Prof. Dr. Shezai Rrokaj: Kongresi i Manastirit hodhi themelet për një politikë gjuhësore unifikuese kombëtare

48
Sigal

/Telegraf.al/ Pas Kuvendit të Lezhës (1444) dhe Lidhjes së Prizrenit (1878), Kongresi i Manastirit (1908) është pa dyshim ngjarja kombëtare më madhore, ku janë marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve. Por, ndryshe nga dy ngjarjet e para, Kongresi i Manastirit shpërfaq një spektër më të gjerë për nga problematika e larmishme kombëtare e këtyre vendimeve. Përpos vendimeve kulturore e gjuhësore, Kongresi do të merrte edhe vendime të tjera politike, administrative, plot 17 syresh, të cilat u vunë në funksion të njëra-tjetrës. Në këtë rast vlen të theksohet gjithashtu se për herë të parë deri në këtë kohë shqiptarët po e konceptonin ta realizonin historinë e tyre kombëtare të bashkimit dhe të shkëputjes nga pushtuesi i huaj përmes njësimit shpirtëror, siç ishte gjuha shqipe me alfabet të njësuar latin. Uniteti kulturor e gjuhësor nëpërmjet njësimit alfabetik, jo vetëm krijonte një kohezion shpirtëror kombëtar më natyror brenda gjuhës shqipe e folësve të saj, por gjithaq ky unifikim alfabetik po i shkëpuste shqiptarët nga alfabetet e vendeve fqinje, të cilat haptazi apo tinëzisht ushqenin qëllime kombëtare asimiluese ndaj tyre. Studiues të shumtë, si: historianë, gjuhëtarë, kritikë letrarë, didaktë e politologë i janë referuar dhe kanë analizuar nga këndvështrime të ndryshme këtë ngjarje, duke na dhënë studime komplekse, herë përmes trajtimeve të çështjeve që në mënyrë të ndërsjellë kanë pasur ndikim te njëra-tjetra, e herë duke u ndalur në mënyrë të posaçme vetëm te një çështje prej vendimeve të marra nga Kongresi. Kjo shpjegohet me faktin se Kongresi i Manastirit ishte produkt historik kombëtar gjithëpërfshirës. Ai u përball me një problematikë komplekse politike, shoqërore, kulturore e arsimore, e cila e bëri bashkë elitën më të rëndësishme kombëtare të kohës, me synimin për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve të rëndësishme, duke e filluar punën me njësimin e alfabetit dhe duke e zgjeruar problematikën vendimmarrëse prej njësimit të alfabetit. Njësimi i alfabetit u bë në fakt shtrati kulturor përbashkues tek i cili konvergonin të gjitha çështjet që synonin bashkimin kombëtar Veri-Jug, myslimanë dhe të krishterë me synim shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe nga vendet përreth si dhe hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar. Larmia e problemeve ku ndodheshin trevat shqiptare në këtë kohë, të cilat lidheshin fort sa me një kontekst gjeopolitik përtej shqiptar, gjithaq edhe me një kontekst të brendshëm shqiptar, shpjegon qartë arsyen e interesit për një pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha trevat e qendrat intelektuale, por gjithaq edhe faktin tjetër, se këta pjesëmarrës po vinin në Kongres si personalitete përfaqësuese, me kontribute lokale e më gjerë për çështje nga më të ndryshmet në veprimtaritë e tyre kulturore, gjuhësore, shoqërore, politike, patriotike, administrative, juridike etj.  Ky kongres ia arriti të bënte bashkë në tryezë problemet që shqetësonin shqiptarët në atë kohë dhe intelektualët e veprimtarët patriotë, të cilët bënin përpjekje të izoluara për zgjidhjen e çështjeve të veçanta. Nga ana tjetër, në këtë kongres u gjet edhe ‘çelësi’ nga duhej të fillonte zgjidhja e tyre, siç ishte më së pari përcaktimi i një alfabeti të njësuar përbashkues mes vetes dhe ndarjes kësisoj nga alfabetet e tjera, bashkë me vendet dashakeqe që i përdornin.

Kjo ngjarje e rëndësishme ka marrë vëmendje të madhe si në studimet e publicistikën vendëse të kohës, ashtu edhe në shtypin dhe studimet e huaja, kryesisht të vendeve përreth. Interesi për studime nga këndvështrime të ndryshme për këtë ngjarje të rëndësishme vijon të mbetet aktual edhe sot pas më shumë se një shekull. Dhe kjo shpjegohet, ndër të tjera, jo vetëm me atë se çfarë ka ndodhur si ngjarje në këtë kongres, por edhe sepse ajo që ka ndodhur ka krijuar në vijimësi lidhjeje shkak-pasojë me ngjarje historike kombëtare të qenësishme, që do të ndodhnin më pas.

