Halil Bregasi: Sazani ka historinë e tij

23
Sigal

Telegraf.al / Në mediat e shkruara e vizive, po flitet gjatë për një dhënie me interesa të veçanta dikujt për të bërë ndërtime në Sazan. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Është traditë shqiptare që qeveritë e të gjitha kohërave kanë pranuar apo ofruar pjesë të tokës shqiptare për interesa të të tjerëve. Edhe kjo qeveri nuk mund të bëjë përjashtim. Pra nuk më takon mua, apo dikujt si individë që të bëjë suportin apo kundërshtimin për këto veprime. Veç se në opinionin publik shqiptar, mendoj se janë të pakta njohuritë për historinë e këtij vendbanimi, tashmë i shkretuar, i pa banuar, djerrë dhe i gatshëm për t’u gllabëruar nga më të fuqishmit.

Për t’u ardhur në ndihmë të mëdhenjve dhe opinionit publik, mendoj se është me interes të flasim për historinë e tij, që është një vendbanim Pellazg – Ilir e shqiptar në të gjitha kohërat.

Ky ishull përmendet qysh nga shek.VI para Krishtit dhe ai shënohet nga mjaft gjeografë grekë e romakë me emrin Sason. Një kohë të gjatë ka qënë nën zotërimin e Venedikut, më vonë; në kohët e reja u pushtua nga anglezët, por në shek. XV, me pushtimin e vëndit tonë prej osmanëve, u pushtua prej tyre. Gjatë luftrave ballkanike u pushtua nga Greqia, të cilën e detyroi të largohej prej aty Konferenca e Ambasadorëve e 1913-s. Gjatë Luftës I Botërore u pushtua nga Italia që e mbajti deri në shtator 1943 kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 21 tetor 1944 u çlirua nga partizanët. Sipërfaqja e tij është 5.7 km2, gjatësia 4.8 km, gjerësia më e madhe 2 km, lartësia e pikës veriore 342m, ndërsa e jugut 331m.
Për qënien e vendbanimit flitet në dokumentet osmane, regjistrimi i vitit 1431, ku gjejmë dhe emrin e fshatit Sebep. Ka të dhëna në vitin 1780 kishte 47 shtëpi, si dhe kishën e Shën Kollit. Ky fshat kishte një flotë detare me 34 anije dhe bënte tregëti me Brindisin, Venecian, Triesten, Dubrovnikun, Spanjën, Francën Egjiptin, Maltën, Ulqinin, Prevezën, Himarën, Vlorën dhe Durrësin. Pra, kanë qënë detarë të zotë.

Në emrin e lashtë të Sazanit ka rrëfenja, që vijnë nga fondi më i vjetër i letërsisë botërore, si dhe nga mitologjia.

Në një shpjegim i përmbledhur prej historianit dhe filologut të njohur, Prof. Spiro Konda, ai thekson se emri i mëparshëm i ishullit ka qënë “Shkëmb” me kuptimin “Gur”. Prandaj më pas, “detarët e vjetër grekë e kanë quajtur ishullin “Guras – Petras” duke bërë një tautologji. Ky emërtim i lashtë helenik ruan përjetësisht emrin shumë më të stërlashtë pellazgo – ilir “Shkëmb” – “Gur”. Emërtimi ynë është përpara “Eposit të Homerit.”

Romakët, në shumë prej hartave antike të mijëvjeçarit të parë, e kanë emërtuar “Saso” këtë ishull. Pozicioni gjeografik i Sazanit është saktësuar shumë herët në dokumentet e shkruara të antikitetit. I pari burim i dokumentuar është nga Skylaksi, gjeografi dhe historiani i shekullit të VI-të p.K. i cili përshkruan fiset ilire dhe vendndodhjen e tyre.

Në kapitullin e titulluar “Illiroi”, pasi përshkruan Amantian dhe viset e Kaonisë ai saktëson: “Më afër maleve Keraune është një ishull i vogël, që quhet Sason. Prej këtej, deri në Orik lundrimi mban një të tretën e ditës.”

