Prof. Dr. Arben Malaj: Nobelistët 2024 – Institucionet gjithpërfshirëse parakusht për prosperitet

“Nobelistët kanë theksuar ndikimin e rëndësishëm dhe pozitiv të demokracisë në performancën ekonomike afatgjatë”.

Dani Rodrik 
Profesor, Harvardit University

Sigal

Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson, ndanë çmimin Nobel 2024 për ekonominë, për punën e tyre në shpjegimin e pabarazisë midis vendeve. Ata studjuan sesi institucionet formohen dhe ndikojnë në rritjen e prosperitetit. Kërkimet, gjetjet dhe rekomandimet e tre nobelistëve kanë kërkuar përkushtim shkencor në disa dekada. Një prej konkluzioneve të tyre është se: “Shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucionet që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje apo ndryshim për mirë”. Theksi studimit është  natyra e institucioneve  shoqërore si një arsye e rëndësishme pse ish-kolonitë që dikur ishin të pasura janë tani të varfra dhe përse vende të varfra u bënë gradualisht të pasura duke dalë nga kurthi i varfërisë. Institucionet gjithëpërfshirëse do të krijonin përfitime afatgjata për të gjithë, ndërsa institucionet përjashtuese ofrojnë përfitime afatshkurtra për njerëzit në pushtet. Sipas nobelistëve: “Kur ekziston një kërcënim për revolucion, njerëzit në pushtet përballen me një dilemë. Ata do të preferonin të qëndronin në pushtet dhe të përpiqeshin të qetësonin masat duke premtuar reforma ekonomike, por popullsia nuk ka gjasa të besojë se ata nuk do të kthehen në sistemin e vjetër sapo të qetësohet situata”. Në këtë rast e vetmja mundësi mund të jetë transferimi i pushtetit dhe vendosja e demokracisë. “Reduktimi i diferencave të mëdha në të ardhura midis vendeve është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Laureatët kanë treguar rëndësinë e institucioneve shoqërore për arritjen e kësaj,”- thotë Jakob Svensson. Anëtar i Jurisë.

Rruga që një komb merr drejt institucioneve gjithpërfshirëse ose shtypëse përcaktohet shpesh nga momente kritike në histori, si revolucionet politike, përvojat koloniale ose përparimet teknologjike. Këto momente mund të vendosin një vend në një trajektore të rritjes ekonomike ose bllokimit nga inflacioni dhe papunësi e lartë/stagnacion. Në librin “Pse Kombet dështojnë” argumentohet se çelësi i prosperitetit ekonomik qëndron në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve gjithëpërfshirëse. Bazuar në këtë gjetje studimore politikëbërësit duhet të ndërmarrin reformat strukturore  që mbështesin rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme dhe të drejtë, si rruga më efektive për të reduktuar pabarazinë në përkeqësim, papunësinë në rritje dhe varfërinë vrasëse. Ata argumentuan se vendet që filluan me institucione gjithpërfshirëse gjatë periudhës koloniale prireshin të bëheshin më të begatë, ndërsa vendet me institucione përjashtuese dështonin. Kjo vlen për të shpjeguar/qartësuar më mirë arsyet e pabarazisë së vazhdueshme midis kombeve. Acemoglu thekson se: “Në vend që të pyesim nëse kolonializmi është i mirë apo i keq, ne vërejmë se strategjitë e ndryshme koloniale kanë çuar në modele të ndryshme institucionale që kanë vazhduar me kalimin e kohës”. Ky studim i ndihmon studiuesit dhe politikëbërësit që të kuptojnë më mirë shkaqet kryesore të arsyes se pse vende të ndryshme zhvillohen dhe pse disa të tjera dështojnë. Ka studiues që vlerësojnë kulturën më shumë se natyrën e institucioneve. Por nobelistët i referohen rasteve të ndryshme kur e njëjta popullatë që ka një kulturë të hershme të përbashkët kur ndahet në dy pjesë, njëra e bazuar në institucionet gjithpërfshirëse dhe tjetra në institucionet përjashtuese, ndryshojnë rrënjësisht në “fatin” e tyre. Rasti më tipik është Koreja e ndarë në Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut.

