Prof. Dr. Ismet Elezi: Trashëgimia kulturore e shkencore e historianit Sherif Delvina, me vlera të mëdha Kombëtare

334
Sigal

Me keqardhje të madhe mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim të nderuar, historianit të njohur Sherif Delvina. Miku im i dashur e i nderuar Sherif u nda nga jeta, por i pasur me virtyte të larta ndershmërie e sjellje shembullore, aftësi krijuese, nivel të lartë kulturor, ndjenja të atdhedashurisë e idealit kombëtar, të pasqyruara edhe në veprat e tij, e bëjnë atë të pavdekshëm. Sherifi ishte bir i një familje patriote, që nga Sulejman Delvina, personalitet i njohur botërisht, Neki Delvina, anëtar i Gjykatës së Lartë (Gjykata e Diktimit), me një edukatë shembullore, iu përkushtua mësimit e studimit dhe arriti në nivele të larta shkencore në fushën e historisë dhe kulturës. Unë u njoha për herë të parë me këtë studiues të dalluar e të kulturuar në bankat e Bibliotekës Kombëtare, aty ku ai kaloi shumicën e jetës së tij duke studiuar veprat e autorëve të mëdhenj të shteteve të huaj dhe të vendit, që përmbanin fakte të historisë e kulturës shqiptare. Njëkohësisht ai punonte në Muzeun Kombëtar për kërkimin e dokumentave dhe në bashkëpunim me Prof. Luan Malltezin, botuan librin me titull “Mit’hat Frashëri, Ministër fuqiplotë ne Athinë (1923-1926) – Çështja Çame”, ku pasqyrohej veprimtaria e Ambasadorit në mbrojtje të popullsisë shqiptare, për çështjet e pronave të rrëmbyera nga grekët, mohimin e të drejtës së të folurit në gjuhën shqipe e deri te persekutimi për motive politike.

Sherifi nuk u mjaftua vetëm me këto, ai vazhdoi veprimtarinë kërkimore në Arkivin e Shtetit, aty ku pata rastin ta takoja përsëri në vitin 1956, kohë gjatë së cilës isha duke përgatitur dizertacionin që do të mbroja në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Leningradit (Shën Petersburg). Në çdo rast të takimeve tona, ai pasqyronte një pasion dhe vullnet të pamposhtur për të studiuar më shumë rreth historisë dhe kulturës shqiptare. Të paharruara do të mbeten kujtimet e udhëtimit që bëmë së bashku nga Tirana në Sarandë, të dërguar nga Shoqata Atdhetare “Labëria” për prezantimin e librit tim “Kanuni i Labërisë”. Biseda e parë që më la mbresa ishte kur arritëm në qytetin e Durrësit, ku unë përmenda Statutin e qytetit të Durrësit (1392) që sjellin qytetërim e përparim, sipas modelit të Venedikut. Vetëm kjo i mjaftoi mikut tim Sherifit për të nisur një bisedë të hollësishme të historisë së Durrësit, që nga sundimi i Perandorisë Bizantine e deri të periudha e Princit Karl Topia (1368). Akoma më interesant ishte tregimi që bëri për tragjedinë e Helenës, por më interesante ishte tregimi i historisë së Helenës, vajzës së Mbretit Robert të Napolit, e cila u dashurua dhe u martua kundra vullnetit të babait të saj me Andrea Topinë (Durrës), dashuri e cila nuk zgjati pasi mbreti i ftoi në shtëpinë e tij në Napoli dhe i helmoi të dy pabesisht. Me këtë tregim që bëri Sherifi paraqitet jo vetëm si një historian i kulturuar, por edhe si një shkrimtar e dramaturk i talentuar, i cili i hodhi mendimet e tij në botimin “Helena” (Tragjedi me tre akte 2019), libër të cilin ma dhuroi edhe mua dhe e kam kujtim në bibliotekën time. Në vazhdim të rrugëtimit për Sarandë, ndërsa përkrah na shoqëronte qyteti i Lushnjës unë referova mendimet e mia për Statutin e Lushnjës (1920) në të cilin u hodhën themelet juridike të shtetit shqiptar, ku njëkohësisht u vendos që kryeqyteti i Shqipërisë të ishte Tirana.

