Gëzim Zilja: Ja 34 deputetët që nuk e meritojnë të jenë në parlament

49
Sigal

Kodi që bashkon Ramën, Berishën, Bashën dhe Metën

/Telegraf.al/ Më datë 29.12.2008 me ligjin Nr 10.019, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë pësoi ndryshime të rëndësishme. Në një marrëveshje ogurzezë midis Edvin Ramës, Sali Berishës dhe me bekimin e presidentit legjendar Bamir Topi, u sanksionua me ligj mënyra e të zgjedhurit të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë nuk kishte fare rëndësi sesa vota merrte një kandidat për deputet, rëndësi kishte sesa ishte numri rendor që do të kishte në listën e partisë që përfaqësonte. Nëse kandidati merrte fare pak vota ai mund të zgjidhej deputet po të ishte në listë në vendet e para. Po jap tri shembuj nga PD-ja dhe një nga PS-ja sesi në parlament janë deputetë njerëz që kanë marrë shumë më pak vota se kolegët e tyre, por që sot gëzojnë kartonin e deputetit dhe as që kanë turp ta gëzojnë atë në bazë të një ligji absurd, të qëllimshëm, që vret demokracinë shqiptare tash pesëmbëdhjetë vjet. Shikoni tri shembuj për të mos e ngarkuar shkrimin:

Vlorë

Arbi Agalliu 1484 Mandatuar

Gezim Ademaj 3274 Jo

Jolio Dine 2117 Jo

Nadire Meçorrapaj 1608 Jo

Vangjel Anagnosti 1600 Jo

Dibër

Dhurata Çupi 2870 Mandatuar

Edmond Isaku 5098 Jo

Luan Haka 4374 Jo

 

Partia Socialiste

Korçë

Emselvere Zake 3080 Mandatuar

Olta xhaçka 4795 Mandatuar

Bledi Çomo 5788 Jo

Arjan Jaupllari 5164 Jo

Janë 16 deputetë nga PD-ja dhe 18 nga PS-ja që nuk meritojnë të jenë në parlament pasi janë me dhjetëra, ata që kanë një numër më të lartë votash dhe e meritojnë këtë titull. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u “ndryshua” ligji dhe u shtua një nen se ai që kishte mbi dhjetë mijë vota mund të zgjidhej. Nëqoftëse kishe 9999 vota dhe kandidati i listës vetëm 600 vota, por me numër rendor të listës më afër, zgjidhej ai i listës. Pas një viti e gjysmë do të kemi zgjedhjet e tjera parlamentare. Në mbrëmjet e gjata të llafollogëve fevzianë, vasilianë, rakipianë, gridanë etj, tirret lesh pa mbarim, duke prodhuar triko të çdo lloji, me dhe pa mëngë, ngjyer me lëng qepe apo kimikate të çdo lloj ngjyre e gjithçka tjetër, që tredh mëndjet e shqipove, që kanë humbur çdo shpresë për ditë të mira. Por ndryshimin e ligjit famëkeq të listave kurrkush nuk e zë në gojë. Arsyeja është e thjeshtë: Ky ligj i ka kthyer gjithë partitë në prona private me pronarë kryetarët e partive. Rama, Berisha, Basha, Meta shajnë, mburrin, denoncojnë, gënjejnë, kërcënojnë, heqin, emërojnë, por ndryshimin e kodit zgjedhor kurrkush nuk e ze në gojë. Dhe kjo është fare e thjeshtë: ky ligj përjetëson si deri tani sundimin e tyre sulltanor. Ata hartojnë listat e deputetëve, vënë e heqin kë të duan e si të duan. Dhe për hir të një kartoni deputeti, të gjithë anëtarët e partive militantë dhe jo militanë kthehen në bythëlëpirës të kryetarit qofshin socialistë, qofshin demokratë. Ndryshe nuk do të kishim në paralament banditë, hajdutë, analfabetë, të korruptuar, kriminelë, njerëz të sëmurë për pushtet dhe antishqiptarë. Çdo arsyetim dhe denoncim kundër korrupsionit nga opozita ka vlerë, por nëse nuk ndryshohet kodi zgjedhor i vitit 2008, parlamenti do tw vazhdojë tw sundohet nga pjesa me e zezë e shoqwrisw shqiptare. Me ligj duhet të vendoset (s’ka rëndësi emërtimi) që deputet të zgjidhet ai që merr më shumë vota në zonën ku kandidon. Eksperienca tregon se në vitin 1992 një inxhinier i thjeshtë i quajtur Mark Kroqi mundi beniaminin e komunistëve dhe pasardhësin e Enver Hoxhës famëkeqin Ramiz Alia. Me vendosjen e një ligji të tillë numri i servilave, dallaveraxhinjëve, hajdutëve në parlament do të pakësohet. Pushteti absolut i kryetarëve të partive do të bjerë dhe vetë kryetarët e partive mund të humbin në zonat ku do të kandidojnë. Nëse në partitë shqiptare ka ende patriotë, që e duan vendin e tyre, t’i lenë gërmëret, të kërkojnë të anullohet Kodi Zgjedhor i vitit 2008 e të zbatohet një ligj ku i pa afti të mos mundet të fitojë.