Vendet me institucione “gjithpërfshirëse” që mbronin të drejtat e pronës private dhe lejonin pjesëmarrje të gjerë ekonomike prireshin  avanconin  drejt prosperitetit afatgjatë. Vende që kishin institucione përjashtuese ndihmuan elitat të mbanin kontrollin, por që u jepnin punëtorëve pak shpresë për të ndarë pasurinë ,thjeshtë siguronin përfitime për njerëzit në pushtet. Kontributi i nobelistëve të ekonomisë konsideron të rëndësishme demokracine, por Acemoglu pranoi se ajo “nuk është një ilaç”. Siç thekson Dani Rodrik, “Nuk ka një kostum që ju rri mirë të gjithëve”. Pra nuk ka një set politikash që funksionojnë në mënyrë të sukseshme për të gjitha vendet. “Shumë njerëz janë të pakënaqur dhe shumë njerëz ndihen sikur nuk kanë zë dhe kjo nuk është ajo që premton demokracia. Ai thekson se tre laureatët kishin kontribuar në një kuptim më të qartë se demokracia është e rëndësishme për zhvillimin e suksesshëm diçka që nuk ishte pranuar gjithmonë gjerësisht midis ekonomistëve. Edhe vendet që përfshihen në demokracinë hibride duhet të ketë një fokus më të përkushtuar për ta mbështetur rritjen e mirëqënies  në mënyrë më pozitive dhe të qëndrueshme duke reduktuar ndjeshëm pabarazinë në rritje. Reformat nuk duhet të jenë një “listë dëshirash”, apo thjesht një “check liste” e imponuar nga BE, por një përgjegjësi e madhe publike për një qeveri me institucione gjithpërfshirëse që, sipas këtij studimi, prodhon më shumë mirëqenie dhe në mënyrë të qëndrueshme. Jo rastësisht edhe negociata e vendeve kandidate për anëtarësimin në BE fillojnë pikërisht nga refomat që përmirësojnë funksionimin e  shtetit ligjorë, garantojnë të drejten e pronës, pavarësinë e gjyqësorit, luftojnë korrupsionin dhe kapjen e shtetit, profesionalizmin e administratës publike, garantojnë lirinë e medias, garantojnë të drejtat e minoriteteve etnike e kulturore, rritin konkurencën e lirë, transparencën e vendim-marrjeve dhe llogari dhënien, pasi nga plotësimi i këtyre kritereve strikte, do të përcaktohen qëndrueshmëria e sukseseve edhe përfitimet reale nga anëtarësimi në BE. Pyetjes përse disa vende zhvillohen, ndërsa disa të tjerë dështojnë? -Nobelistët 2024 argumentojnë se kjo varet nga cilësia e qeverisjes. Përveç studimit të sistemeve koloniale gjithpërfshirëse dhe përjashtuese në studim ata përfshinë edhe analiza për dallimet thelbësore midis Koresë se Jugut bazuar në insitucione gjithpërfshirëse dhe Koresë së Veriut bazuar në insitucionet përjashtuese, ku Jugu bëhet një demokraci e pasur, liberale dhe Veriu mbetet autoritare dhe e varfër. Si në çdo rast tjetër, kritikat lidhur me studimin e tre nobelistëve nuk mungojnë, sidomos në testimin e shembujve referues. Sipas kritikëve Korea e Jugut u zhvillua nën një diktaturë ushtarake. Kina një partiake ka rezultate konkrete në luftën kundër varfërisë apo dhe shembuj të tjerë, bazuar në fazat e zhvillimit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.  Pavarësisht vrejtjeve dhe sugjerimeve, tre nobelistët vlerësohen për kontributet shkencore për dilemën: “Përse disa shtete zhvillohen dhe disa dështojnë”? Ata krijuan premisa shkencore bazuar edhe në të dhënat me seri kohore shumë të gjata që do të shërbejnë si burime shkencore në funksion të studimeve më të thelluara nga studjuesit dhe nobelistët e rrinj në ekonomi.