Prof. Dr. Lush Susaj: Nevoja për bashkim dhe qëndresë ndaj diktaturës së frikës dhe korrupsionit

201
Sigal

Goditja e “Prestige Resort” është dëshmia e dehumanizimit të shtetit dhe politikës. Është goditur imazhi i shtetit dhe shoqërisë shqiptare, duke na paraqitur para botës së qytetëruar si një shtet dhe një shoqëri primitive. Nuk jemi kundër zbatimit të ligjit, por jemi kundër frikës dhe ligësisë


Filozofi grek Aristoteli (384-322), e ka menduar dhe e ka trajtuar njeriun si një kafshë të ndryshme nga krijesat e tjera të botës shtazore, e kjo për faktin që njeriu di të mendojë e të gjykojë, e kështu të vetëorganizohet e të krijojë shoqëri dhe shtet të bazuar mbi rregulla dhe parime morale. Ndërsa sundimtarët e djeshëm e të sotëm të shtetit tonë, duket që i përkasin një specie të veçantë, totalisht të ndryshme nga specia njerëzore. Sundimtarët tonë janë specifikë për nga mënyra se si jetojnë dhe grumbullojnë pasuri dhe pushtet haram, përmes amoralitetit të dhunës, mashtrimit dhe trashëgimisë së genit dhe sjelljes antishqiptare ndaj fateve të shtetit dhe shoqërisë. Sundimtarët nuk kanë asnjë profesion të njohur si ndërtues e as prodhues, përkundrejt nivelit të tyre të lartë në fushën e mashtrimit, hipokrizisë, dhunës, hajnisë dhe ligësisë. Fati e solli që me datën 2 shtator 2022, unë të ndodhem në Golem, fare pranë “Prestige Resort”, i cili u gdhi i rrethuar me makina të shumta policie dhe me fadromat dhe çekiçët, që godisnin pa pushim pllakat, muret e pishinave dhe muret e ambjenteve të jashtme. Resorti është rrethuar dhe goditur në një mënyrë aspak etike dhe në kohën kur ishte plot me turistë shqiptarë e të huaj, e ku më shumë binin në sy turistët amerikanë, polakë dhe çek. Unë dhe as pushuesit e tjerë nuk merremi dhe nuk gjykojmë mbi ligjshmërinë apo paligjshmërinë e ndërtimeve në bregdet, ama u ndiem shumë keq për kohën dhe për mënyrën se si është bërë rrethimi dhe ndërhyrja. Edhe në kushtet e paligjshmërisë së thellë, kjo lloj ndërhyrje priste dhe mund të realizohej edhe gjatë periudhës nëntor-mars, pa ndëshkuar dhe pa shqetësuar asnjë turist apo pushues të huaj. Askush nuk na e ka borxh mashtrimin shtetëror me reklama, me demagogji dhe me deklarata për turizmin elitarë dhe sigurinë, përballë pasigurisë dhe realitetit të mbushur me brutalitet policorë dhe me shkatërrimtarë të pllakave, rrugicave dhe pishinave të resortit në sy të fëmijëve dhe pushuesve të shumtë, që ndodheshin në ambjentet e resortit. Goditja e sotme mbi “Prestige Resort”, zbuloi edhe një herë frymën dhe fytyrën e vërtetë antishtetërore të klaneve politike e hajdutërore, që duket që kanë marrë peng ligjet dhe institucionet, e që po i përdorin ato në shërbim të rritjes së pasurisë personale dhe të frikës dhe të nënshtrimit ndaj diktaturës moniste.

