Prof. Dr. Qemal Lame: Mbrojtja e aleancës perëndimore, jo rendi i ri ndërkombëtar

243
Sigal

Bashkësia ndërkombëtare po përjeton zhvillime të mëdha historike pas dëshmit të misionit perëndimor në Afganistan. Gjatë 20 vjetëve Perëndimi investoi dhe shpenzoi biliona dollarë në një vend të pazhvilluar, të varfër, të copëtuar nga ndasitë fisnore e fetare dhe bazë e terrorizmit ndërkombëtar të Al-Kaidës. Shtetet që morën pjesë në mision mbivlerësuan veten dhe besuan në modernizimin e këtij vendi duke bërë sakrifica njerëzore e finaciare, por në fund pa sukses, dështuan dhe u tërhoqën duke e lënë në kushtet e katastrofës humanitare. Natyra e tërheqjes nga Hindukushi kritikohet si e turpshme për NATO-n. Kjo u komentua edhe si fitore e Rusisë e Kinës dhe shkaktoi menjëherë disa ndjenja gëzimi zyrtar në Moskë dhe Pekin. Humbja e Perëndimit është e dukshme, e pranuar dhe nuk ka arësye të fshihet. Njëkohësisht theksojmë se bota sot ka një “shtet të dështuar” më shumë. Urdhri i Presidentit Bajden për tërheqjen e menjëhershme shkaktoi tronditje të thella dhe situata nuk mund të kontrollohej. Tërheqja kaotike e amerikanëve dhe e aletëve të tyre, si dhe pasojat e menjëhershme me rënien e shtetit brenda dy javëve dhe marrjen e kontrollit nga talebanët shkaktuan katastrofën kombëtare afgane. Realisht nuk mund të thuhet për një shtet, por për një strukturë të organizimit të ndarë në disa provinca ku fiset, grupet, popujt dhe komunitetet fetare rivale po përgjojnë, luftojnë njëri-tjetrin, pengojnë zhvillimin dhe përkeqësojnë të ardhmen. Rreziku i islamizmit radikal në këtë vend është potencial. Kjo ndodh pranë kufijve të Rusisë e Kinës. Rusia njoftoi përforcime me forca ushtarake të kufirit me Afganistanin për të përballuar dhe frenuar një migrim të mundshëm masiv dhe futjen e terroristëve. Kina nuk është shprehur zyrtarisht, megjithëse kuptohet se ka marrë masa të shumta mbrojtjeje në kufirin e saj për të parandaluar çdo të papritur nga zhvillimet politike në Afganistan dhe nga shtetet që e mbështesin. Gjendja në Afganistan kërcënon në radhë të parë paqen e sigurinë dhe stabilitetin në Azinë Qëndrore dhe më pak Evropën apo Amerikën. Tërheqja e Perëndimit nga ky rajon krijon kushte të reja për gjeopolitikën ruse dhe atë kineze. Ato detyrohen të jenë më të vemëndshme, të shpenzojnë më shumë për forcat e tyre ushtarake dhe të marrin masa me kohëzgjatje të përhershme. Asnjë nga vendet e rajonit nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësive që dalin nga afërsia gjeografike, gjendja e rëndë dhe të papriturat e zhvillimeve politike afgane.

