Martin Cukalla: Gjendja mjerane në të cilën kanë përfunduar minierat shqiptare

628
Sigal

INTERVISTA/ Flet inxhinieri i minierave Martin Cukalla: “Sot shteti nuk angazhohet për minierat, edhe pse zotëron të drejtën e licencës dhe kontrollin mbi prodhimet”

Në periudhën e regjimit diktatorial z. Cukalla ka drejtuar disa miniera kryesore të vendit tonë dhe ka arritur me punë dhe dije të arrijë postin e Zëvendësministrit të Ministrisë së Industrisë dhe minierave. Sipas tij në periudhën e socializmit industria minerare synonte konsolidimin e pushtetit diktatorial. Minierat ishin një hallkë rraskapitëse dhe plot rreziqe që mbanin të lidhur pas rrogës së 15 ditëshit mbi 100 mijë familje shqiptare. Industria minerare ishte burimi i parë dhe më i rëndësishmi i eksportit që siguronte valutën, pa të cilën ekonomia shqiptare e kohës asfiksohej brenda një periudhe të shkurtër kohe. Synohej atëherë rritja e pandërprerë e prodhimit edhe pse efektiviteti ekonomik ishte shpesh negativ. Sot shteti nuk angazhohet për minierat, edhe pse zotëron të drejtën e licencës dhe kontrollin mbi prodhimet.

-A mund të na bëni një krahasim për gjendjen e industrisë minerare tani dhe në periudhën e socializmit?

Të bësh një krahasim çka ishte dhe çka është industria minerare në këto dy periudha të historisë tonë ekonomike, është delikate dhe krijon keqkuptime të mëdha. Në periudhën e socializmit industria minerare synonte konsolidimin e pushtetit diktatorial. Minierat ishin një hallkë rraskapitëse dhe plot rreziqe që mbanin të lidhur pas rrogës së 15 ditëshit mbi 100 mijë familje shqiptare. Industria minerare ishte burimi i parë dhe më i rëndësishmi i eksportit që siguronte valutën, pa të cilën ekonomia shqiptare e kohës asfiksohej brenda një periudhe të shkurtër kohe. Synohej atëherë rritja e pandërprerë e prodhimit edhe pse efektiviteti ekonomik ishte shpesh negativ.

Sot minierat i nënshtrohen tregut global dhe interesit për fitim sa më të lartë të subjekteve që i zotërojnë. Sot shteti nuk angazhohet për minierat, edhe pse zotëron të drejtën e licencës dhe kontrollin mbi prodhimet. Sot administrata shtetërore nuk i përket minierave por një grushti politikanësh që vërejnë interesat e tyre në miniera. Doemos në transformimin e ekonomisë minerare në ekonomi tregu do të kishte një rënie prodhimi, një ristrukturim të industrisë minerare, këto në përgjigje të kërkesave të tregut, një efektivitet të lartë fitimprurës të minierave, etj..

Tek ne ky transformim nuk ndodhi kështu, tek ne ndodhi rrënimi i shumicës së minierave. Rezistuan ato që nuk mund të rrënoheshin gjithsesi!

-Po thoni që reformimi i industrisë minerare nga ekonomia e centralizuar në ekonomi tregu nuk ka ecur në rrugën e duhur?

Janë bërë gabime të rënda në reformimin e industrisë minerare, gabime që kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha për jetën social-ekonomike të vendit tonë. Edhe pse janë mbi 20 vjet punë në një sistem të ri zhvillimi, vijojnë e mbeten permanente jo vetëm pasojat e atyre gabimeve, por shtohen për vit faktorë të rinj negativë që dëmtojnë këtë industri dhe ata që punojnë aty.

Sot nuk janë më në hartën ekonomike të vendit tonë objekte të tilla të mëdha si Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, Uzina e Tela-Kabllove të Bakrit në Shkodër, Uzina e Shkrirjes së bakrit në Laç dhe rafinimi në Rubik, Miniera e Qymyrit në Memaliaj, TEC-i në Fier, etj., objekte këto që lidheshin drejtpërdrejt me një zinxhir ndërmarrjesh të tjera prodhuese efektive edhe në kapërcyellin ekonomik të Shqipërisë. Këto nuk duhej të shndërroheshin në skrap për tu vjedhur e shkrirë në metalurgjinë e Malit të Zi, por duhet të ishin ristrukturuar në ndërmarrje private të ekonomisë së tregut sepse me pak mund e shpenzim mund të qenë bërë baza të jetës së re ekonomike dhe qendra të rëndësishme punësimi. Në se do te ishin ruajtur furrnaltat në Elbasan do kishim shumë miniera hekur-nikeli në punë.