Gjatë qëndrimit njëjavor në Sazan, konsulli francez F. Pouqueville, që ishte historian dhe arkeolog, na ka lënë këtë dëshmi saktësuese, vërejtur më 22 janar 1806: “Në anën lindore të kodrave kishte fragmente të konsiderueshme me strukturë tulle, ndoshta të periudhës së Augustit…”

Një foto e vjetër që nga viti 1914 e fshatit Sazan dhe rrugët mbi Gjirin e Shënkollit.

 

Në fushën e studimeve për ndërtimet mbrojtëse në    ishull, me shumë interes është përshkrimi i Sazanit nga Polybi. Ky historian i shquar i antikitetit, shekulli III – II p. K., përshkruan pushtimet romake në Mesdhe dhe në Ballkan. Ai tregon luftimet maqedone – romake në vitet 230 – 146 p. K. Ato zhvilloheshin në territoret ilire, rreth Durrësit, Apollonisë, Aulonës e Sasonit të lashtë.

Polybi përshkruan një betejë të fillimit të shekullit të III p.K. Aty tregohet se mbreti Filip kishte përgatitur anijet dhe vinte nga drejtimi i Apollonisë për t’u përballur me romakët. Ai përshkruan ngjarjet në vitin 217 p.K. “…anije të praparojës, duke u ndalur në ishullin Sason, që ndodhet në grykën e detit Jon, erdhën natën te Filipi dhe i njoftuan se disa anije, që vinin nga ngushtica ishin ndalur pranë tyre dhe u thanë se i kishin lënë në Reg (baza në Otranto) anijet romake me pesë rema, të cilat shkonin për në Apolloni për t’i ardhur në ndihmë Skerdilaidit… Ky përshkrim na saktëson se Sazani i lashtë përdorej si bazë ushtarake në kohërat antike. Ai ishte një vendbazim i flotës së mbretit ilir Skerdilaid.

Admiral Plini thekson se Sasoni është “I përmendur si qendër piratësh”. Lucani në poemën e tij të famshme “Pharsalia” e përshkruan ishullin si pjesë e një “beteje detare”:

Këtu strehohen varkëtarët, kur Adriatiku

të gjitha fuqitë e veta

i vë në lëvizje dhe kur Keraunia fshihet

ndërmjet reve,

dhe kur Sasoni kalabrik zhduket nën valët

shkumbuese…”.

Në Gjirin e Shënkollit kishte një kantier detar me një port të mbrojtur nga erërat. Aty qëndronin anijet për t’u mbrojtur edhe nga stuhitë detare. Ndërtimi i anijeve dhe riparimi i atyre që vinin nga veriu i Adriatikut ishte burimi kryesor jetik për banorët e Sazanit. Autorë të ndryshëm shkruajnë se Porti i Çezarit në Salento në bregdetin italian, është ndërtuar nga detarët e ishullit të Sazanit në antikitetin e hershëm. Në historikun e tij përmendet epoka e bronzit. Njihej si Porti Sasinae…

Veprimtarinë e gjithanshme detare në ishull e dëshmon edhe zbulimi i bujshëm i arkeologjisë nënujore. Në vitin 2013 u zbulua një anie e kohës së Çezarit pranë brigjeve jugore të Sazanit. Këtë zbulim e përshkruan shtypi botëror sipas lajmit të Associated Press: “Një mision arkeologjik detar i përbashkët SHBA – Shqipëri, ka gjetur një anije romake të ruajtur mirë në bregdetin e Shqipërisë, e mbushur me disa amfora vere. Anija është e shekullit I p. K. Dhe ngarkesa e saj besohet të ketë qenë verë e prodhuar në vreshtat jugore shqiptare.

