Prof. Dr. Elmaz Leci: Paralele historike, si Enver Hoxha i arrestoi direkte nga salla e Kuvendit deputetët opozitarë

647
Sigal

Paralele historike

KRYEMINISTIRI ENVER HOXHA ARRESTOI DIREKT NGA SALLA E

KUVENDIT DHE I DËRGOI NË QELI DEPUTETËT OPOZITARË?!

PRELUDI  I DIKTATURËS.

Prof. Dr. Elmas Leci- Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

Dy herë gjatë veprimtarisë së Parlamentit-Kuvendit të parë shqiptar të pas Luftës, më 23 dhjetor të vitit 1946 dhe më 15 maj të vitit 1947, Enver Hoxha me urdhërin e tij direkt dhe me “dorën e fortë” Koçi Xoxe, nisi kalvarin e arrestimit të deputetëve opozitarë, që pastaj këtë praktikë e vijoi në vite e vite gjatë gjithë karierës së tij politike. Në atë fund dhjetori dhe fillim maji të viteve ‘46-47-të, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë nga Enver Hoxha ju vunë prangat deputetëve Riza Dani, Kolë Prela, Zef Haxhia, Hysni Peja, Shefqet Beja, Riza Alizoti, Kol Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Konstandin Boshnjaku, Islam Radovicka. Dhe krahas këtyre arrestoi edhe figura të tjera të rëndësishme të Luftës si Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujanuku, Beqir Çela etj., të gjithë intelektualë të shquar e atdhetarë të mirë, sepse dolën hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe morën përsipër të bënin opozitën në Kuvendin e parë të deputetëve shqiptar të pas Luftës. Arrestimet ishin edhe fakte terroriste që na tregojnë pragnisjen, preludin terrorist të diktaturës së egër të Enver Hoxhës.

