, kur i mblodhi ministra e deputetë në sallë dhe iu tha se do të rriste pagat e arsimtarëve: “Të gjithë jeni këtu sot, me poste e privilegje të shumta, falë atyre mësuesve që ju mësuan dhe edukuan me përkushtim e devocion”.

Çfarë bëjmë ne? Krejt të kundërtën. Pa llogaritur këtu nepotizmin, ku drejtori i shkollës mund të mos dijë vetë alfabetin si duhet, por e ka mirë me partinë qeverisëse, mund të jetë edhe patronazhist, dhe ka nën hyqëm një armatë të tërë mësimdhënësish. Si mund të ecet përpara duke vënë karrocën para kalit? Kjo po ndodh fatkeqësisht edhe në arsimin shqiptar, si në shumë fusha të jetës, ku vetëm për meritokraci nuk mund të flitet. Edhe në parlament ke deputetë që nuk dinë të shkruajnë shqip, por paguhen 5 a 6 herë më shumë se mësuesit. Te shkolla është vrarë thelbi i saj, fëmijët e dinë që në fillore se në punët e mira do të venë fëmijët e të pasurve, të atyre që merren me politikë. Sa studentë me medalje ari kemi parë të dalin e të denoncojnë në media se nuk i qas njeri në adimistratë shtetërore, sepse atje janë militantët, patronazhistët, mjeranë intelektualisht e profesionalisht shumica e tyre. Është vrarë ndjenja e konkurrencës së drejtë, që në bankat e shkollës. Shkurt fare, Zoti Rama. Nuk na duhen zanatçinj përpara shqiptarëve që të dinë të flasin e shkruajnë shqip. Gjuha shqipe po bastardohet, po rrezikon të zhduket, gjë që cënon seriozisht themelet e identitetit tonë kombëtar. Mirë arësimi profesinal, por mjerë arsiml gjithpërfshirës.