Zbulimi i bërë në thellësinë 50 metra pranë Sazanit vlerësohet si një arritje e madhe arkeologjike: “Duke marrë në konsideratë kohën dhe thellësinë, që është e përshtatshme për kërkime, ky zbulim përfshihet në mesin e 10 rrënojave shkencërisht interesante të gjetura në Mesdhe”,- thekson arkeologu shqiptar Adrian Anastasi. Shumica e amforave, që janë përdorur për të transportuar verë e vaj, ishin të pathyera. Udhëheqësi i misionit Prof. George Robb tregoi, se anija mund të ketë qenë pjesë e një tregtie të lulëzuar të verës. “Iliria e lashtë, e cila përfshin në ditët e sotme Shqipërinë, ishte një burim i madh i furnizimit për Mesdheun Perëndimor, duke përfshirë Francën dhe Spanjën”,- nënvizon Robb…

Disa studiues të tjerë theksojnë se kjo anije mund të lidhet me betejat e Luftës Civile në Romë dhe zbarkimin e Jul Çezarit dhe ushtrisë së tij në gjurmët e Pompeut…

Për ishullin e Sazanit ka patur vëzhgime historike e arkeologjike sidomos në mesjetën e hershme ku vlejnë të përmenden dëshmitë e shkruara nga studiuesi gjerman Arnold von Harff. Ai udhëtoi nga Durrësi drejt Sazanit në vjeshtën e vitit 1496. Në atë kohë Sazani ishte i banuar dhe A. von Harff qëndroi disa ditë dhe takoi disa prej banorëve. Ata e ndihmuan për të hartuar fjalorin e tij me fjalë dhe shprehje të gjuhës shqipe. Ai saktësoi dy kishat e lashta të ishullit, njëra me emrin e Shënmërisë dhe tjetra me atë të Shënkollit.

Këto kisha i përshkruan në vitin 1521 lundërtari Piri Re’is në veprën “Bahriye”. Po kështu François Pouqueville, në librin “Udhëtim në Epir, Shqipëri, Maqedoni dhe Thesali”, botuar në Londër në vitin 1820, thekson se Kisha e Shënkollit u shkatërrua në vitin 1788. Ai shkruan se kjo kishë “sipas konstruksionit ishte vepër e kohës së Augustit”.

Flitet se afër portit të sotëm në Gjirin e Shënkollit, përveç depos romake të ujit, ka gjurmë të një muri antik. Aty pranë janë muret e një kështjelle veneciane, e cila mund të jetë ndërtuar mbi themele më të vjetra. Aty niset një rrugë e lashtë.

Shkencëtari italian Antonio Baldaçi dhe studiuesi francez Bertrand, më 29 qershor 1889, nisën një ekspeditë vëzhguese për florën në ishull. Ata zbuluan dhe një grumbull monedhash bakri pranë disa rrënojave të një shtëpie në Sazan. Megjithëse Baldaçi ishte botanist, e vlerësoi zbulimin e tij. Ai shkruan: “prania e monedhave dhe e një pusi tregojnë se banorët këtu janë shumë të vjetër. Ata janë shfaqur shumë herët në këtë ishull. Kjo kërkon një arkeolog të vullnetit të mirë për të sqaruar çështjen se si në këtë ishull, por dhe në qindra vende të tjera të Shqipërisë, ka shumë mbetje pellazgjike…”.