-Kam dëgjuar se dikur e keni quajtur Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit “Varri i dytë i Shqipërisë, jo “çlirimi i dytë i Shqipërisë”. Përse e mbroni tani këtë vepër?

Më kanë akuzuar për diçka të tillë, nuk mund të them që e kam thënë. Kam pasur një mendim permanent për KME. Një investim shumë i madh; një teknologji jo në natyrën e mineralit, teknologji e urdhëruar nga politika, jo e përzgjedhur nga teknika; një efektivitet ekonomik negativ! Po të mos i ishte kërkuar kësaj vepre të madhe të jepte diçka që nuk ishte në natyrën e mineraleve të hekur-nikelit të vendit tonë por të jepte prodhime integrale tregu si gizë të pasur në nikel e krom dhe ferro-nikel, fati i këtij investimi kolosal do të ishte ndryshe. Disa ndërhyrje në teknologji duheshin bërë, kjo do të kërkonte dhe disa shpenzime. Nëse do të ishte ristrukturuar KME mbi binarët e asaj çka u trashëgua dhe me një shtat modern, do të kishim sot një eksport të fuqishëm nga Elbasani, disa dhjetëra miniera hekur-nikeli eficiente. Tani prodhohet diku tek 300 mijë ton/vit mineral që shitet në Maqedoni e Kosovë me një fitim qesharak që nuk i kalon 2-3 USD/ton. Do të kishim së paku 1.3 milion ton mineral hekur-nikeli prodhim me së paku 30-fishin e fitimit dhe disa mijëra njerëz të punësuar…

A ja vlen të ngrihet tani kjo çështje?

Jo, është tepër vonë! Ajo që thashë më sipër është një “de Profundis!”. Unë kam folur e shkruar për këto gjëra edhe 15-18 vjet më parë. Kanë shkruar e folur edhe të tjerë njerëz që u dhimbej begatia e vendit. Ishim zëra në shkretëtirë. Politika kishte thonj të gjatë e veshë të shurdhër! Në Elbasan, në se do të mendohet ndonjëherë gjallërimi i shkrirjes së mineraleve të hekur-nikelit në Shqipëri, do të fillojë thuajse çdo gjë nga e para. Dhe duhet ditur se hekur-nikeli është pasuria minerare më e madhe e vendit tone. Mbi 300 milion ton.

Kjo që them po ndodh tani me qymyrin në Memaliaj. Kërkohet të rihapet miniera për nevojat e rritura për qymyr nga komplekset e ngritura për çimento. Dhe jo vetëm nga ato. Nëse miniera e Memaliajit do të ishte konservuar, problemi i rivënies në punë do të ishte i thjeshtë. Edhe nëse mbyllja e kësaj miniere do të ishte bërë sipas rekomandimeve të teknicienëve, rihapja do të që sërish e thjeshtë. Memaliaj u përmbyt e makineritë u bënë skrap, rihapja kërkon mbi 10 milion USD dhe është një risk.

Të gjitha këto vepra që përmenda, eficiente apo jo eficiente, të ndërtuara me mundin e paçmuar dhe mbi varfërinë e popullit tonë janë kthyer në gërmadha. Ka ca kohë që brigadieri ynë, siç e thërret një miku im kryeministrin aktual, i quajti “karakatina të socializmit”. Nuk i dhëmbi asgjë këtij njeriu që ishte në krye të shtetit dhe me politikat e tij shkatërrimtare rrënoi një ekonomi reale duke u mbrojtur vet në bunkerin e luftës globale antisocialiste. Kishte ngritur një agjenci ristrukturimi për ndërmarrjet më të rëndësishme të vendit. Ajo në fakt ishte agjenci rrënimi. Atëherë duhet të ishte zbatuar politika e “Objekti 1 Euro!” që të shpëtohej, jo socializmi, por mundi i paçmuar i derdhur për 50 vjet diktaturë nga populli ynë i varfër skajshmërisht.

