Prof. Dr. Lavdi Hasani/ Reforma e re në Arsimin e Lartë, por e cilit tip….?!

867
Sigal

Ndër shumë nga problematikat aktuale shqiptare që duan zgjidhje me ndërhyrje intensive emergjente, mendoj se është reforma në Arsimin e Lartë. Qeveria e hodhi dy ditë më parë këtë hap, duke çelur debatin evidentues e konsultativ të kësaj problematike. Është një ndër temat më kryesore të shoqërisë shqiptare, që duhet trajtuar, në lidhje me gjithë sektorin e arsimit. Tashmë reforma në Arsimin e Lartë Shqiptar është në start, duke synuar për t’u shkëputur nga modeli absurd i derisotëm. Në sektorin e këtij niveli arsimi të gjithë janë dakord dhe gati për debat, për të paraqitur alternativa modelesh të reja, për t’i dhënë fund praktikës ekzistuese, ose thënë qartë, kësaj të ashtuquajture reformë ekzistuese që ka si tregues pasoja penguese e jo zhvilluese, por fatkeqësisht deri sot e zbatuar si një “shtampë” e rekomanduar dhe e urdhëruar nga qendra.

Ndaj këtij shqetësimi mbarëkombëtar asnjëri prej atyre që kanë sadopak eksperiencë në këto punë, nuk duhet të qëndrojë indiferent e  të mos shpreh konsideratat dhe sugjerimet e akumuluara në vite, me efekte progresive në këtë reformë jetike, në një nga sektorët me nevralgjik e me perspektivë për vendin dhe të ardhmen e shoqërisë tonë, sidomos të së ardhmes së sferës profesionale. Me këtë shqetësim intelektual, mendoj të shprehim më poshtë, disa prej konsideratave qoftë si individ, qoftë si pjesë drejtuese e mësimdhënëse e trupës mësimore në Arsimin e Lartë, por qoftë edhe disa konkluzione e mendime të dala në konsultimet me kolegët e homologët, si trup profesionistësh mësimdhënës të këtij sistemi.

Së pari, që kjo reformë të jetë jetëgjatë e jo shabllone, mendojmë se, duhet të hidhen disa piketa themelore, të cilat duhet të jenë të diskutuara e të përzgjedhura në planin alternativ funksional e efiçent, duke filluar qysh nga baza e këtij sistemi.

Së dyti, mendoj se duhet të evidentohen e të mbahen në konsideratë rrethanat konkrete të shoqërisë, si ato të planit social dhe ato të planit ekonomik e social, mbi bazën e të cilave duhet të shtratifikohen e të zhvillohet shëndetshëm kjo reformë. Në të kundërt, reforma që po piketohet të rinovohet, do të mbetet “reformë e bukur dhe e këndshme” në teori, por vetëm propagandistike zyrtarisht dhe inefiçente në terrenin mësimor në Arsimin e Lartë, Për rrjedhojë, nëse ajo rikonceptohet si reforma aktuale sa për efekt propagandistik zyrtar, do të dështojë para se të lind. Këtë e ka treguar koha me reformat e realizuara e të futura në veprim, deri sot në Arsimin e Lartë.

Kështu është mirë, që ne të përcaktojmë paraprakisht, afërsisht se sa si numër dhe se çfarë “lloj” universitetesh na duhen, për të cilët realisht kemi nevojë? Ç’kritere dhe ç’karakteristika teknike, shkencore, sociale, normative, përvoje etj., duhet të ketë një i quajtur “Universitet”?! Fillimi i punës nga një komision i posaçëm lidhur me këtë reformë është një gjë serioze, por që lë shteg për pikëpyetje. Me gjithë konsideratat më të larta për pjesëmarrësit përgatitor në këtë komision, sidomos për ata që edhe i kanë kryer studimet jashtë vendit (pasi nuk kemi ndonjë informacion të plotë nominal), shtrohet ky problem: Një i shkolluar jashtë vendit, automatikisht është një shkencëtar shumë më i mirë se ndonjë nga ata, të shkolluar brenda vendit, por a është ai, një njohës më i mirë i arsimit dhe karakteristikave, që, siç e cituam më lartë, duhen mbajtur në konsideratë?! Kjo kërkon debat e konkludim konkret, realist e jo vendim apriori. Duke kërkuar ndjesë për ndonjë pasaktësi (por me dëshirën e mirë për punën, nëse jemi në të vërtetën për ato çka po ngrehim si shqetësime), dëgjojmë se në këtë komision përgatitor të reformës arsimore në universitete, ka më shumë përfaqësues nga universitetet private. Në se kjo është e vërtetë, a nuk duket si paradoks ky fakt, kur në universitetet publike janë ata specialistë që kanë jo vetëm përvojë më të madhe, por dhe kontribute më të qenësishme për vendin dhe shoqërinë?! Flitet se edhe balanca e punës në universitete, do të anojë nga kërkimi, zhvillimi dhe transformimi i teknologjive. Bukur fort. Por si dhe për sa kohë, do të arrihet kjo?! Cila është infrastruktura e universiteteve tona në veçanti dhe e vendit tonë në tërësi, në këtë drejtim? E mundëson, apo s’është në gjendje ta suportojë një gjë të tillë? Mos vallë, ende do vazhdojmë të ngelemi me praktika shabllone, me reforma në… letra e seminare?! A e dinë dhe a e kanë të qartë ata që duhet ta  kenë, se ajo nga ç’ka ne si shoqëri po vuajmë më shumë, është mosrespektimi i ligjit?! Këtu duhet të fokusohen më së pari strukturat shtetërore. Po e ilustroj me një shembull të thjeshtë, këtë ç’ka po them më lartë: Në bazë të VKM nr. 467 datë 18.07.2007 pika 1.5 (rishprehur në vendimin nr. 91 datë 10.02.2010), thuhet: “Këshilli i Profesorëve në Universitete, drejtohet nga Kryetari i tij, i cili zgjidhet prej tij sipas vjetërsisë profesionale me rotacion  1- vjeçar”.

Pa folur fare për universitetet private, por vetëm në ato publike, nisur nga sa jemi të informuar midis kolegësh, për një gjë të tillë, në kundërshtim me VKM-në e mësipërme ka disa praktika, si p.sh, disa universitete e zgjedhin profesoratin për 4 vjet, aq sa është edhe mandati zgjedhor i institucionit. Disa e emërojnë dhe disa të tjerë e kanë të përhershëm. Prandaj kjo reformë, që të jetë ajo që dëshirojmë të gjithë e që i përshtatet zhvillimeve në Arsimin e  Lartë, mendoj se, ka nevojë të shtrijë qysh në krye të herës, debatin për të në bazë. Është domosdoshmëri që modeli i reformës së re, të ketë parasysh përvojën pozitive apo negative, të akumuluar në këtë sistem arsimor deri sot, me qëllim që në vazhdim të jetë aplikative dhe efiçente në Arsimin e Lartë.

 * Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti “Eqrem Çabej”- Gjirokastër