Por historia e Sazanit është shumë e gjatë. Që nga zanafilla e deri në vitin 200 p. K. ka qenë i banuar nga ilirët, pushteti i të cilëve u ruajt deri në ardhjen e ushtrisë romake. Romakët e mbajtën ishullin disa shekuj: 200 p.K. – 293 pas Krishtit. Nga 293 – 324 Sazani ishte nën pushtetin bizantin. Por ripushtohet nga romakët në vitet 324 – 395, ku përsëri kalon nën pushtetin bizantin, 395 – 1279, gati si një lojë ky ndrim pushtetesh. Nga viti 1300 – 1400 Sazani ishte nën pushtetin e zotërve shqiptarë të Vlorës. Me pushtimin e Vlorës nga Perandoria Otomane ai kalon nën pushtetin e tyre 1417 – 1696. Nga 1696 – 1797 Sazani pushtohet nga Venetiku. 1797 – 1815: Sazani u pushtua nga Britania e Madhe dhe nga 05.11.1815 – 1864: Sazani u bë pjesë e Protektoratit Britanik të Ishujve Jonian. Më 01.06.1864: Britania e Madhe ia kalon Greqisë ishujt Jonianë bashkë me Sazanin. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, 1912 – 1913, Greqia çon trupa ushtarake në Sazan për bllokadën e Qeverisë Shqiptare. Në 1913, Greqia tërhiqet nga Sazani pas Konferencës së Londrës. Më 30 tetor 1914 deri shtator 1943: Sazani pushtohet nga Italia. Shtator 1943 – 21 tetor 1944 Sazani pushtohet nga nazistët gjermanë. 22 tetor 1944 Sazani çlirohet nga forcat antifashiste shqiptare. 1947 – 1997 Sazani bëhet bazë ushtarake shqiptare. 1997 – 2007 Sazani përdoret si bazë shqiptaro – italiane kundër trafiqeve.

Botimi më i hershëm ku përshkruhet ishulli i Sazanit është ai i udhëtarit gjerman Arnold von Harff në vitin 1497 në librin me titull “Pelegrinazh nga Këlni”. Në vëllimet me dokumente “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”, shek VIII – XV, është botuar një pjesë nga shënimet e këtij autori. Ato u botuan bashkë me fjalët shqipe, të grumbulluara prej tij në Ulqin, Durrës e Sazan. Von Harff shkruan: “Ne u nisëm nga Durrësi për në Sazan, 70 mile, që i bëmë me një udhëtim për pesë orë. Aty është një liman deti shumë i mirë. Sazani është një nisi e vogël që u përket turqve.”

Teksti i Arnold von Harff është studiuar edhe nga albanologu i shquar Dr. Robert Elsie. Prej tij veçohet ky përshkrim i shkurtër i Sazanit nga von Harff: “Ka dy kishëza bizantine – ortodokse, një për Zojën e Bekuar (Shën Maria jonë) dhe tjetra për Shën Nikollën. Në kohën e tashme, zoti i madh i turqve ka aty disa hamshorë shumë të mirë që kullosin në këtë ishull. Në anën e majtë të portit, në kontinent, është një fshat i madh i quajtur Vlora, e cila ka dy mijë shtëpi. Këtu në Sazan është një port i madh, në të cilin turqit kanë gjithmonë shumë anije. Katërmbëdhjetë vjet më parë, turqit lundruan pesëdhjetë milje nga ky port nëpër gji, për gjashtë orë në Pulia dhe Kalabri, të cilat i përkasin mbretit të Napolit .”

Sipas regjistrimeve të para osmane në vitin 1431, saktësohet ky vendbanim në ishullin e Sazanit me emrin Shën Koll. Aty ishin dy kisha. Nga dëshmitë e autorëve, që e kanë vizituar ishullin mes viteve 1400 – 1800, saktësohen gjithashtu kishat e Shën Mërisë dhe Shënkollit.

Edhe kronikani turk Abdu Ali Evrenozi e përmend fshatin Sebep rreth vitit 1658. Sipas Prof. dr. B. Gaçes, në një kronikë të vitit 1780, fshati kishte rreth 47 shtëpi, si dhe kishën e Shënkollit, në brigjet lindore të tij. Të dhëna të mëvonshme tregojnë se flota detare e Sazanit, në vitin 1802 përbëhej nga 34 anije dhe për riparimin e ndërtimin e tyre, në gjirin e Shënkollit vazhdonte punën kantieri i lashtë i anijeve.