Pas këtyre fjalive Sherifi, historiani enciklopedik shpjegoi me hollësi bisedimet e ngjarjet që u zhvilluan në Kongresin e Lushnjës, njësoj sikur të kishte qenë vetë i pranishëm. Kur arritëm në Vlorë e tërë biseda jonë u përqëndrua te Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë Kombëtare në 28 Nëntor 1912, rolin historik e patriotik të Ismail Qemalit, rëndësinë e pjesëmarrjes në Kuvend të delegacionit të Kosovës, që pasqyronte idealin e bashkimit kombëtar, gjëndjen politike në të cilën ndodhej Shqipëria, sfidat e mëdha që kishte përpara qeveria e Vlorës e shumë biseda të tjera. Kur arritëm në Himarë Sherifi më tregoi për regjistrin Kadastror të Himarës në fillim të shekullit XVI, ku thuhej se shumica e Himarjotëve janë Kurveleshas, dokumentat Venecian tregojnë qartë se shqiptarët e Himarës, këtu përmendi edhe Martin Leake, i cili në librin e tij “Udhëtimet në Greqinë Veriore” shkruan se: “…gratë e Himarës flasin shqip, burrat dinë shqip, greqisht dhe italisht. Në vazhdim të bisedës Sherifi më tregoi se në regjistër ishte edhe fshati im i lindjes Fterrë. Pasi arritëm në Sarandë, pas prezantimit që bëra për Kanunin e Labërisë, Sherifi diskutoi gjatë për gjithë historinë e kësaj zone, për kulturën traditat dhe historinë. Shtegtarë anglezë që kanë vizituar Himarën në shek. XVII, shkruajnë për një Kod zakonor të fortë, të pashkruar që vepronte në Himarë.

Këtu është fjala për Kodin zakonor të Labërisë, i cili ka qënë i përbashkët me atë të Himarës. Këtë e vërteton fakti se në Kuvendin që thirri Idriz Sulli për shtesa e ndryshime në Kanunin e Labërisë shek. XVIII, pjesë aktive ishin edhe përfaqësuesit e Himarës, Kurveleshit e fshatrave të tjerë të Labërisë. Një nga botimet që meriton një vlerësim të lartë është libri i tij me bashkëautor Prof. Luan Malltezin, i titulluar: “E vërteta mbi Epirin” (Tiranë 1999), i cili mund të konsiderohet vepër shkencore kombëtare. Në këtë vepër autori me dokumente e harta, citate nga autorë e diplomatë të huaj e deri te ata grekë të lashtësisë (Herodoti etj), dhe me çdo provë tjetër mbron kufijtë natyrorë të Shqipërisë, gjuhën shqipe dhe hedh poshtë me fakte vendimet e konferencës së vitit 1913 të Fuqive të Mëdha, në të cilat u coptua kombi shqiptar dhe Çamëria iu dha Greqisë. Në këtë libër plot me dokumenta të pakundërshtueshme hedh poshtë pretendimet shoviniste greke për Vorio Epirin grek që donin t’i shtrinin kufinjtë deri në Vjosë. Libri ka vlera të mëdha historike e juridike, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të sotmen e të ardhmen, pasi është një burim i pashtershëm i fakteve në mbrojtje të kufijve të shtetit shqiptar, të pavarësisë e të lirisë së tij. Ai i shërben historianëve të sotëm dhe brezave të rinj, si dhe politikanëve e funksionarëve të shtetit që të njohin mirë faktet historike dhe t’i vënë në shërbim të mbrojtjes së Shqipërisë në çdo kohë e në çdo sektor politik. Sherif Delvina mbrojti me fakte jo vetëm kufijtë natyrorë të Shqipërisë se “Epiri është Shqipëri”, por edhe trajtoi termin e shtetit të Epirit me mbret Pirron nga një familje e fisit ilir të molosëve (viti 319-272 para erës sonë), si rezultat i ngjarjeve politike të shek. të V-të dhe çerekut të shek. III-të para erës së re, duke sjellë dokumenta të shumtë. Shteti i Epirit i shtrin kufijtë nga Vjosa deri në Gjirin e Akropolit (Kretës) dhe qeverisej me Kushtetutën dhe ligjet e tij që shprehin kulturën juridike në një vend të zhvilluar para erës së re. Epiri i Lashtësisë sot quhet Shqipëri Jugore (e poshtme) sipas Frang Bardhit 1963 “Epiri është Arbëri” me kulturë juridike iliro-shqiptare. Krahas këtij kontributi të madh që i dha Sherifi historisë së Shqipërisë, është edhe ai për kulturën juridike shqiptare. Metodologjia e përdorur gjatë studimit shërben si model për çdo studiues. Të gjithë argumentet e marra së bashku më forcuan mendimin dhe bindjen e plotë se Sherif Delvina ishte një erudit i vërtetë, patriot dhe historian me kulturë dhe ideal kombëtar, që u nda nga jeta por la trashëgimi kulturore e shkencore me vlera të mëdha kombëtare. Ai meritonte vlerësim më të lartë nga institucionet shtetërore, por ky nuk është rasti i vetëm. Sidoqoftë nga studiuesit, bashkëpunëtorët, kolegët, të afërmit, miqtë e të njohurit e shumtë, ka marrë vlerësim të merituar.

Mirënjohje, nderim e respekt kujtimit të tij.