Prof. Dr. Qemal Lame: Politika Gjermane me Rusinë

293
Sigal

Politika agresive ruse dhe prishja e rendit botëror, kanë pikëpyetje edhe marrëdhëniet gjermano-ruse të së kaluarës së afërt si pasojë e doktrinës së zbutjes dhe zgjidhjes së konflikteve politike, që kanë mbizotëruar prej kohësh në demokracinë sociale.

1.Politika e zbutjes dhe qetësimit të situatës së tensionuar, si dhe gjetja e zgjidhjeve perspektive të krizave në shërbim të paqes nuk analizohen me kushtet historike në të cilat kanë ndodhur dhe rezultatet konkrete të arritura. Në këto zhvillime, politika gjermane ka qenë e unifikuar për problemet madhore si nga socialdemokratët ashtu edhe nga kristian demokratët e partitë e tjera. Kritikat aktuale bëhen mbi bazën e gjeostrategjisë në kushtet e reja të qëllimeve të gjeopolitikës. Me këto ide është ngritur akuza se politika e Willy Brandt dhe “ndryshimi nëpërmjet afrimit” ishin të gabuara ose iluzore në origjinën e tyre historike. Si argument përmëndet se është forca ushtarake e Perëndimit, që e çoi Bashkimin Sovjetik drejt rrënimit, ndërsa politika gjermane e zbutjes dhe afrimit stabilizoi kundërshtarin politik botëror. Vlerësohet e gabuar edhe politika e Gerhard Shrëder për të ndihmuar që të ruhej stabiliteti ekonomik dhe politik i Rusisë. Këto shihen si një rrëshqitjeje e devijim i politikës normalizuese e afruese socialdemokratike, duke filluar nga marrëveshja për tubacionet e gazit natyror në 1970 deri në Nord Stream 2 që u promovua, por në muajin mars 2022 nuk u miratua vënia e saj në funksionim. Në këtë vendim ndikuan sidomos kundërshtimi i vazhdueshëm i SHBA dhe Francës dhe reflektimi nga politika e Aleancës Perëndimore kundër agersionit të Rusisë.

Akuzat dhe dyshimi aktual për socialdemokratët bazohen në një keqkuptim themelor. Ka rëndësi të njihet fakti se politika e Egon Bahr dhe Willy Brandt vendosi një kundërvënie të qartë ndaj garës së armatimit bërthamor pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo mund ta bënte realitet këtë qëllim vetëm përballë arritjes së marrëveshjeve për një politikë të njejtë armatimesh të fuqive kryesore të kohës. Premisa e Ostpolitikës së Re, “ndryshimi përmes afrimit”, formuluar për herë të parë nga Egon Bahr në 1963, synonte të drejtonte konfrontimin politik dhe ushtarak midis blloqeve në kanale dialoguese dhe jokonfrontuese.

2.Tejkalimi i status quo-së, sipas arsyetimit të Egon Bahr, kërkonte pranimin e këtij parimi dhe vendosjen e tij në bazë të politikës së shteteve me aleanca politike dhe ushtarake me qëndrime të ndryshme dhe në ndërgjegjësimin për parandalimin e një konflikti të mundshëm ushtarak midis Perëndimit dhe Lindjes.

  1. Mburoja bërthamore e SHBA-së ishte kushti tjetër për arritjen e ekuilibrave usharake dhe mënjanimin e konfliktit bërthamor. Nevojat për mënjanimin e kërcënimit potencial ushtarak, kostot e mëdha të armatimeve dhe krizat që pasuan me Berlinin dhe Kubën në 1961/1962 hapën dritaren për një epokë diplomacie. Rezultate konkrete u arritën me Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE), më 1 gusht 1975, traktateve të nënshkruara nga Republika Federale me BRSS, Poloninë, Republikën Çeke dhe RDGJ midis 1970 dhe 1973, Traktatin ABM (Traktati i raketave anti-balistike) në 1972, Traktatin e ICBM-ve, për raketat interkontinentale dhe armëve të reja bërthamore që lëshoheshin nga nëndetëset, duke hequr dorë nga gara e armatimit dhe u angazhuan për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Willy Brandt dhe SPD siguruan kontakte me Moskën duke iu përkushtuar Komunitetit Ekonomik Evropian (EEC) dhe NATO-s. Garantohej politika midis aleatëve perëndimorë dhe nuk krijohej asnjë dyshim se në cilën anë do të ishte Republika Federale në rast konflikti: Republika Federale nuk ishte neutrale në konfliktin Lindje-Perëndim, Boni nuk ishte Vjena apo Helsinki e Kopenhaga. Megjithatë, qeveria gjermane përdori me mjeshtëri interesin e të dy superfuqive për të drejtuar spiralen e armatimeve në shtigje më të qëndrueshme ekonomikisht dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe në botë.