Veprimtaria detare e këtyre banorëve del edhe nga kronikat e betejave detare që janë zhvilluar rreth ishullit, sidomos ato mes venecianëve dhe osmanëve. Në to diku shkruhet: “… banorët e fshatit Shën Koll të Sazanit, të quajtur “kryezinj”, u bashkuan me venetikasit.” Ata i quanin “kryezinj”, sepse mbanin kapele të zeza, pas vdekjes së Skënderbeut, si pjesa më e madhe e Labërisë dhe Bregdetit.

Krahas detarisë këta banorë merreshin dhe me blegtori. Dijetari i famshëm francez, F. C. H. L. Pouqueville, konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës në vitet 1806 – 1814, ka lënë një përshkrim mjaft realist për disa prej banorëve të Sazanit në fund të janarit 1806. Ai tregon se u vendos me grupin e tij pranë Kishës së Shënkollit dhe para muzgut pa disa zjarre. Kishin filluar ta ngrinin lart tymin në kodrën karshi. Sipas përshkrimit, fushimi i tyre ishte pranë Kepit të Shënkollit, ndërsa karshi, në veri të Luginës së Shënkollit, ishin ndezur disa zjarre në shtëpitë ku rrrinin banorët e Sazanit.

Të ardhurit u takuan me disa prej tyre dhe kërkuan të blinin tre shelegë për ushqim për vete dhe për marinarët. Përkthyesi u zgjidhi problemin dhe njëri prej banorëve i ndihmoi për ta pjekur mishin në hell…

Gjithçka u bëri përshtypje mysafirëve, që nga përgatitja e mishit e deri te vera, që banorët e pinë, duke përdorur gjethet si gota. Duke qenë historian, arkeolog, natyralist e mjek, francezi kureshtar foli me disa prej banorëve dhe më pas ka lënë të shkruar: “Brucat me lesh të bardhë që i mbulonin, krraba e çobanit, që mbanin, shkathtësia që kisha vënë re për të krijuar shumë vegla me dru, më kujtonin barinjtë e Teokritit, që i këndonin në vjershat e tyre baritore nevojës krijuese të arteve. Na vëzhgonin gjithë interes. Rrobat, armët tona ngacmonin kureshtinë e tyre dhe, duke dashur, pa dyshim, të shihnin se si do hanim, u ulën galiç në gjysëmrreth për të qenë të pranishëm gjatë vaktit tonë. Më në fund, kur dielli ishte duke perënduar, ata u larguan, duke marrë shtegun, ku gjëndeshin kasollet e tyre. Pamë vargje të gjatë me dhen e dhi, që shkonin në të njëjtin drejtim, ndjekur nga një bari tek i binte fyellit…”

Fshati u shkatërrua nga forcat e Ali Pashë Tepelenës. Disa prej banorëve u internuan në zona moçalore, ndërsa, siç shkruan studiuesi italian Antonia Baldaçi, “të arratisurit gjetën strehim në lagunën e Vlorës. Ata u vendosën sidomos në kodrat rreth manastirit të Zvërnecit, ku formuan ato pak fshatra, duke ruajtur fenë dhe gjuhën e baballarëve të vet…” Këtë e pohon edhe studiuesi austriak Karl Paç në veprën e tij, botuar në Vjenë në vitin 1904: “Zvërneci është populluar me banorët e ardhur nga ishulli i Sazanit.”

Për këtë lidhje mes Sazanit dhe Zvërnecit ka disa kujtime, të botuara nga Prof. dr. Bardhosh Gaçe në librin “Rilindasi i Vlorës – Ibrahim Abdullahu”. Midis të tjerave, ai shkruan për kryetarin e parë të Bashkisë së Vlorës në kohën e Ismail Qemalit, që ishe me origjinë nga Sazani, stërnip i Dhimitër Notës, i cili kishte qenë prift në kishën e Shënkollit dhe që kishte studiuar në Spanjë. Është një tregues që kisha e Sazanit njihte vartësinë nga Vatikani.