Kushtet historike kur u mbajt Kongresi i Manastirit

Gati katër muaj para se të mblidhej Kongresi, në korrik të vitit 1908, pas përmbysjes së regjimit absolutist të sulltan Abdyl Hamiti II, nën ndikimin e mesazheve të Revolucionit Francez që i dha fund Monarkisë (1789), Revolucioni Xhonturk (Jeunes Turcs) në Turqi shpalli Hyrjetin (kushtetuta) më 23. 07. 1908, e cila vuri në themel të saj parimet universale të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, të ngjashme me ato të revolucionit në Francë. Të gjitha popullsitë nën dominimin e ish-Perandorisë Osmane, përfshi edhe trevat shqiptare, kishin ligjërisht të drejtën e ndërmarrjes së reformave për organizimin e tyre politik e kulturor, brenda një autonomie të kufizuar. Pa humbur kohë nga shpallja e Hyrjetit, në shumë qytete kryesore të trevave shqiptare, si: Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi, Vlora e Berati u formuan klube apo shoqëri, të cilët vunë në rend të ditës shtimin e përpjekjeve për çështjen kombëtare. Mes tyre, në Manastir, tashmë qendër kulturore me infrastrukturë hekurudhore e lidhje me Selanikun, që i përkiste Vilajetit me të njëjtin emër, u formua klubi “Bashkimi”, i cili në muajin gusht të po këtij viti mori vendimin për thirrjen e të gjitha klubeve dhe shoqërive nga të gjitha trevat dhe mbajtjen e një kuvendi të madh për çështjen e njësimit të alfabetit dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe përmes hapjes së shkollave, si dhe diskutimin edhe të çështjeve të tjera. Kapja në kohë e këtij çasti të volitshëm historik dhe veprimi i shpejtë për përpilimin e ftesës për thirrjen e kuvendit, qysh në mbledhjen e parë (27 gusht 1908) prej klubit të sapoformuar Bashkimi, po jepte shenjën e parë se organizatorët po synonin t’i zgjidhnin çështjet kombëtare me ‘pendë e kartë’ e jo me luftë. Kjo mendësi e artë, që po favorizohej edhe nga vetë konteksti historik i shpalljes së Kushtetutës së re xhonturke, krijonte kushte për një reformë kulturore, administrative drejt një autonomie, e cila po mbështetej atëbotë nga mjaft klube e veprimtarë të kohës, përkundër rrymës tjetër radikale që kërkonte çlirimin e Shqipërisë dhe zgjidhjen e problematikave të krijuara përmes kryengritjes së armatosur. Sipas dokumentit kryesor të vendimit të Kongresit të Manastirit ekzistojnë dy data për periudhën kohore të mbajtjes së tij: sipas kalendarit osman është data 1-9 nëntor 1908, kurse sipas kalendarit gregorian është data 14-22 nëntor, së cilës i referohemi sot. Edhe në raportin e Kongresit të hartuar në anglishte prej Gjergj Qiriazit përmenden të dyja këto data. Morën pjesë 50 delegatë nga trevat shqiptare, nga të cilët 32 me të drejtë vote, me kryetar Mit’hat Frashërin, të cilët u vendosën në shtëpinë e Fehim Zavalanit, kurse Komisioni i hartimit të alfabetit, i përbërë nga 11 delegatë, me kryetar Gjergj Fishtën, u vendos në shtëpinë e Gjergj Qiriazit. Pa mohuar kontributin e Fehim Zavalanit në drejtimin e klubit Bashkimi, ashtu si dhe shumë veprimtarë të tjerë, duhet theksuar se Gjergj Qiriazi, i cili konceptoi edhe ftesën e mbajtjes së këtij kuvendi, mbetet një figurë kryesore për thirrjen dhe mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Manastirit, por gjithaq edhe si hartuesi i raportit përfundimtar të tij.

Përzgjedhja e alfabetit latin

Alfabetet arabo-turk, grek e sllav, si dhe ndonjë alfabet latin apo edhe eksperimental, u përjashtuan qysh në fillim nga agjenda e diskutimeve në Kongres. Përfundimisht, Komisioni do të diskutonte rreth tri alfabeteve latine, që u shtruan në tryezën e bisedimeve: alfabeti latin i përdorur nga Shoqëria e Stambollit, i hartuar nga Sami Frashëri në bashkëpunim edhe me anëtarë të tjerë të saj, që në Kongres përfaqësohej e mbështetej nga Mit’hat Frashëri, alfabeti latin i Shoqërisë Bashkimi, i hartuar nga imzot Preng Doçi, përfaqësohej dhe mbështetej nga Gjergj Fishta dhe alfabeti po latin i Shoqërisë Agimi, që ishte hartuar nga vetë Mjeda. Ky Komision i vuri vetes si detyrë të shqyrtonte tri mundësi për njësimin alfabetik: të përshtatej njëri prej alfabeteve të mësipërme, të bëhej një shkrirje e të tri alfabeteve ose të hartohej një alfabet i ri, thjesht latin. Siç dihet, Kongresi vendosi të mbajë dy alfabete: atë të Shoqërisë së Stambollit dhe alfabetin e ri kombëtar që përdoret sot, deri në thirrjen e një kongresi tjetër, 2 vite më vonë (2-3 prill 1910), ku çështja themelore që u diskutua në fakt ishte rikonfirmimi i alfabetit latin, të miratuar në Kongresin e Manastirit, përkundër një ofensive të Turqve të Rinj për rikthimin e alfabetit arab. Ky alfabet i ri kombëtar mbështetej në alfabetin e Stambollit, duke e plotësuar me 9 dyshkronjëshat, kryesisht të alfabetit të Bashkimit: dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh si dhe me 2 shkronjat diakritike ç dhe ë. Koha do ta vlerësonte këtë vendim të Kongresit të Manastirit si zgjidhjen e duhur në momentin e duhur. Planifikimi gjuhësor i njësimit alfabetik po shkonte njësh me politikën gjuhësore kombëtare të përzgjedhjes së alfabetit latin ndaj alfabeteve të tjera ekzistuese. Po liheshin mënjanë edhe dallimi i zanoreve të gjata nga ato të shkurtra, gjithaq edhe hundoret, tipike kryesisht për gegërishten, por jo sakaq për natyrën e alfabetit latin. Kjo zgjedhje, po aq sa dhe zgjidhje ishte një hap, i cili përcaktoi një drejtim për atë se çfarë do të ishte disa dekada më vonë vendimmarrja për standardin. Por, më së pari, njësimi i alfabetit ishte rruga për bashkimin e kombit nën emrin ‘kombi shqiptar’ dhe një prelud për shtetin e ri njëalfabetik.