Përse u veprua kështu? A nuk dihej si të veprohej? Natyrisht që ka një grumbull vendesh në Europën lindore, ku lidershipi nuk e mbështeti pushtetin e vet mbi varfërinë e popullit, por në ringjalljen e demokracisë dhe zhvillimin e ekonomisë për popullin. Aty nuk shkoi dëm “asnjë gozhdë” nga djersa e derdhur në socializmin real. Ata që kanë drejtuar e drejtojnë vendin tonë, për të sunduar e për tu shpallur fitimtarë, mbështeten tek aleati i tyre i madh – varfëria ekstreme. Vetëm Fan Noli kërkoi të largonte popullin nga varfëria dhe bash për këtë u prish me Lidhjen e Kombeve duke sakrifikuar pushtetin e tij. Zogu ringriti instrumentet bizantino-osmane të varfërisë ndërsa Enver Hoxha përzgjodhi “diktaturën e 15 ditëshit”. Këta të sotmit- “shih e shkruaj!”.  Përderisa populli do të jetë kështu, i varfër skajshmërisht, tek ne do të shitet e blihet vota; do të grabitet pylli e lumi; do të falsifikohen aktpronësitë; do të rrëmbehen fëmijë e vajza, do të ketë vrasje, vetëvrasje, gjakmarrje; do të shiten e blihen diploma universitare; etj., etj., shëmtira të një demokracie të gjymtuar.

-Si paraqitet sot nxjerrja e mineraleve tek ne?

Ka zhvillime dhe, zhvillime interesante. Personazhi kryesor në jetën minerare sot është individi i çliruar që përpiqet të ndërtojë përditshmërinë dhe perspektivën. Ai ka marrë rrezikun në sy dhe investon mundin e paratë e tij në një sektor të vështirë, problematik, me risqe të larta dhe shpesh me rreziqe jete. Janë mbi 900 subjekte legale, ka dhe qindra të tjera të pa licencuara që gërryejnë sipërfaqen dhe nëntokën e maleve dhe nxjerrin krom, pllaka për shtrim oborresh e veshje muresh, gur gëlqeror, bakër, argjila, mermerë, rërë e zhavorr, gipse, etj..  aktualisht në vendin tonë nxirren mbi 4.5 milion ton minerale në vit. Nxjerrja e këtyre mineraleve bëhet në vendburime të njohura e në pika të panjohura më parë.

Më së shumti punohet për bukën e gojës, shumë herë punohet për një rrogë të mirë të barazuar me ato të vendeve perëndimore, më pak janë subjektet me fitime të mira. Kjo për pronarët e firmave. Minatorët, dhe në këtë term po përshij gjithë punëtorët që merren me minierat nëntokësore dhe sipërfaqësore, nxjerrin bukën e gojës. Dhe atë me shtrëngim të madh.

-Si e shpjegoni që punohet ende pa leje shfrytëzimi? Nuk ka fuqi shteti të ndalojë aktivitetet e paligjshme?

Nga sa e njoh unë situatën veçoj dy anë të këtij problemi. Njëra anë është që kurrë nuk mund të dominohet një situate që vjen nga varfëria e familjeve tona. Burri i shtëpisë kërkon bukë të ushqejë fëmijët e uritur, dhe kjo ditë për ditë. Ky burrë merr levën e i ngjitet Tomorrit, nxjerr aty pllaka e ia shet një sekseri. Dikush tjetër futet në galeritë e vjetra të Kalimashit dhe, edhe pse i rrezikohet jeta nuk pyet, por nxjerr disa torba krom e ia shet sërish sekserit për bukën e fëmijëve. Dhe kjo për ditë sepse përditë duan fëmijët bukë. Dhe nuk janë një e dy, por me qindra e qindra.

Në anën tjetër janë bosët, elementë të kriminuar të lidhur me shtetin, që bëjnë Maliqin. Është ndaluar shfrytëzimi i inerteve në lumin e Erzenit, ata vazhdojnë qetësisht të gërryejnë fundin dhe brigjet e lumit e të masakrojnë një burim jetese për dhjetëra qendra të banuara të rrjedhës, të prishin marrëdhënien e përjetshme të këtij lumi me brigjet e me detin, e uji të sulet të gërryejë, pushtojë e kënetizojë arat. Pushteti nuk sheh sepse nuk dëshiron të shohë. Në Erzen janë të licencuara mbi 10 impiante përpunimi inertesh, është në sheshet e këtyre impianteve zhavorri i Erzenit, aty është dhe ura e rrëzuar, dhe brigjet e ngrëna dhe të tjerat.