Ndryshimet e ndodhura kanë nxitur ambiciet për rolin e superfuqisë kryesore botërore. Për këtë qëllim Moska dhe Pekini po propogandojnë pretendimet për krijimin e një rendi të ri botëror. Sipas interesave të tyre gjeopolitike, ato duan një rend të ri me qendra të ndryshme fuqie dhe zona ndikimi. Konkretisht kërkohet rikthimi në zonat e influencës të periudhës së Luftës së Ftohtë. Moska do të preferonte të mos përmëndet më pushtimi, por të pranohej aneksimi i Krimesë, si dhe ta konsolidonte kontrollin e saj në Ukrainë, Bjellorusi dhe në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore. Pekini do të donte të mos flitej për shkeljen e të drejtave të njeriut në Tibet e për ugurët, të parandalonte transportuesit e avionëve amerikanë të lundrojnë në Detin e Kinës Jugore dhe që Uashingtoni të mbrojë lirinë e Tajvanit. Këto ndryshime regresive do të kthenin prapa të kaluarën me pasoja të rënda. Aleanca Perëndimore nuk do pranojë këtë degradim dhe nuk do të favorizojë ambiciet hegjemoniste të Pekinit dhe Moskës! Qytetërimi sotëm ka përfituar nga rendi liberal botëror, i bazuar në rregulla sipas modelit perëndimor. Dështimi në Afganistan nuk do të thotë se ky model ka marrë fund. Zhvillimi i gjithanshëm perëndimor, idealet, vlerat që ka realisht dhe mbështet Perëndimi edhe për vendet e tjera që duan të ecin në rrugën e demokracisë, mbrohen për rëndësinë e tyre universale. Për njerëzimin janë jetike dinjiteti i çdo njeriu, të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë, liria e shprehjes, e drejta e mbledhjes, demokracia e brendshme, respektimi e garantimi i të drejtave të njeriut. Gjendja tragjike dhe zhvillimet e pritshme drejt kthimit në ligjet islamike në Afganistan në muajt e ardhshëm do t’i tregojë botës nëse do të ketë realizim të premtimeve të talibanëve për ndryshime apo rikthim në të kaluarën terroriste. Kështu do të binden afganët dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare për vlerat përparimtare të perëndimit liberal. Moska pretendon të rimarri rolin e dikurshëm të ish Bashkimit Sovjetik. Për këtë qëllim ajo propogandon, se SHBA kanë dashur të dominojnë botën që nga fundi i Luftës së Ftohtë në vitin 1991. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë superfuqia bëtorore për vetë zhvillimin e bazuar si fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake e kohës. Janë bindja e popujve në nevojën e ndryshimeve demokratike, nuk është faji i Perëndimit që vendet e Evropës Lindore largohen nga Moska dhe ecin drejt botës së lirë. Ndryshimet rrënjësore gjeopolitike janë ndikuar dhe realizuar për një të ardhme më të mirë në demokraci. Kjo synohej edhe nga populli rus, por nuk u realizua. Rusia mbeti nën sundimin autoritar dhe nuk arrin të ketë marrëdhënie miqësore me shtetet demokratike evropiane megjithë se pretendon për bashkëpunim të barabartë në rajonet ku do të shtrijë influencën. Kjo ndodh edhe me shtrirjen e saj sidomos në Ballkan, ku ajo ka mbështetjen kryesore vetëm nga Serbia e cila synon me ndihmën e Moskës të rimarrë fuqinë e ish Federatës Jugosllave dhe manovron me “mini Shengen” apo “Ballkanin e hapur”.  Përvoja jo e sukseshme e ndërhyrjeve ushtarake e këtyre 30 vjetëve të fundit shtron nevojën që Aleanca Perëndimore të përqëndrohet më shumë në mbrojtjen e teritorit të vet, zhvillimet e brendshme ekonomike dhe të kufizojë  pretendimet që politikanët dhe studiuesit historianë i quajnë “shtrirje të tepërt” të sferës së tij të ndikimit. SHBA, BE dhe NATO-ja duhet të mësojnë nga gabimet e tyre. Kjo është e domosdoshme për të administruar më mirë forcat e veta, fuqinë e gjithanshme ekonomike dhe të rriten aftësitë ushtarake të mbrojtjes. Kështu do të përballohen edhe sfida dhe rreziku nga tempi i ritme të larta të zhvillimit ekonomik e potencialit ushtarak që pretendojnë deri në vitin 2050 Kina dhe Rusia. Fuqizimi i Perëndimit diktohet edhe nga fakti se regjimet autoritare në Moskë, Pekin, Teheran dhe gjetkë kanë nevojë për armiq të jashtëm për të mbijetuar politikisht. Në këtë përballje të madhe me ndryshimet historike marrin rëndësi parësore ruajtja e vlerave perëndimore dhe fuqisë së tyre rrezatuese globale. Popujt kudo në botë vlerësojnë mirëqënien e Perëndimit, forcën e tij ekonomike, mundësinë që çdo qytetar të zhvillohet në liri. Këto janë përparësi të shteteve perëndimore. Me të drejtë ato do të vazhdojnë të tërheqin dëshirën e njerëzve për ndryshime dhe jetë më të mirë sipas modelit perëndimor. Ky është shkaku kryesor që miliona njerëz përfshirë edhe rusë e kinezë që vijnë e duan të ndërtojnë një jetë të re në shtetet e zhvilluara perëndimore. Këto do të do të nxisin edhe zhvillimet e mëtejshme demokratike ndërkombëtare. Tërheqia nga Afganistani është sigurisht një pikë kthese në histori dhe kërkohet të nxirren mësime për të kaluarën e të ardhmen. Qëndrimet e shteteve pjesëmarrëse në këtë mision tregojnë se në kushtet e sotme të zhvillimeve politike ndërkombëtare Perëndimi do të jetë i përmbajtur dhe nuk do të jetë më aq i gatshëm të ndërmarrë apo për t’u përfshirë gjerësisht në aventura të reja të këtij lloji. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n ku ka vendin e merituar edhe Shqipëria mbeten parësore zhvillimet ekonomike me ritme të larta e të shpejta dhe modernizimi i mëtejshëm i aftësive mbrojtëse e kundërsulmuese kur lind si domosdoshmëri. Rëndësi jetike e vendimtare kanë mbrojtja e Aleancës Perëndimore, jo rendi i ri ndërkombëtar. Kërkohet të vlerësohen fuqitë e jashtëzakonshme të Aleancës Perëndimore dhe të shihet përpara me optimizëm. Megjithë humbjen në Hindukush, shkëlqimi i vlerave të qytetërimit perëndimore dhe modeli i demokracisë pluraliste dhe i shtetit të së drejtës, tregu i lirë, globalizimi dhe integrimi të harmonizuara me interesat kombëtare mbeten orientuese për zhvillimet paqësore dhe të ardhen më të mirë të njerëzimit.