Prof. Dr. Qemal Lame: “Open Balkan” për të gjithë

Open Balkan si nismë e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut ka në përmbajtje bashkëpunimit midis shteteve të rajonit, mbështesin procesin e Berlinit dhe tregun ekonomik të  përbashkët rajonal që ka dalë nga procesi i Berlinit e për të cilin nevojiten padyshim liritë e qarkullimit dhe kualifikimeve dhe të njohjes së diplomave profesionale e akademike, por është serish Serbia që nuk po pranon një gjë të tillë për shtetet e tjera.

Por nuk mund të kenë sukses pasi tre shtetet e tjera refuzojnë. Kësaj i shtohet edhe mospjesmarrja e shteteve të tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Kemi një Open Evropë dhe Open Balkan për antarët e bashkësisë evropiane dhe një ishull i mbyllur, Ballkanin Perëndimor me gjashtë shtete, nga të cilat gjysma kërkon rrugëdalje me Open Balkanin e vogël.

Sigal

Pengesa është efektivisht Serbia, e cila nuk dëshmon se distancohet nga e kaluara dhe nuk po ndryshon në masën e nevojshme për tiu përshtatur perëndimit ku dëshëron të integrohet. Prandaj nisma krijon natyrshëm faktin se ndihmohet ndryshimi artificial i qëndrimit ndaj Serbisë, kur ajo vetë nuk e realizon këtë.

Në anën tjetër kur thuhet Ballkani i Hapur, duhet kuptuar se Serbia është e hapur në radhë të parë për Federatën Ruse dhe Kinën. Sipas pikëpamjes së Serbisë kjo synohet të bëhet orientim edhe nga të tjerët në rajon.

Është me vend të kuptohet e vlerësohet mbështetja zyrtare për nismën nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e nënkuptur nga Bashkimi Evropian me argumentimin e vlerësimit të bashkëpunimit rajonal në shërbim të atij evropian. Në këto përfundime ka ndihmuar edhe projekti i Sorros për Ballkanin e Hapur dhe tregun e hapur rajonal që dihet se është financuar nga Departamenti i Shtetit, pas luftës në Kosovë. Ndërsa është hequr dorë nga ideja për ndarjen e Kosovës për të plotësuar kërkesat e Serbisë për njohjen e Kosovës. Gjithë kombi shqiptar e kundërshtoi me forcë.

Vlerësoj qëndrimet parimore të Qeverisë së Kosovës për rrezikun serb nga mosnjohja e pavarësisë. Mbështetja nga SHBA dhe BE, si dhe analiza me objektivitet e deklaratës së përbashkët dhe intervistave të dhëna nga tre liderët e nismës, mendoj se vënë në pah edhe nevojën për kuptimin dhe përfitimin nga ndryshimet e premtuara nga presidenti Vuçiç për Shqipërinë dhe Kosovën.

  1. Pranohet heqia e kufizimeve kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo është një arritje me rëndësi. Në rast se do të realizohet, Serbia nuk do të akuzojë për Shqipërinë e Madhe. Pengesë mbeten kryesisht shtetet e quintit që nuk pranojnë heqin e kufirit dhe theksojnë në vijim shqetësimin për Shqipërinë e Madhe.
  2. Pranohet që Kosova të marri pjesë në nismën nga pozita të barabarta. Pra të ulen sëbashku në tavolinën e bisedimeve dhe të marrin vendime me interesa të përbashkëta. Ashtu si ulen sëbashku në tavolinën e bisedimeve të ndërmjetësuara në Bruksel, të ulen e të bisedojnë edhe në kryeqytetet e tyre. Pjesmarrja me barazi është një mundësi për diskutime të problemeve, gjetjen e mundësive për masa konkrete të mundshme e bashkëpunim, megjithse nuk bëhet fjalë për zgjidhjen përfundimtare të njohjes së pavarësisë e të sovranitetit shtetëror.
  3. Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, njohja e diplomave, punësimi pa dallime që zgjidhen me marrëveshje që kanë përfitime të përbashkëta ekonomike.
  4. Problemet politike, qëndrimet krejt të ndryshme për pavarësinë e njohjen dhe mosmarëveshjet të vazhdojnë të zgjidhen me anë të bisedimeve me ndërmjetësimin nga Bashkimin Evropian. Qëndrimet politike krejt të kundërta mbeten, por pranohet se nuk duhet të bëhen pengesë për përfshirjen në Ballkanin e Hapur. Presidenti serb tha se nisma është e hapur për të gjithë dhe dyert janë të hapura për Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.“Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”, tha ai.

Open Balkan me probleme ekonomike kundërshtohet me argumente politike. Kosova nuk do të izolohet ekonomikisht dhe politikisht nga nisma. Përkundrazi do të përfitojë në rast se bashkëpunon me kritere që ajo vlerëson se mbrojnë interesat e saj. Prandaj duhet kuptuar drejtë deklarimi i kryeministrit të Shqipërisë në Beogradi, kur tha se do te vini në kufijtë e shteteve të Open Balkan dhe nuk do t’ua hapim derën. Kjo do të ndodhi konkretisht me zgjerimin e lëvizjes së lirë midis tre vendeve. Shtetet që nuk përfshihen në marrëveshjet nuk mund të pretendojnë të përfitojnë nga kriteret e lëvizjes së lirë në tre shtetet.