-Cilat mendoni se janë problemet emergjente në industrinë minerare?

Në zhvillimet thuajse anarkike të minierave janë krijuar dhe akumuluar shumë probleme sociale, ekonomike, tekniko-profesionale, mjedisore, shoqërore, etj. Është një kaos i vërtetë dhe nuk ia vlen të numërohen të gjitha. Mendoj se duhen përpunuar dy- tre dokumente ligjore që të mundësohet disiplinimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë së vendit.

E para: Duhet të rishkruhet Ligji Minerar për të shmangur etatizmin dhe zhvilluar frymën liberale në aktivitetet minerare. Kjo do shmangë fenomenet prezente të korrupsionit, formalizmin e kontrollit shtetëror mbi pasuritë minerare si pasuri publike dhe do krijojë kushte më të mira për lulëzimin e konkurrencës së lirë.

E dyta: Duhet hartuar Statuti i Minatorit, një dokument ligjor që do të përcaktojë limitet e justifikueshme të të drejtave të punëtorëve të minierave, veçanërisht ato që lidhen me pagesat e mbrojtjen në punë, me pensionet e trajtimet për moshën  e tretë, me familjet e minatorëve që bien në krye të detyrës dhe investimet shtetërore në qendrat minerare, etj.

E treta: Dhe kjo vlen jo vetëm për minierat, por për gjithë ekonominë.

Kemi ministri të planifikimit territorial, nuk kemi planifikim territori dhe nuk ka asnjë tentativë të shtrihet ky koncept modern qeverisje në administratën e vendit. Kujtoni dhjetëra furrat e gëlqeres në këmbët e Krujës, por edhe dhjetëra karburantet në linjën Tiranë-Durrës ku janë konsumuar investime dhe janë bllokuar pagat e njerëzve që punojnë aty, sepse dihet që konsumi si për gëlqeren edhe për karburantin nuk ndryshojnë se rritet numri i objekteve në shërbim.

Është ndërtuar një ekonomi me efektivitet të ulët kështu dhe kjo duhet ndryshuar si për minierat dhe për objektet e tjerë industrialë dhe tregtarë, duke vendosur një raport të drejtë midis domosdoshmërisë së konkurrencës dhe efektivitetit të investimit. Nuk ka pse të jepen leje shfrytëzimi për të gjithë objektet e hekur-nikelit të vendit, kur dihet se tregu thith një sasi të kufizuar të këtij minerali. Nga kjo përfiton vetëm blerësi që është një i huaj dhe, duke mos pasur asnjë marrëveshje ndërshtetërore për mineralet me Maqedoninë, ai dominon kushtet e kontratave dhe blen mineral xhaba. Prodhimi duhet të ndjekë zhvillimin e tregut të konsumit me një paraprirje jo abuzive e krize. Po kështu, nuk ka pse të lejohen më shumë se 3-4 subjekte të gërvishtin në malësinë Dajt-Krujë dhe të shëmtojnë peizazhet e konsumojnë investimet e tyre. Janë aty dhjetëra objekte, kur konsumi kërkon kapacitetet e vetëm dy prej tyre.

Mashtrojmë veten kështu me punësimin e investimet, kur në fakt kemi ulur realisht pagat dhe efektivitetin e shpenzimit financiar, kemi shpërdoruar pasuritë e vendit.

-Jeni optimist për zhvillimet?

Nuk kam asnjë dyshim për zhvillimet pozitive në industrinë minerare. Është sistemi ekonomik që u jep shtysë. Faktorët e tjerë janë frenues, vonojnë zhvillimet, kane krijuar humbje të mëdha e të panevojshme. Bëhet fjalë për një keqadministrim apo miradministrim, bëhet fjalë për zgjedhje të ritmeve të ecjes dhe ne kemi mundësi të zgjedhim rrugën më të shpejtë për zhvillim.