Zgjedhjet e kontenstuara të 1945-ës

Në fakt “mllefin” ndaj Grupit të Deputetëve, kështu i etiketuan “deputetët” opozitar apo ata që kishin mendime ndryshe nga Enver Hoxha e beniaminët e tij jugosllavë dhe kështu u ka mbetur ky emërtim ende sot si rezultat i historisë së shkruar komuniste që vijon ende. Përse-ne nuk po na e spjegojnë?! “Inatin” për ta, për këta deputetë që arrestoi, Enver Hoxha e kishte që nga para përgatitjet e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945, për “lëpirjen” që u kishte parabërë për t’i futur kandidatura e tyre në zgjedhje, pasi i duheshin të pavarurit në process zgjedhor. Me dokumenta, pikërisht më 17 tetor të vitit 1945, tamam në prag të zgjedhjeve për në Asamblenë Kushtetuese, Enver Hoxha zhvilloi Plenumin e 4-t të partisë e maskuar nën siglën e Frontit, ku analizoi situatën e brendshme dhe të jashtme të rregjimit të tij. Pjesëmarrësit në mbledhje, nxorrën aty-këtu edhe shqetësimin mbi mungesën e mbështetjen e masave punonjëse ndaj rregjimit të ri. Edhe vetë Enver Hoxha jo pa qëllim e theksoi atë në referatin e tij, ku evidentoi se “reaksioni (kupto: Opozita kundër partisë së tij) nuk i kishte rrënjët në ujë”. Me këtë ai po thoshte jo vetëm një të vërtetë, por po bënte edhe thirrje për të vepruar me masa repressive ndaj njerëzëve që kishte të dhëna për properëndimore. “Reaksioni” –tha Enver Hoxha aty- po nxit njerëzit për të krijuar brenda nesh një lëvizje opozitare”. Këto qëndrime të Enver Hoxhës tregonin qartë se ai e kishte konsoliduar me kohë mendimin që një seri deputetësh që do të dilnin nga zgjedhjet e 2 dhjetorit, do të ishin opozitar të programit të tij qeverisës e do të bënin opozitën. Siç rezultoi “feksi” edhe grupi i parë, që Enver Hoxha menjëherë i arrestoi dhe e quajti grupi i Shefqet Bejës. Së bashku me deputetët, ai urdhëroi edhe arrestimin e një seri përkrahësish të opozitarëve dhe jo pak por plot 24 vetë, nga të cilët dënoi me varje në litar e me vdekje 16 prej tyre. Ndërsa nga grupi i dytë i deputetëve, i quajtur grupi i Riza Danit, u gjykuan formalisht 19 vetë nga të cilët 7 i dënuan po me vdekje në litar e me plumb pas koke. Para se t’i varnin apo pushkatonin, personat e arrestuar i torturuan në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë, si qe shtëpia e Serreqit (në të djathtë të Sheshit “Avni Rustemi”), te “Shtëpia me gjethe” (që tashmë dihet), te shtëpa te “Selvia” (në Rrugën e “Dibrës”), te shtëpia e Ali Qorraliut (te 9-të katëshet) si dhe në dy burgjet e Tiranës. Të gjithë deputetët e dënuar rezulton se ishin të gjithë “të lutur” nga Enver Hoxha që të pranonin të bëheshin deputetë me argumentimin për “interesa të Shqipërisë”. Kandidaturat e tyre i futën në listat e Frontit, jashtë kandidaturave të partisë komuniste dhe ata të gjithë pranuan, me që u shtrua çështja për të mirën e Shqipërisë, por me një gjë nuk u solidarizuan kurrë “që Shqipëria të qeverisej me mendimet e Enver Hoxhës”. Për këtë për të ndaluar revanshin komunist ata u bënë pre e përndjekjes deri në arrestim, që u kushtoi jetën. Opozita i duhej Enver Hoxhës në atë kohë sa për opinionin e jashtëm të zgjedhjeve si demokratike dhe përfshirja e gjerë e personaliteteve jashtë radhëve të komunistëve në listat e zgjedhje, ishte kusht i të mëdhenjëve anglo-amerikanë për Shqipërinë, që duhej të plotësohej por që ishte një kërkesë që binte ndes me krerët e Partisë Komuniste, të cilët kishin punuar që menjëherë pas Lufte, vetëm grupimi i tyre komunist të ishte në skenën politike e të sundonte I vetëm Shqipërinë me diktaturë. Në fakt, që nga “Mukja” filloi fare hapur lufta jo vetëm ndaj organizatave politike “Balli” e “Legaliteti”, por edhe ndaj eksponentëve potencialë opozitarë që për fatin e keq në Shqipëri pas Lufte e pati edhe “Grupi i deputetëve”, që ishte opozita reale, e cila kishte marrë përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe në Shqipëri, por që nuk u bë, nuk e la me terror rregjimi i Enver Hoxhës deri në vitet ’90-të. Jemi në një kohë që “qeverinë e Enver Hoxhës”, nuk e kishte njohur asnjë qeveri në tokë, përveç asaj jugosllave. Dhe kushti vendimtar i njohjes nga aleatët e mëdhenj, ishte zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike pas Lufte. I inspiruar nga jugosllavët, Enver Hoxha hyri në rol dhe iu “qep” njerëzve patriotë që ta mbështesnin me kandidaturat e tyre në zgjedhjet e 2 dhjetorit. Nisur nga interesat kombëtare, njerëz me bindje anti Enver Hoxhë, ndonëse pranuan të vendoseshin në listat e Frontit, nuk i ndërruan bindjet e tyre demokratike, sepse ato njerëz qenë jo vetëm të mençur, por edhe me integritet. Nga ana tjetër, jo se Enver Hoxha nuk i njihte ata personalitete e me bindjet e tyre që ata kishin. Djallëzia e tij ishte se në ato momente mbi gjithçka atij i interesonte legjitimiteti i zgjedhjeve, të cilat që fillimisht ishin të kontenstuara, pa le pastaj me arrestimet e deputetëve opozitarë, ku doli hapur veprimtaria antidemokratike dhe antiperëndimore e Enver Hoxhës.

