/Telegraf.al/ Jeta jonë po bëhet dita ditës më “interesante”, mbasi çdo ditë dëgjojmë dhe shohim gjëra që nuk i kemi parë kurrë më parë, madje edhe nga ato që ndodhin vetëm tek ne dhe as që janë dëgjuar gjëkundi në botë! Pra, neve po i afrohemi përherë e më shumë rolit të “fanarit ndriçues” për të gjithë botën, siç kemi qënë në kohën e socializmit, që edhe pse nuk na e varte torbën askush në botë, ne fryheshim si gjelat majë plehut, se ishim të parët kudo dhe në çdo lëmë të jetës! Vetëm kur e pamë veten lakuriq dhe përfunduam në mes të katër rrugëve duke ikur “nga sytë këmbët” për të hyrë pa trokitur në dyert e botës, të cilët na pranuan për mëshirë, atëhere u bindëm se sa poshtë nga bota paskemi qënë, nga pikpamja e varfërise së tejskajshme! Dhe kemi patur fatin e keq që të drejtohemi nga qeveri me njerëz përgjithësisht të pangopur e të papërgjegjshëm, të cilët që në fillimet e të ashtuquajturës demo(n)kraci shkatërruan dhe rrafshuan të gjithë ekonominë, pa asnjë dallim, si industrinë, bujqësinë, shëndetësinë, kulturën, etj. Kësisoj lanë pa punë të gjithë qytetarët, të cilët u bënë kontigjente për emigracionin! Me këtë nuk dua të them se emigracioni është i padëshirueshëm, apo që ka vetëm të këqia, por dua të theksoj se ndodhi në mënyrë masive, ndërkohë që nëse do të kishte ku të punonin njerëzit, pa tjetër që do të kishte emigracion, por do të ishte më i kufizuar dhe selektiv. Edhe ato pak industri që mbetën pa u shkatërruar, siç ishte industria nxjerrëse e naftës dhe e disa mineraleve të ngurta, iu dhurua të huajve përgjithësisht pa përvojë në këtë fushë dhe miqve apo klientëve të qeveritarëve, fitimet e të cilave i marrin për vete dhe për buxhetin e shtetit japin disa thërrime! Ndërkohë që industrinë përpunuese të naftës e shkatërruan, me qëllimin e mbrapshtë që oligarkët të importojnë karburante të gatshëm, që janë me përfitime të mëdha dhe pa i lodhur qeveritë me shfrytëzimin dhe përpunimin e naftës, që për ironi, Kryeministri aktual e quan të papërshtatshme për të nxjerrë nënprodukte nafte, por vetëm për bitum! Në rradhën e masave antipopullore, që asnjë qeveri e djathtë nuk do t’i ndërmerrte kurrë, dëgjuam sot një lajm tjetër të keq për popullin e thjeshtë, që mezi nxjerr muajin me bukë! Doli vetë Ai, Kryeministri, që deklaroi me krenari, sikur kishte bërë një vepër që do ta ngrinte nivelin e jetesës së popullit, në një nivel që t’i afrohej qoftë edhe një të pestës së nivelit të Komunitetit Evropian, për ku po përpiqet të na çojë vetë Ai, Kryeministri! Lajmi, që u dha me shumë mburrje, ishte shpallja e 5 spitaleve kryesore të vendit, si spitale me Autonomi Menaxheriale, terminologji të cilën e shpjegoi me euforinë që e karakterizon. Dhe nga shpjegimi që bëri Ai vetë, por edhe zëvendësministresha, u kuptua që kjo shpikje synon të favorizojë mjekët, që të fitojnë më shumë para, me qëllim që të mos detyrohen të largohen për në vende të tjera, por përkundrazi, do të shërbejë si nxitje edhe për ata që janë larguar që të kthehen në këtë “parajsë” që po u krijon qeveria! Në një kohë kur “na janë bërë veshët llamarinë”, nga refreni i mërzitshëm i “mjekësisë falas”, që vetëm falas nuk është, Kryeministri na doli dhe shpalli autonominë menaxheriale të spitaleve, ku mjeku specialist, pasi të mbarojë orarin e punës paradite, deri në orën 16.00, do të kalojë në punën jashtë orarit zyrtar, në një zyrë (klinikë) po aty në atë spital, me pajisjet dhe aparaturat e shtetit, ku do të presë për vizitë PRIVATE pacientët hallexhinj, që nuk kanë gjetur derman në mjekësinë falas të shtetit! Kur themi private, pagesat do të jenë si në spitalet private, edhe pse ky spital është shtetëror! Kuptohet lehtësisht se kush do të shkojë për vizitë private, ai që ka fuqi për të paguar, por kurrsesi nuk do të shkojë qytetari i thjeshtë, që jeton me rrogë apo me pension! Eshtë e kuptueshme që këtë privilegj do ta kenë vetëm mjekët e Spitaleve Autonome dhe jo të tërë! Kështu që edhe në rradhët e mjekëve do të krijohet shtresa e Oligarkëve të Mjekësisë, e ligjëruar nga shteti, ndërkohë që masa më e madhe e mjekëve do të mbetet atje ku është. Për ta bërë më bindëse dhe më prekëse ligjëratën e tij, Kryeministri tregoi për një bisedë, që kishte bërë me një mjek në Gjermani, i cili kishte rreth 15 vjet atje dhe që i kishte treguar se në Gjermani ai ndihej bosh dhe mendonte me frikë kohën e pensionit (në Gjermani), që nuk do të kishte se me kë të shkëmbente dy fjalë, apo si të kalonte kohën atje! Besoj se as ai dhe as Kryeministri nuk e dinë, që këtu pensionistët “kënaqen” duke lozur domino dhe duke bërë llogje në ndonjë cep të lagjes, jashtë në shi e në diell, pa patur as qindarkat e mjaftueshme për kafe! Vetëm se harroi të thotë që ai do ta marrë pensionin në Gjermani dhe do të ketë para të mjaftueshme për të bërë edhe ndonjë udhëtim turistik nëpër botë! Pa le pastaj sikur të dojë e të urdhërojë ta kalojë pensionin (me pension si në Gjermani!) këtu në atdheun e tij të lindjes, që do të kishte edhe shoqërinë, plus xhepit të ngrohtë!
Ky vendim duhet të anullohet para se të vihet në zbatim!
Ndaj, Zoti Kryeministër, do të bënte mirë që të mendonte pak më shumë për shtresat e varfëra të popullit, për të lehtësuar sado pak gjëndjen e mjerueshme të një pjese të mirë të popullsisë, mbasi duket që nuk e njeh aspak jetën reale të popullit, që ka marrë përsipër ta qeverisë dhe që pretendon ta çojë drejt Evropës!