Nga një shkrim të bërë në formë kujtimesh të Niko Dupit, banor i Zvërnecit, mësojmë: “Të parët tanë kanë qenë detarë, por në ishullin e Sazanit rritnin edhe bagëti, dele e dhi. Si detarë kanë patur mjaft lidhje me detarët e Himarës dhe ata të Ulqinit. Me anijet e tyre ata rrihnin edhe brigjet e Spanjës, Greqisë, Italisë, Francës, Egjiptit dhe të Maltës…Të parët e mi, si dhe të disa familjeve nga Narta e Zvërneci e kanë prejardhjen nga ishulli i Sazanit. Ata janë nga fshati Sebep, prandaj dhe kodra këtu, ndë anë të detit, quhet Sebep. Në Kishën e Shënkollit ka qenë prift Papa Noti Dupi dhe para tij Gjika Noti”. Prej të parëve të tyre thuhej se para kësaj kishe gjendej uji i pijshëm.

Për këtë ka shkruar edhe Piri Re’is në vitin 1521: “Në drejtim të Vlorës është ishulli i Sazanit. Aty ka ujë të pijshëm dhe një vend për të qëndruar në breg, në anën lindore. Ka gjithashtu një gur në ujë në formën e një lemi, por ai nuk mund të shikohet se është i mbuluar nga shtatë pashë thellësi.”

Këto të dhëna na dëshmojnë se vazhdimësia e jetës në Sazan erdhi deri në pjesën e fundit të shekullit të XIX-të. Më pas mori karakterin e një qyteze ushtarake. Shkatërrimi i fshatit solli dobësimin e një prej vendbanimeve më të lashta, siç vlerësohet fshati Shënkoll. Paraardhësit ilirë kanë lënë gjurmët e tyre antike deri te porti. Ato duken në shumë prej fotove të shumta të realizuara nga skuadra foto – kinematografike italiane në Sazan e Vlorë në vitet 1914 – 1918.

Sa më sipër duket e qartë se Sazani është shpopulluar në dy raste: kur pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena, vendosi të nënshtronte krahinat e Sulit, Himarës dhe Kaonisë, përfshi dhe ishujt Jonian në vitet 1881 – 1882, ku banorët e Sazanit rezistuan rreth 9 (nëntë) muaj, por u detyruan të largohen për mbijetesë, prej tyre 17 familje u internuan në Salahorë të Greqisë dhe të tjerët u strehuan në lagunën e Vlorës (Zvernec e Nartë), si dhe në vitin 1997, ku qeveria e kohës demokratike i la në mëshirë të qiellit dhe shumica e tyre u detyruan të rrëmbejnë anijet e të largohen drejt Italisë, duke lënë aty gjithçka sende e mjete jetese, të cilat nuk i muarën dot kurrë. Ky shpopullim vazhdon deri në ditët tona, ku po diskutohet dhënie e asaj toke për ndërtime jo shqiptarëve, por të huajve, cilëtdo qofshin ata, pa i vlerësuar të mirë apo të keq. Janë të huaj dhe do hedhin themele në tokën e shenjtë të Ishullit të Sazanit. E jetoj me keqardhje këtë histori, sepse kam banuar familjarisht edhe me prindërit në atë tokë të shenjtë rreth 12 vjet, pa le që nuk jam ndarë akoma prej saj duke shkuar edhe disa herë gjatë verës si turist.

Si qytetar i Shqipërisë, kam mendimin që kjo trashëgimi etno – kulturore të mos humbasë. Ndaj i drejtohem Akademisë së Shkencave, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të trashëgimisë, që para se të fillojnë punimet në atë tokë të shenjtë, të dërgojnë një apo dy grupe arkeologësh që të hedhin në dokumente të dhënat arkeologjike, shumë prej të cilave janë në sipërfaqe, që të mos humbasin gjurmët e shqiptarëve të lashtë si banorë të këtij ishulli. Mund të them se nga një studim që kam qenë i detyruar dikur të bëja, Sazani është nga të paktit ishuj të banuar të Detit Jon.

Le të shpresojmë.