Opozitarë të ndershëm, figura të shquara.

Dokumentat arkivore flasin vetë për ato lloje deputetësh si të zgjedhjeve të 2 dhjetorit, që ishin opozitarë të ndershëm e figura të shquara të kombit shqiptar. Psh Shefqet Beja, që u bë deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, kishte qenë pjesmarrës aktiv në Luftën Antifashiste. Mendimet e tij do t’i shprehte hapur me gojë e me shkrim se ai “ishte për një sistem liberal ekonomik” duke kundërshtuar në Kuvend vijën e Partisë Komuniste. Për këto Enver Hoxha urdhëroi arrestimin dhe e dënoi me varje në litar sepse mendimet e tij binin ndesh me atë nga e kish drejtuar “busullën” rregjimi, nga sllavët. Enver Hoxha me jugosllavët “vigjëlonin” dhe mendimet që shprehnin kandidatët për deputetë në takime me zgjedhësit, mendimet opozitare ndiqeshin, “regjistroheshin” e arkivoheshin. Në disa artikujt që botoi në gazetën “Bashkimi” gjatë qershorit të vitit 1945, Shefqet Beja do të shprehej mbi politikat ekonomike, që “duhet të zbatoheshin në Shqipëri dhe rrugën ku e si duhet të ecte ekonomia shqiptare”. Në ato artikuj Shefqet Beja shpaloste “idetë e tij për një sistem liberal ekonomik në Shqipëri, ku peshë dhe rëndësi duhet t’i jepej prodhuesit privat, i cili duhet të kujdesej vetë për cilësinë e prodhimit dhe gjetjen e tregjeve të shitjeve”. Jo vetëm kaq, jo vetëm në drejtim të ekonomisë por Shefqet Beja nuk i fshehu pikëpamjet e tij edhe mbi sistemin politik, “që duhej të vendosej në Shqipërinë e pasluftës”. Në referatin e tij të mbajtur në Kongresin e Frontit Demokratik në gusht të vitit 1945, Shefqet Beja argumentonte domosdoshmërinë e minimizimit të rolit të Partisë Komuniste në drejtimin e vendit, duke i mëshuar rëndësisë se Fronti, e cila me që nuk kishim tjetër, të paktën sipas tij duhej të merrej si një organizatë që përfshinte një shumicë absolute shqiptarësh. “Konkretisht -theksonte Shefqet Beja, – Frontit i bie barra që ta udhëheqë e ta edukojë popullin në rrugën e demokracisë dhe ashtu si në kohën e Luftës, kur ai ishte organizuesi dhe mobilizuesi i popullit…, ashtu edhe sot, akoma më shumë i takon të jetë udhëheqësi dhe mobilizuesi i popullit për demokracinë dhe konsolidimin e saj në vendin tonë”. Koncepte të ngjashme për zhvillimin ekonomik e politik të vendit kishte edhe deputeti Konstandin Boshnjaku, ish Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë. Konceptet e tij mbi zhvillimin ekonomik të vendit, ai i paraqiti në Këshillin e Ministrave më 22 dhjetor 1945, me anë të një Promemorie ku shkruante se “jam i mendjes që ne, inisiativës private duhet t’i japim rëndësi të madhe, duhet të ikurajojmë dhe sidomos të mos e shqetësojmë herë pas here, pasi…pa inisiativën private nuk mund të bëhet as rindërtim, as ndërtim dhe asnjë përparim në ekonominë tonë”. Në atë Promemorie, deputeti Konstandin Boshnjaku paralajmëronte Këshillin e Ministrave dhe drejtuesit e lartë komunistë se “mungesa e iniciativës private do të na çonte ekonominë shqiptare në një ekonomi parazitare”. Ai shprehej i pakënaqur edhe me Reformën Agrare…, që sipas Boshnjakut, “shteti nuk duhet të ndërhynte në sipërmarrjen e lirë dhe politika ekonomike duhej të kishte qëllim shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë”. Mendimet e Konstandin Boshnjakut, të Shefqet Bejës e të dhjetëra të tjerëve ishin mendime që binin ndesh me konceptin për drejtimin e ekonomisë së centralizuar shqiptare të huazuar të Enver Hoxhës.

