Prof. Dr. Ago NEZHA/ Tre gënjeshtrat më të mëdha elektorale

585
Sigal

Gara se kush do gënjejë më shumë, e mbaroi misionin e vetë fatlum. Liderët e partive kryesore PD-PS, me skuadra të kompletuara, të veshura me kostumet e tyre karakteristike, njëra me uniformë bardhë e blu, e tjetra kuqe zi, u vunë në garë me performancën më histerike para elektoratit të vet, me divizën: “kush të gënjejë më shumë”. Por edhe skuadrat e superligës, ato të përfaqësuara në parlament, me lojtarë të tyre apo të blerë, po garojnë në këtë fushatë për jetë a vdekje, me moralin e “pastër”: “gënje të gënjejmë”. Gënjeshtra në këtë fushatë mori përmasat më gjigante të qytetarisë, interurbane dhe rurale. Premtime, angazhime, zotime, pohime, ku lumturia ndahet për një qime, në qiellin e fantazisë. Lider të rinj e të vjetër, po gënjejnë si asnjëherë tjetër. Populli ynë fisnik, patriot e gënjeshtërdashës, i pëlqen shumë gënjeshtrat. Pa bukë rri, por pa gënjeshtra, jo. Po nuk e gënjeve qoftë edhe një ditë, ai sëmuret, revoltohet, zëmërohet, e rebelohet. Po e le pa bukë, pa ujë, pa drita, ai nuk shqetësohet, shtrihet në krevat e rehatohet. Për këto mangësi të “vogla,” nuk të merr inat, ndihet rehat. Ai e kërkon gënjeshtrën si qeni gjahun. Por, sa mbaron fushata ndihet keq, se  bashkë me të mbarojnë edhe gënjeshtrat. Gënjeshtrat më të mëdha i siguroi në fushatën elektorale, në këto ditë mjegulle, ato hedhin valle, se më vonë s’ke ku fale.

Sipas Bismarkut, tre gënjeshtrat më të mëdha janë : para fushatës elektorale, gjatë luftës dhe mbas gjuetisë.

Para fushatës elektorale…

Në këtë periudhë, gënjeshtrat janë me bollëk. Premtimet që kanë vërshuar, edhe pse kalojë një muaj, s’kanë të mbaruar. Të majtë, të djathtë e të qendrës, u mobilizuan  kush të gënjejë më shumë. Në këtë fushatë spektakolare, u shpall edhe konkursi: “kush të gënjejë më shumë”. Atmosfera elektorale tregoi se fitorja i buzëqesh Berishës. Ndonjë kritizer me gjuhën e specit, e njeh si “maminë” e Gërdecit. Ai ka realizuar gënjeshtrën më spektakolare, që e shet për 18 vjet pa pare. Është futur në korin e atyre që e kanë mohuar pronën dhe flet me zë të fuqishëm, sa që është ngjirur me premtimin që u bën pronarëve se do t’u kthejmë pronat dhe të persekutuarve do t’ju japë paratë. Ka ndezur motorët dhe për ditë lëshon ballonët. Ai është idealist. Nuk e ka fjalën për të gjallët, por për të vdekurit. Pronarët dhe të persekutuarit janë në fundin e jetës së tyre dhe janë të sigurt se do t’i gjejnë tapitë dhe paratë në arkivolet Berishiane. Këtë premtim, ai nuk e shkel kurrë. Pronarët do ta gjejnë pronën e paratë që u janë premtuar, në botën e amshuar. Berisha këtë ofertë ka premtuar. Kush është i zgjuar, e ka kuptuar.

Gjatë fushatës elektorale…

Gënjeshtra ka pushtuar tribunat, lagjet, rrugët,shtëpitë, ku garojnë gjithë partitë. Ditët e fushatës elektorale, janë ditët më të bukura të jetës së shqiptarëve. Jetojnë në detin e gënjeshtrave. Nga mëngjesi deri në darkë, gënjeshtrat me dolli, i pimë me bardhakë.