Kosova ka mundësi ta shfrytëzojë nismën për zgjerimin e bashkëpunimit edhe për interesat e diplomacisë. Qeveria e Shqipërisë mbështet interesat e Kosovës dhe është e përkushtuar në zgjerimin e njohjeve të saj. Këtë e dëshmon edhe në takimet me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë ku thuhet qartë se dëshëron të bashkëpunojë me autoritetet serbe për të arritur njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Portet dhe gjithë infrastruktura e transportit rrugor, hekurudhër e ajror shqiptare janë dhe mbeten pronë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ashtu si në gjithë Bashkimin Evropian ku do të kemi vendin tonë, këto përdoren dhe janë në shërbim të bashkësisë sipas marrëveshjeve dhe rregullave ligjore. Këto janë kritere edhe marrëdhëniet edhe me shtetet e rajonit. Me këtë praktikë të njohur, vlerësohen të padrejta mendimet se Porti i Shëngjinit, i premtuar për Kosovën, do të shkojë në shërbim të Serbisë. Rruga e Kombit, e konsideruar si rrugë e bashkimit kombëtar, nuk do të shërbejë si rruge e bashkimit të Shqipërisë me Serbinë, duke injoruar Kosovën. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete shqiptare me interesa të përbashkëta kombëtare.

Nëse Kosova bëhet pjesë e Open Balkan, Serbia nuk do ta ketë më të lehtë ta zhbëje atë si shtet. Open Balkani nuk ka për synim rikthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Open Balkan gjithashtu nuk ka për synim gjithashtu rikthimin e Malit të Zi nën sovranitetin serb.

Politika shoviniste e Serbisë mbetet një rrezik potencial, por nuk ka shanse të realizohen ëndrrat mesjetare serbe që ushqehen nga ultranacionalistët dhe Kisha ortodoke Serbe. Federata e Jugosllavisë u shkatërrua dhe nuk ka asnjë mundësi të ringrihet. Shtetet e rajonit nuk pranojnë dhe nuk kanë ide për konfederatë të drejtuar nga Serbia.  Politika e Qeverisë së Shqipërisë dhe mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO janë garanci për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin teritorial të Kosovës, Malit të Zi, Bosnjes, Maqedonisë së Veriut.

Bashkimi Evropian me shtrirjen e tij pothuajse kontinentale, megjithë Brexin anglez, nuk është i plotë nga ana gjeografike dhe nuk arrin lëvizjen e lirë pa u bërë pjesë e tij edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë të orientuara dhe kanë kryer reformat për plotësimin e standarteve evropiane. Shtetet e tij anëtare e njohin dhe e pranojnë këtë mangësi, por arrijnë të kenë qëndrim të përbashkët. Zgjerimi pengohet, në radhë të parë, nga grupimet nacionaliste sidomos në Francë. Atyre ju bashkohen edhe politikat nacionaliste të Qeverive të Hungarisë e të Polonisë që duan të veprojnë ndryshe nga rregullat e bashkësisë për sistemin e drejtësisë dhe median dhe reagojnë kundër sanksioneve duke bërë presion për shkëputje. Në radhë të dytë, mbetet pengesa që pesë shtetet anëtare nuk njohin Pavarësinë e Kosovës. Kështu pengohet edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, megjithë premtimet zyrtare të BE.

Zgjidhja e këtyre problemeve kërkon politika të përbashkëta dhe vullnet për të zbatuar dhe implementuar reforma të vështira të domosdoshme për të sotmen dhe të ardhmen, si dhe për të përballuar ndërhyrjet dhe ndikimin keqëdashës të Rusisë e të Kinës kundër integrimit perëndimor të rajonit duke thelluar praninë e tyre ekonomike dhe politike në Evropë. Për këto arësye, mbetet detyrë me përparësi qartësimi konkretisht i perspektivës evropiane të rajonit brenda një afati kohor të caktuar dhe realist. Gjashtë shtetet janë në faza të ndryshme të procesit dhe duhen inkurajuar. Me zgjedhjet e reja në Bullgari shpresohet të mënjanohet edhe vetoja e saj kundër Maqedonisë së Veriut. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të hapen bisedimet për anëtarisim deri në fund të dhjetorit. Kjo është kërkesë e Parlamentit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bashkimi Evropian kërkohet të afrojë shtetet e rajonit me lehtësime dhe hapjen e tregut të përbashkët evropian, përfshirjen në marrëveshjet ekonomike, tregtare, komunikacionit, etj., që janë edhe në shërbim të integrimit në kohë dhe të nismës së pranuar të Berlinit dhe forcimin e mirëbesimit tek njerëzit për integrimin ekonomik të rajonit. Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë zbatimin e 33 marrëveshjeve të miratuara duke u respektuar barazia ndërshtetërore. Bashkëpunimi teknik de facto ndihmon dhe i paraprim arritjes së qëllimit politik të njohjes de jure që kërkon kohë dhe ndërgjegjësim nga serbët e indoktrinuar që duhet të reflektojnë e të orientohen me ndërgjegje drejt perëndimit.

Me këto masa gjeopolitika perëndimore do të arrijë qëllimet që Evropa të forcohet, të sigurohet më mirë paqa e lëvizja e lirë. Kështu do të shpejtohet e konkretizohet integrimi i rajonit dhe do të kenë sukses edhe politikat e shteteve dhe do të mënjanohet mbyllja e rajonit perëndimorë të Ballkanit.