Nuk jemi kundër zbatimit të ligjit, por jemi kundër frikës dhe ligësisë. Askush nuk është kundër zbatimit të ligjit, përkundrejt faktit që gjithëkush pret nga institucionet shtetërore e ligjzbatuese më shumë moral, barazi dhe korrektesë. Askush nuk kërkon mosndëshkimin e atyre që zaptojnë hapësirat apo që nuk paguajnë taksat, etj, përkundrejt faktit që gjithëkush ndihet i fyer nga ligjet dhe ndërhyrjet selektive, tendencioze, brutale e frikësuese. Unë pash nga afër simptomën dhe dhimbjen më të madhe të shoqërisë dhe të institucioneve të shtetit shqiptar, e që mendoj që është dhuna dhe ligësia, që realisht karakterizon administratën dhe institucionet moniste të çdo vendi e të çdo periudhe. Mua dhe shumë pushuesve të tjerë nuk na bënte përshtypje dëmi që shkaktohej nga shkatërrimi i betonit, mureve dhe pllakave. Ndërsa më shqetësonte dhe më fyente kapardisja dhe ligësia e disa personave të veshur civilë, pa mjete identifikimi dhe me radio në dorë që vraponin dhe shpejtonin për ta prishur sa më shpejtë, e në mënyrën më të thellë e më të parikuperueshme. Më bënte shumë përshtypje përkushtimi dhe ustallëku i ekzagjeruar i këtyre njerëzve për ta shkatërruar pronën e shqiptarit me shumë kapardisje, frikë dhe brutalitet. Shikoja mënyrën se si edhe shoferët dhe punëtorët i mësonin dhe I drejtonin se si dhe ku me i vendos kokat e çekiçit dhe fadromave, fiks në pikat dhe nyjet kryesore bashkuese të mureve dhe rrugëve, m’u aty ku dëmi, dhimbja dhe fyerja të ishte sa më e madhe. E kjo nuk besoj që ka emër tjetër përveçse ligësi e programuar e një shteti që duket edhe 32 vite pas përmbysjes së komunizmit, ka mbetur klanorë, klientelistë dhe kriminalë. Për ligësinë e njeriut dhe të shtetit klanorë e të korruptuar, filozofia na mëson se ligësia mund të jetë e momentit (spontane) dhe e planizuar (e programuar). Ligësia e momentit nuk është se prodhon pasoja të rënda për shtetin dhe shoqërinë. Përkundrejt faktit që ligësia e programuar prodhon aq shumë frikë, varfëri, prapambetje dhe tragjedi të thella e të njëpasnjëshme, sikurse kjo e sotmja. Sot nuk është goditur paligjshmëria që në këso rastesh edhe mund të ekzistojë. Përkundrazi është goditur imazhi i shtetit dhe shoqërisë shqiptare, duke na paraqitur para botës së qytetëruar si një shtet dhe një shoqëri primitive, e dominuar nga mllefi, ligësia dhe dëshira për të shkaktuar shkatërrime dhe sa më shumë dhimbje njerëzore. Sot nuk triumfoi morali i zbatimit të ligjit dhe i zgjidhjeve të arsyeshme, përkundrazi ra në sy brutaliteti, që kall frikë dhe pasiguri tek popullsia, tek bizneset, tek gazetarët dhe intelektualët, nga të cilët kërkohet heshtje, gjunjëzim dhe nënshtrim pa kushte.

U la të nënkuptohet që për të gjithë ata që flasin dhe që kundërshtojnë diktaturën dhe interesat klienteliste të saj, ka brutalitet, shantazh, shkatërrim prone, shkarkime nga puna, mënjanime nga vendimarrja dhe nga shtet administrimi, etj. Në këtë mënyrë, sikurse e kanë të gjitha diktaturat moniste, kundërshtarët shpallen armiq, ndërsa bashkëvjedhësit konsiderohen dhe quhen “burra shteti”, “intelektualë”, “besnikë”, “patriotë”, “patronazhistë”, etj. Unë mendoj që pas dhunës dhe shkatërrimit të sotëm në Golem, Shqipëria nuk është bërë më e bardhë, as më e mirë e as më e lirë. Përkundrazi është bërë më e zezë në imazh, më e frikëshme për të punuar e jetuar dhe më e pabesueshme për të bërë biznes dhe turizëm. E gjithë kjo nuk vjen për shkak të zbatimit apo të mos zbatimit të ligjit, por vjen për shkak të ligësisë, injorancës dhe brutalitetit të administratës dhe institucioneve në drejtim të kohës dhe mënyrës së zbatimit të ligjit. Në këtë mënyrë sikurse është vepruar sot, nuk mendoj se është respektuar as koha (momenti i duhur), as morali dhe etika (pushuesit nuk kishin asnjë faj të shqetësoheshin) dhe as protokolli i zbatimit të ligjit (nuk ka shkatërrim pa boshatis resortin). Unë mendoj se ky nuk është morali i duhur shtetëror dhe as koha dhe mënyra e duhur e zbatimit të ligjit. Përkundrazi është sjellja më e gabuar ndaj turizmit, biznesit dhe fjalës së lirë, e unë nuk mund të jem kurrë dakort me këtë lloj sjellje.