Morali i elektoratit është i lartë. Premtimet e liderëve, e joshin, e mobilizojnë, e optimizojnë dhe ja forcojnë besimin në fitore, në çdo llogore. Militantët, janë brilantët, që japin edhe jetën për  fitoren e partisë së  vet. Dhe shembujt nuk po mungojnë edhe në këto zgjedhje, që nuk po ndahen pa “heronj”. Fushata elektorale tregoji se gënjeshtra ecën më shpejt se e vërteta. Ato janë në garë me njëra-tjetrën. Në vendet me demokraci të zhvilluar, fiton e vërteta mbi gënjeshtrën. Në Shqipëri fiton gënjeshtra mbi të vërtetën. Kudo e kurdoherë, ne kemi qenë e jemi fener ndriçues. Enigma se kush do i fitojë zgjedhjet në Shqipëri, është e zgjidhur. Parashikimet, e studimet flasin qartë. Partia që di të gënjejë më shumë, do ta zgjojë popullin tonë që fle gjumë. Elektorati, gënjeshtrën e ka si qetësues. Gënjeshtra e rehaton, e qetëson, e lumturon e robëron. Populli ynë është mjeshtër, nuk rron dot pa gënjeshtër. Edhe popujt e tjerë janë të mirë, por s’e durojnë dot gënjeshtrën, ndaj s’janë të “lirë.” Populli shqiptar proteston po ta lesh pa e gënjyer qoftë edhe një ditë. Nuk të fal. Popujt e tjerë të Europës, protestojnë po t’i gënjesh, shkon për lesh. Sa larg jemi me njëri tjetrin, jo gjeografikisht, por moralisht. Lumi i gënjeshtrës na ndan. Dikush e dashuron gënjeshtrën, dikush e urren atë. Gënjeshtra vete e vjen,mjerë ai që e gjen dhe e shkruan në ndërgjegje me penë. Në Shqipëri gënjeshtra ka qenë dhe është mamia e gjithë fitoreve në këto 18 vjet. Pa gënjyer s’fiton asgjë. Nuk mund të fitosh zgjedhjet, s’fiton dot pushtet, para, prona, punë, e famë. Jeto po deshe pa gënjeshtra. Ka plot njerëz që s’dinë të gënjejnë,  që janë katandisur lypsa, por jo politikanët. Po nuk di të gënjesh, vegjeton por nuk jeton. Harrëm qumështi i partisë, për atë që s’di të gënjejë! Hallall ai që botën mbrapsht, di të kthejë. Filozofi më i madh është ai që shpiku gënjeshtrën. E vërteta është shumë e lehtë për t’u kapur. Ajo lexohet, duket, preket, shikohet e shijohet. Gënjeshtra nuk duket se flet për një send që nuk ekziston dhe ti e beson, e pranon, e riprodhon, e ekspozon dhe e propagandon, sikur të jetë e vërtetë. I zoti është ai që di të gënjejë, se të vërtetën e thotë kushdo. Po nuk di të gënjesh, nuk ngjitesh dot lart, ngelesh në baltë, je i pa fat. Të gënjesh s’është e lehtë, është talent, do mend. Të gënjesh, nuk do shkollë, të jesh pak i hollë dhe të ecin punët fjollë. Gënjejnë të vegjlit, gënjejnë të mëdhenjtë, gënjejnë patricët, gënjejnë plebenjtë, por çmimet i marrin korifenjtë. Gënjeshtra i ka këmbët e gjata, e zbulon dita e mbulon nata, e gërmon kazma, e mbulon lopata. Kampionatin e lojërave me gojë, siç ka nisur do ta fitojë, ai që me gënjeshtrat e shumta, s’do gabojë. Gënjeshtra do parë jo vetëm si sasi, por edhe si cilësi. Ka njerëz që dinë mjeshtërisht të gënjejnë, sa që gënjeshtra  ngjan si e vërtetë dhe militanti besimtar, për atë të vret. Ky popull nuk ngopet me gënjeshtra. Ka shumë pretendime. U bënë 18 vjet që po e gënjejnë politikanët dhe ai përsëri u shkon pas, me shend e gaz, edhe pse është i njëjti avaz, gënjeshtra di të flas. Me gënjeshtra ju vjen mirë, gënjeshtra është bërë zinxhirë dhe pa u gënjyer, s’ndihen të lirë, të jetojnë e kanë vështirë. Gënjeshtrën e dinë të vjetrit, të rinjtë, pa dallim ngjyre, të bardhët, të zinjtë. Pa gënjeshtra s’jetojnë dot partitë. Pa gënjeshtra s’ngrihen qeveritë. Me gënjeshtër i thonë errësirës dritë. Me gënjeshtra mbahen superfuqitë. Aty nisin dhe mbarojnë historitë. Kur vendosen midis gënjeshtrës dhe të vërtetës kufijtë, aty del realiteti në dritë. Gënjeshtra edhe pse është shumë e rëndë, gënjeshtra e mban botën në këmbë, ndryshe me të vërtetën bota do qe shembë.

Pas fushatës elektorale…

Zihen gënjeshtra me të vërtetën, gënjeshtra e fiton më shpejt stafetën. Gënjeshtra shpesh herë nuk dëmton, si një fllad i lehtë mbi popull kalon. Por ka raste kur e tepron, një godinë mendimesh e rrëzon. Një ngrehinë morali e rrënon. Një sukses të pa maturuar, e rrezikon. Varet kush e përdor, kush e manipulon. Pas fitores, harrohen premtimet. Bihen në taban gjykimet e fillojnë të mbledhin edhe thërrimet. Kur vjen një parti në pushtet, duhet të kalojnë edhe katër vjet, pastaj ballafaqimi e pret, gënjeshtrën për të vërtetë e shet. Gënjeshtra në duart e politikës, është pjellë e fatkeqësisë, pjellë e frikës. Gënjeshtra kur është pronë e pushtetit, e shemb jetën e popullit, si forca e tërmetit dhe njerëzit jetojnë kohën e qametit. Kur gënjeshtra mendjet e popullit pushton, ai vend është në reaminacion, me plagë e me dhembje jetën e jeton, nuk ka doktor që e shëron, në humnerën e jetës përfundon. Gënjeshtrës i erdhi fundi, po perëndon.

Lum kush e kupton!…