Po përse Enver Hoxha vetë i promovojë dhe i la këta njerëz të shquar që të ngjiteshin deri lart në deputetë, duke i patur ata siç ka theksuar po vetë “ferra” nëpër këmbë?! Është e provuar me dokumentacione sjelljeje se për ato momente, ato lloj figurash i duheshin Enver Hoxhës për synimin që të legjitimitonte në Shqipëri pushtetin komunist. Siç duhet thënë se ato figura iu deshën po Enver Hoxhës që opinioni i gjerë ta mbështeste atë për në pushtetin që e kishte “sjellë” me grykën e pushkës. Tashmë zgjedhjet e 2 dhjetorit janë të superdokumentuara se u zhvilluan nën trysninë dhe dhunën terroriste të komunistëve e si rezultat ato u bënë nga Perendimorët objekt kontestimi. Asambleja Kushtetuese që doli nga “zgjedhjet” e 2 dhjetorit, përbëhej nga 82 deputetë gjithsej, nga të cilët 48 ishin deputetë komunistë, pra shumica. Të tjerët ishin opozitarë dhe shenjën opozitarë e dhanë menjëherë me qëndrimet e tyre që në seancën e parë të 10 janarit 1946. Dhe këtë me diskutimet, qëndrimet dhe votimet e tyre në të gjitha Komisionet e Kuvendit, ku ata diskutuan gjatë e shfaqën rezerva dhe kundërshtime si për miratimin e ligjeve në bllok, ashtu edhe për të ardhmen e politikës ekonomike të Shqipërisë, deri për Rregulloren e parë të Kuvendit, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një pretencë ndaj lirisë së fjalës së deputetëve.

Lufta politike, “fitorja” e shumicës.