4.Normalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, dialogu dhe mënjanimi i kërcënimeve kishin si fokus kryesor ishte në marrëdhëniet gjermano-gjermane dhe lehtësimi i gjëndjes për njerëzit në RDGJ: Ky dialog do të mundësohej vetëm pas ndërtimit të Murit në 1961. Ishte e qartë se i njëjti aktor nuk mund të merrte të dy rolet. Zgjedhjet e lira në RDGJ nuk mund të bëheshin kusht për bisedime. Së pari, duhej të pranoje status quo-në. Askush nuk mund të kërkojë dialog dhe në të njëjtën kohë të bëjë kërcënime bërthamore. Së dyti, të mënjanohej rreziku bërthamor. Në këtë këndvështrimi, jo pa arsye, nga pikëpamja sovjetike, nënshkrimi i “Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore” nga Gjermania Perëndimore ishte një parakusht qendror për bisedimet me Republikën Federale.

Pikërisht në këto parime dhe veprimtari konkrete në shërbim të stabilitetit dhe të paqes qëndrojnë dallimet me situatën politike të tashme që shqetëson Evropën dhe gjithë botën. Historia dhe kontributi i personaliteteve politike vlerësohen me periudhat kur janë zhvilluar ngjarjet. Edhe reflektimet për korigjime janë të drejta, por nuk mund të jenë objektive kur anashkalohen arsyet dhe realitetet e së akuarës në ndryshim me të tashmen. Politika e re gjermane ndaj Rusisë aktualisht po përpiqet të gjejë një rrugë të mesme, e cila për vetë kohën e shkurtër është ende e paqartë dhe e pazhvilluar plotësisht. Politikisht dhe ekonomikisht, jo të gjitha urat duhet të shemben, që duket në furnizimet me gaz natyror dhe naftë ruse të mbajtura deri më tani. Brenda një dite apo disa muajsh nuk mund të ndryshohet tërësisht strategjia e zhvillimit ekonomik të shtetit me ekonominë më të fuqishme në Evropë. Kërkohet kohë për bindje politike dhe masa efektive për gjetjen e burimeve të reja të sigurta e të garantuara për një periudhë të gjatë, të mënjanohet varësia dhe të ruhet pavarësia e sovraniteti shtetëror. Në sytë e publikut evropian lindor, Gjermania shihet si një frenuese, kur në të njëjtën kohë, Gjermania ka dhënë ndihmat më të shumta dhe po merr pjesë në embargon ekonomike ndaj Rusisë dhe në dërgesat e armëve në Ukrainë. Ndërsa të dyja këto masa të forta duke se janë të pamjaftueshme në sytë e disa politikanëve të Evropës Lindore. Është me vend të njihet fakti se këto janë sanksionet më të gjera të vendosura ndonjëherë midis shteteve që nuk janë në luftime frontale. Realisht ky është faktori përcaktues në qëndrimin për Rusinë. Pra, Gjermania po përpiqet të luajë të dy rolet në “Zeitenëende” dhe deri më tani nuk ka mundur të përmbushë asnjë nga rolet në mënyrë të kënaqshme. Si pasojë, reputacioni është dëmtuar pak, pasi qeveria gjermane nuk ka gjetur mundësinë për të ndikuar tek Putini dhe uljen në tryezën e bisedimeve për zgjidhje të konfliktit në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë dhe pretendimet ruse mbeten rrezik me përmasa botërore. Në situatën e tensionuar po reagohet me nisma që thellojnë konfiktin. Aktualisht nuk e dimë se kush do të luajë rolin e politikës së normalizimit ndaj agresorit rus aktualisht dhe në të ardhmen. Marrëdhëniet e SHBA, NATO dhe BE me Rusinë janë në gjendjen më të rëndë pas Luftës së Ftohtë. Janë ndërprerë edhe kanalet e bisedimeve diplomatike për shkak të sanksioneve. Ditën e djeshme, Moska njoftoi se pas drejtorit të CIA-s, u deklaruan “Non Grata” presidenti Jeo Biden dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Ende nuk e dihet se me cilat qëllime specifike do të lidhet ndonjë nismë për normalizim të situatës. Izraeli ose Turqia, të cilat e futin veten në lojë si ndërmjetës të mundshëm, po ndjekin qëllime të ndryshme nga ato që bënë gjermanoperëndimorët në vitet 1960.

Pyetja se çfarë roli do të luajë Gjermania në të ardhmen nuk duhet të marri përgjigje me argumentet e gjendjes së tensionuar në sfondin e vlerësimeve aktuale gjeostrategjike. Politika zyrtare dhe ajo e partive politike do të jenë gjithashtu më të qarta kur armët së pari të heshtin dhe të bisedohet konkretisht për zgjidhjen e konfliktit e arritjen e paqes. Këto arrihen me ndërgjegjësimin për miqësi, jo armiqësi, paqe dhe jo luftë, mirëqënie, jo varfëri.