Lufta politike mes deputetëve komunistë dhe atyre pa parti, pra opozitarë në periudhën janar-mars 1946, në Kuvend ishte e ashpër dhe e pabarabartë. Pati kundërshti të forta e me baza të pakundërshtueshme për projekt Statutin e Republikës apo Kushtetutën e parë të pas Luftës, ku deputetët opozitarë stigmatizuan thelbin e saj si të tërë ideologjik, ashtu edhe pjesët social ekonomike. Duke mos parë asnjë rrugëdalje e asnjë përfillje për mendimet ndryshe opozitare i pari deputeti Riza Dani, siç shkruhet edhe në Proces Verbalin e seancës së Kuvendit, propozoi me ironi që “Shqipëria të deklarohej Republikë Socialiste Popullore”. Diskutimet dhe miratimi i një seri ligjeve dhe përfundimisht i Kushtetutës, e cila ishte e njëllojtë në parime si ajo jugosllave, u dha fund edhe shpresave më të vogla të deputetëve opozitarë për një Shqipëri demokratike. Si rezultat deputeti Shefqet Beja e të tjerët nuk i shfaqën më kritikat e tyre në Parlament pasi ishte e pamundur nga etiketimet “borgjezë” e “tradhëtarë”, që i ndoqën nga pas kudo deputetët me mendime properëndimorë. Ishte koha kur në periudhën e vitit 1946, Enver Hoxha përzuri nga Shqipëria misionet anglo-amerikane, madje shtypi me zjarr e hekur edhe kryengritjen antikomuniste të Postribës. Si rezultat i kundërpërgjigjes terroriste ndaj kërkesave demokratike, me urdhër të Enver Hoxhës nisën arrestimet në masë, veçanërisht ndaj intelektualëve të shquar, për të cilat fajin pas 1948 ja “mtefi”Koçi Xoxes. Veçanërisht bujë bënë arrestimet e inxhinierëve në Maliq dhe pas tyre u erdhi “radha” edhe deputetëve opozitarë, të cilët nuk u vinin për josh mendimeve të Enverr Hoxhës. Grupin e deputetëve i arrestuan në dy faza. Bashkë me deputetët arrestuan edhe figura të tjera të njohura të Luftës si Sulo Konjarin, Ramazan Tabakun, Riza Alizotin, Foto Balën, Abdyl Kokoshin, Syrja Selfon, Mestan Ujanikun e të tjerë. Edhe në procesin gjyqësor, deputetët i ndanë po në dy pjesë, duke i etiketuar si grupi i Riza Danit dhe grupi tjetër i Shefqet Bejës. Gjykimi për Grupin e parë filloi më 4 shtator të vitit 1947, ndërsa për Grupin e dytë më 31 dhjetor 1947. Për të kuptuar se si funksionoi procesi gjyqësor dhe ai paragjyqësor dmth hetimor, dokumentat e kohës “flasin se akuzat” ishin pranuar nga deputetët dhe për “pranimin” ishin “përdorur disa metoda revolucionare hetimi” që do të thoshte “pranim apriori” siç e donin hetuesit. Për këtë u përdorën ndaj deputetëve torturat më çnjerëzore si: Jeleku, kamxhiku, të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra, korenti elektrik, hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë, lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru varur deri sa të gangrenizoheshin këmbët e të pritnin gishtat, thyerja e kockave apo ndukja e mishit me darë, kripa në gojë duke ta mbushur plot e lidhur atë me fasho që të mos e nxirrje, krijimi i situatave sikur do të ekzekutonin duke të futur kokën në litar apo situatat e rënda me familjarët duke të deklaruar se do t’i burgosin, do t’i çnderonin e do t’i vrisnin. Psh për të thyer rezistencën e Dulo Kalit në burg në Shkodër, në dhomën ngjitur me birucën e tij çuan dy vajza e dy burra dhe ato i detyruan të bërtisnin, ndërsa Dulos i thane se ishin vajzat e tij dhe i kishin sjellë aty për t’i çnderuar, e të tjera lloje torturash fizike, morale e psikologjike pa fund. Këto që përshkruam ishin llojet e torturav, që u janë bërë grupit të deputetëve nga Prokurori i Përgjithshëm  Josif  Pashko dhe Kryetari i gjyqit Niko Çeta, që ishte në atë kohë edhe dyshi i Sigurimit të Shtetit, njeri me shkollë fillore dhe me profesion furrxhi. Kurse deputetët ishin personalitete. Psh Sheh Kurbunara, që kishte qenë një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë, Enver Hoxha e dënoi me vdekje me varje në litar. Dr. Enver Sazani, që ishte Drejtor i Spitalit Ushtarak, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Salaudin Toto, ishte themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe Drejtor i atij Instituti, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Sulo Klosi, i diplomuar  në Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg e kryeinxhinier në Rubik, e dënoi me vdekje, me varje. Riza Alizoti, i diplomuar në Oksford dhe i specializuar në Strasburg për shfrytëzimin e minierave, e dënoi me vdekje, me varje. Selim Kokolari, ish pedagog në Liceun Francez të Gjirokastrës e mbështetës i Luftës, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Muhamet Prishtina, djali i patriotit Jahja Prishtina, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Hysen Shehu, djali i Sheh Kurbunarës, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Abdyl Kokoshi, diplomuar për Drejtësi në Paris, e dënoi me vdekje, me pushkatim etj.etj. Ekzekutimet që u bëri Enver Hoxha deputetëve të zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 dhe lufta politike në Kuvend ishin “fitore e shumicës”, por fatkeqësi e kombit shqiptar, ndërsa terrori ishte preludi i dhjetra terroreve të tjera ndër vite të Enver Hoxhës mbi njerzit e ditur të Shqipërisë.